12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Sot fillon Brexit. Ja çfarë ndodh tani

Më të lexuarat

Në orën 12.30 nis tratativa e Londrës me Brukselin, për daljen nga Europa. Në lojë janë 60 miliard Euro

Me vetëm 48 orë para afatit që i ishte dhënë, qeveria britanike përdor sot Nenin 50 për të vënë në lëvizje negociatat për daljen e saj, pas 44 vitesh, nga Bashkimi Europian. Sipas shumë vëzhguesve, do të jenë tratativat më komplekse që janë kryer ndonjëherë mes shteteve.

Traktati thotë se duhet të përfundojnë brenda dy vjetësh, dhe vetëm në qoftë se të gjithë do të bien dakord, mund të zgjaten. Alternativa është që Britania të largohet nga BE-ja, duke përplasur derën. Londra synon të ruajë qasjen e lirë në tregun e përbashkët dhe “pasaportën” që i lejon City-t të veprojë pa pengesa në BE, por pa hequr dorë nga dy arsyet kryesore për Brexitin, dmth dhënies fund të hyrjes së lirë të qytetarëve evropianë dhe çlirimit nga juridiksioni i Gjykatës Evropiane.

Çfarë ndodh nga sot, pas vënies në zbatim të Nenit 50?

Me dorëzimin tek Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, të letrës me të cilën Mbretëria e Bashkuar njofton qëllimin e vet për të lënë BE-në, sot nis numërimi mbrapsht i divorcit britanik nga Bashkimi Evropian. Bëhet fjalë për një kohë të gjatë dhe jashtëzakonisht shumë komplekse, e cila do të kërkojë në rastin më të mirë dy vjet, por ndoshta më shumë. Sot nuk do të materializohet pra, asnjë Brexit: në 29 prill do të mbahet një samit i BE-së për të përcaktuar udhëzimet për negociatat mes Londrës dhe Brukselit, të cilat duhet të fillojnë brenda pak muajsh.

Dalja nga BE është procedurë e pakthyeshme?

Në teori, jo. Londra mund të bëjë hapa pas dhe të tërheqë apelin për zbatimin e Nenit 50. Kjo (përsëri hipotetikisht) do të mund të ndodhte, nëse një parlament i ri britanik do të kishte një shumicë të qartë pro-evropiane: rrugëtimi në të kundërt mund të kalojë nëpër një referendum të ri (që sot besohet se Brexit nuk do të fitonte). Por duket shumë e pamundur, që në të ardhmen e afërt ndonjë politikan britanik do të marrë përgjegjësinë për një “kundër-tërmet” të ngjashëm, me të gjitha pasojat e tij të ndërlikuara.

Cilat janë pasojat, nëse në dy vitet e ardhshme nuk gjendet një marrëveshje?

Në bazë të rregullit evropian që kërkon jo më shumë se dy vite negociata, data e parashikuar për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, është 29 marsi 2019. Megjithatë, në qoftë se atë ditë nuk do të jetë arritur marrëveshje e plotë midis Londrës dhe Brukselit, ka dy opsione: ose 27 vendet anëtare bien unanimisht dakord për një zgjatje të kohës së negociatave, ose britanikët mund të vendosin për të lënë tryezën, pa një marrëveshje. Kryeministrja May ka paralajmëruar paraprakisht se ajo nuk do të bëjë lëshime, dhe se “për Britaninë, asnjë marrëveshje nuk është më mirë se një marrëveshje e keqe”.

Çfarë ndodh me qytetarët evropianë që punojnë në Britaninë e Madhe?

Fati i 3 milionë qytetarëve të BE, banorë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i një milion banorëve britanikë në 27 vendet e BE-së është një nga pikat më delikate të negociatave për Brexit. Në teori, perspektiva për këta njerëz, tashmë jo më të mbuluar nga e drejta e qëndrimit të lirë në Bashkimin Europian, është e qetë: megjithatë, nuk është e qartë kur do të llogariteshin pesë vitet e qëndrimit të nevojshme për ta gëzuar atë. Të sigurta janë ndërlikimet e burokracisë: 85 faqe formularë për t’u plotësuar. Dhe vlerësohet se, për zbërthimin e të gjitha pyetjet do të duhen 140 vjet: një parajsë për avokatët.

Cila do të jetë e ardhmja e Mbretërisë së Bashkuar? Do të ndahet?

Me daljen e Londrës nga BE, rreziku i frakturave brenda Mbretërisë së Bashkuar rritet ndjeshëm. Eshtë i njohur edhe vullneti i qeverisë së Edinburgut për të ndarë Skocinë nga Londra, me qëllim që të qëndrojë në BE: jo më larg se dje Parlamenti Skocez votoi për një referendum të ri për pavarësinë. Por probleme serioze janë parë edhe në Irlandën Veriore: mbështetësit e bashkimit me Dublinin ngrenë kokë, nuk duan absolutisht që Brexit të sjellë kthimin e kufirit mes Ulsterit britanik dhe Eiresë, e pavarur si republika e Irlandës.

Cilat do të jenë pasojat ekonomike për lamtumirën e anglezëve?

Sigurisht që është pyetja më e vështirë për t’iu përgjigjur. Rënia e parashikuar e ekonomisë britanike ka qenë kompensuar deri sot, nga rënia e vlerës së stërlinës, që ka bërë të mundur një rritje të normës së zhvillimit ekonomik. Më e mundur është që të vërtetohet parashikimi për dobësimin e Londrës si qendra financiare europiane. Simbolikë e rënies së pritshme të Cityt ishte edhe zgjedhja e të famshmëve Lloyd’s, që të hapin selinë e tyre të parë jashtë Anglisë. Të tjera qendra financiare, presin të përfitojnë prej kësaj. / Përgatiti: bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit