Stacioni jugor përurohet, nis i Policisë Rajonale në Mitrovicë

0
51

Është përuruar të hënën në Mitrovicë objekti i stacionit jugor i Policisë së Kosovës, ndërsa është vendosur edhe gurthemeli i ndërtimit të objektit të Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Me këtë rast, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se pas shumë peripecive në punë, stacioni jugor i policisë në Mitrovicë tani do të ketë objektin e vet.

“Ky objekt ka kushtuar rreth 600 mijë euro dhe i plotëson të gjitha standardet evropiane për punë të policisë. Edhe dhomat e ndalimit janë të standardeve më të larta, me ç’rast plotëson edhe një kusht për integrime në BE”, ka thënë Rexhepi.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se policia, përkatësisht stacioni jugor, ka pasur probleme të mëdha në funksionimin e saj, pikërisht për shkak të mungesës adekuate të një objekti. Sipas tij, tani policia do të ketë objektin e vet adekuat dhe do të ketë kushte shumë më të mira për punë.

Ai ka theksuar se këtu do të vendoset stacioni jugor dhe policia e trafikut rajonal, ndërsa në këtë pjesë të qytetit ku ndodhet ky objekt, policia do të ketë edhe lëvizje më të lehtë, sepse kufizohet me rrugët kryesore për veri dhe jug të qytetit.

Në anën tjetër, ministri Rexhepi bashkë me kryetarin e komunës Avni Kastrati dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, kanë vënë po ashtu gurthemelin e objektit të Komandës Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Ky objekt do të kushtojë rreth 850 mijë euro, ndërsa pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.koha/kohaislame