7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Skenari i sulmit mbi Iranin

Më të lexuarat

Era e një lufte kundër Iranit ndjehet prej ditësh në shtypin izraelit. Parashikohet të jetë një sulm i koordinuar kibernetik, i papreçedent, që do të ndërpresë brenda pak minutash internetin, lidhjet telefonike, radion, televizionin, komunikimet satelitore dhe lidhjet e fibrave optike të ndërtesave strategjike të Iranit.
Qëllimi: “Regjimi iranian nuk duhet të kuptojë asgjë se çfarë ndodh brenda kufirit të tij”. Pjesë të skenarit, i cilësuar nga mediat si “hollivudian”, u publikuan nga Richard Silverstein, i njohur nga të gjithë si “Wikileaks-i i Izraelit”.

Në faqen e tij online, “Tikum Olam” (Të ndreqim botën), ai publikoi një copëz të dokumentit që do t’i kalojë ekipit të sigurisë, i cili merr vendime të rëndësishme për vendin, raporton Top Channel.

Në fillim: Përmes një teknologjie shumë të avancuar, do të nxirren jashtë përdorimit bazat nëntokësore të raketave të Korramabadit dhe Isfahanit. Çentralet elektrike do të paralizohen nga qarqet e shkurtër të shkaktuar nga municione në fibra karboni.

Faza e dytë: Dhjetëra raketa balistike, që do të godasin nga një distancë prej 300 km, do të lëshohen nga nëndetëset izraelite të vendosura pranë Gjirit Persik.

Faza e tretë: Përfshin raketa “Cruise” që do të godasin sistemet e komandës, të kërkimit dhe zhvillimit, si dhe shtëpitë e personelit të përfshirë në planet e pasurimit të uraniumit.

Pas kësaj sateliteti “TekSar” do të kalojë mbi Iran, për të vëzhguar dëmet që u janë shkaktuar objektivave. Informacioni do t’i përcillet avionëve në fluturim mbi Teheran dhe aleatit, SHBA.

Objektivi është dyplanësh: Të shkatërrohet aftësia e zhvillimit bërthamor të regjimit islamik dhe shmangia e një kundërsulmi, duke vënë në shënjestër bazat e raketave.

Të mërkurën paradite, ish-gjenerali Matan Vilnai thotë se konflikti mund të zgjasë 30 ditë dhe mund të jetë në disa fronte njëherësh. Kundërpërgjigjia e artilerisë së Iranit mund të shkaktojë 500 viktima. Sipas tij, Izraeli duhet t’i bëjë ballë edhe raketave të Hezbollahut nga Libani dhe atyre të Hamasit nga Rripi i Gazës.

Frika e izraelitëve shtohet edhe pas operacionit të së mërkurës nga rreth 90 policë gjermanë në Hamburg, Oldenburg dhe Vajmar, ku të paktën katër persona u arrestuan, 1 shtetas me pasaportë nga Gjermania dhe tre të tjerë me shtetësi të dyfishtë, gjermane dhe iraniane. Ata akuzohen se kanë eksportuar në Iran pjesë për ndërtimin e një reaktori bërthamor, duke shkelur embargon në fuqi përmes kompanive në Turqi e Azerbajxhan, në këmbim të miliona eurove.

Në javët e fundit janë rritur spekulimet në lidhje me mundësinë e një sulmi izraelit mbi aktivitetet bërthamore të Iranit, për të cilat shteti hebre dhe shumë shtete të komunitetit ndërkombëtar besojnë se fshehin një program të armëve bërthamore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit