16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Standardet e dyfishta të “terrorizmit”

Më të lexuarat

Nga Elmaz Abinader

Një tik-tak fillon, por nuk është as orë, as bombë me sahat. Nuk e dëgjojnë të gjithë, megjithatë numërimi mbrapsht ka filluar.

Fillimi është shumë i saktë – dikush qëllon, një bombë shpërthen, disa armatime bien nga një avion, një snajperist ndodhet diku. Lajmi godet valët e radios, e ne fillojmë të presim.

Pritja na rrënqeth trupin. Jemi peng të lajmit. Të lajmit për identitetin, lidhjet, vendin, origjinën dhe fenë (e autorit).

Fiksojmë kompjuterin tonë. Hapin CNN-in në sfond gjatë orarit të punës. Dhe i dërgojmë mesazhe njëri-tjetrit me pyetje.

Tensioni dhe frika jonë rritet e shumëfishohet me çdo spekulim të ndonjë gazetari, dëshmitari apo eksperti. Ne që jemi arabo-amerikanë, apo ata që ngjajnë me arabo-amerikanët, apo amerikanët që janë muslimanë, e dimë se ky lajm ka një domethënie ndryshe për ne.

Pasi disa njerëz të armatosur vranë dhe plagosën disa njerëz në një qendër sociale në San Bernardino në Kaliforni, filluan spekulimet.

Në raportimet e para nuk u dyshua për “terrorizëm”. Por, u quajt “vrasje në masë”.

Ekspertët filluan të bëjnë analiza – dallimi midis “vrasjeve në masë” dhe “terrorizmit” është qëllimi, sipas Brian Levin, profesor i anti-terrorizmit vendas në Universitetin Shtetërorë të Kalifornisë, San Bernardino.

E shikoni?! Kur përdoret gjuha e “terrorizmit” në Shtetet e Bashkuara, rrallëherë përfshin “vrasjet në masë”. Gjithmonë i drejtohet ndonjë emigranti apo “terroristi” të huaj.

Kjo mund të jetë pak ngatërruese pasi numri i të vdekurve nga vrasjet në masë është kaq astronomik sa është e pamundur të besohet se, në një farë mënyrë, nuk janë të motivuara politikisht.

Le të marrim për shembull vrasjet në klinikët e planifikimit familjar në Kolorado javën e kaluar. Robert Dear, njeriu i akuzuar për vrasjet e tre njerëzve aty, thuhet se pas arrestimit të tij foli për “dhënien fund të copëtimit të fëmijëve”. Por kjo ishte një “vrasje në masë”, e jo e motivuar politikisht.

Në tetor, Christopher Harper-Mercer vrau 10 vetë në një klasë në kolegjin komunitar Umpqua. Por, nuk ishte një akt “terrorist”.

Vrasësi ishte një amerikan i bardhë.

Kështu, nga momenti që morem vesh lajmin për sulmin vdekjeprurës në zyrat e qendrës sociale, pritëm. As arab, as musliman, e as “terrorist”, shpresuam.

Pasi ne – arabo-amerikanët, muslimanët amerikanë – e dimë se “vrasjet në masë” të kryera nga një i bardhë i takojnë vetëm një individi, ndërsa aktet e “terrorizmit” i mvishen një komunitetit të tërë.

Javën e kaluar, në Fredericksburg të Virxhinias, kur Samer Shalaby, administrator i Qëndres Islame të Fredericksburg-ut po prezantonte planin për zgjerimin e xhamisë ekzistuese në sallën e e bashkisë së qytetit, u sulmua me të bërtitura. “Ju jeni të gjithë terroristë,” tha një nga pjesëmarrësit. Të pranishmit në sallë e duartrokitën, pavarësisht se shumë prej tyre kanë vite që jetojnë me fqinj muslimanë.

Histeria që pasoi sulmet e 11 Shtatorit u duk se ishte zbehur. Por, siç e kemi parë edhe në rastin e kandidatit republikan për president Donald Trump, i cili ka hedhur dyshime dhe ka nxitur urrejtje ndaj çdo gjëje muslimane, Islamofobia është gjithnjë e më shumë në rritje. Le të marrim për shembull pronarin e dyqanit të armëve në Florida, i cili deklaroi më herët se dyqani i tij është “zonë e ndaluar për muslimanët”. Përvjetorin e 11 Shtatorit, ai përkujtoi duke bërë një ulje për klientët duke përdorur një kupon “musliman”. Madje, tani mund të gjeni edhe një udhëzues në dyqanet e armëve dhe poligonet e qitjeve, të cilat janë vetëshpallur si “zonë e ndaluar për muslimanët”.

Ky lloj diskriminimi nuk është parë në Shtetet e Bashkuara që prej kohës së tabelave “vetëm për të bardhët” në fillimet e shekullit të 20-të.

Kështu që, pritëm – duke e ditur se cilat do të ishin pasojat nëse vrasësi kësaj radhe nuk do të ishte thjeshtë “vrasës”, por “terrorist”. Feja do të dënohej, raca dhe sfondi kulturor do të gjykoheshin, duke bërë kërdinë në psiqiken tonë personale dhe kolektive.

Sa më shumë informacion jepej, aq më shumë rritej zemërimi. Një çift i qetë të rinjsh me një foshnje – një çift i lezetshëm që nuk dukej aspak i politizuar. Me daljen në dritë të identitetit të tyre, shtypi filloi menjëherë të analizonte lidhjet e tyre. Gjuha familjare e “fqinjit xhihadist” tashmë ka filluar.

Po tani çfarë të bëjmë? Si të reagojmë?

Fitilit sapo i është vënë flaka. Emrat u bënë të ditur. Shpresa jonë e dëshpëruar që vrasësit të mos ngjanin si ne, të mos kishin emra që tingëllojnë si tanët, është shuar. Nuk do të na lejohet ta distancojmë vetën nga ata, siç bëjnë të gjithë të tjerët për “vrasësit në masë” të bardhë, të cilët përfaqësojnë vetëm vetën e tyre, e askënd tjetër.

Kështu që, rrimë e presim e përgatitemi. Pasi e dimë çfarë na pret.

*Elmaz Abinader është autore dhe poete. Ajo është edhe bashkëthemeluese e Voice of Our Nations Arts Foundation (VONA/Voices).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit