Specialistë të mjekësisë të interesuar për vendet e BE-së

0
40

Specialistë të mjekësisë vazhdojnë të interesohen që specializimin ta kryejnë në vendet e BE-së.

Në Fakultetin e Mjekësisë thonë se duhet të krijohen kushte të favorshme në mënyrë që kuadri i ardhshëm mos të largohet nga Kosova. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë ndërkaq thonë se po bëjnë përpjekje, që të krijojnë vende pune për të gjithë specialistët e mjekësisë.
Donika Berisha është vetëm njëra nga studentët e cila po përgatitet që specializimin ta vazhdojë në shtetin gjerman. Sipas Berishës, aplikimi në klinikat jashtë vendit po bëhet edhe nëpërmjet agjencive të ndryshme dhe kjo po ua lehtëson procedurat. Megjithatë paga e mirë që marrin specialistët kosovarë në vendet e BE-së, mbetet arsyeja kryesore për emigrim.
Prodekani i Fakultetit të Mjekësisë, Mehmet Maxhuni thotë se studentët e mirë stimulohen me bursa, vetëm e vetëm që kuadri i ri të mbetet këtu. Por sipas tij, problemi qëndron më pas, te ndarja e specializimeve.
“Ata (studentët) po humbin vite e vite këtu kot dhe normal që duan ta hapin perspektiven e tyre në vendet e BE-së që nuk është keq. Por ikja e trurit nga këtu është e disfavorshme për Kosovën…”, tha ai
Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se nuk ka asnjë trend të ikjes së profesionisteve shëndetësor nga Kosova. Sipas tij, ka raste por që kjo nuk është, shqetësuese. Hoti thotë se vetëm brenda një viti Ministria e Shëndetësisë ka ndarë rreth 500 specializime për mjekë, stomatologë e farmacistë.
“Ajo që mund të thuhet është se në aftin kohor prej një viti, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar kushte relativisht të mira në mënyrë që specialistët e lëmive të ndryshme mjekësore, por edhe mjekët që nuk e kanë përfunduar specializimin, të inkuadrohen në sistem dhe ta japin kontributin e tyre. Në këtë aspekt nëse më lejoni do ta përmendi faktin se Ministria brenda një viti ka ndarë 475 specializime për mjekë, stomatolog dhe farmacistë”.
Me ligjin e ri të Shëndetësisë, parashihet që në çdo vit, 300 mjekë familjarë dhe 100 specialistë të rinj të inkuadrohen në sistemin shëndetësor./koha/kohaislame