Skandali i refugjatëve të Europës

0
17

Nevojat afatgjata për arsim dhe punësim janë nënvlerësuar historikisht në planifikimin humanitar. Por, ashtu siç shumë refugjatë kanë nevojë për ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor, ata gjithashtu kanë nevojë për dije dhe mjete për të ndërtuar jetë të re dhe për të kontribuar nesër në shoqëri.

Nga Gordon Brown

Është ditur prej kohësh se kampi i refugjatëve Moria në ishullin grek Lesbos është i mbipopulluar, ka kushte johigjienike dhe është përfshirë nga dhuna, përveç trazirave që kanë plagosur shumë të tjerë. Por kur punonjësit e ndihmës raportuan në prill se fëmijë deri në dhjetë vjeç po provonin vetëvrasjen, një tjetër anë tragjike e krizës së refugjatëve u shfaq: 30 milionë fëmijë në botë janë zhvendosur aktualisht, shumë në kushte të këqija. Kriza jo vetëm po i vë ata në rrezik sot; por po kërcënon të shkatërrojë dhe të ardhmen e tyre.

Në kampin Moria, pesë fëmijë jetojnë me frikë. Përplasjet e fundit kanë zhvendosur qindra banorë të kampit dhe disa u plagosën rëndë. Kjo është traumatizuese për fëmijët, të cilët janë me familjet e tyre, por edhe për shumë prej tyre që janë vetëm. Për t’i bërë punët dhe më keq, shumë fëmijë nuk kanë as strehimin bazë, ku mijëra familje janë futur në tenda të lira të dhuruara që shpesh nuk i rezistojnë as ujit. Dimrin e shkuar, tre njerëz vdiqën nga helmimi prej monoksidit të karbonit në përpjekje për t’u ngrohur.

Por sfidat me të cilat këta fëmijë përballen shkojnë përtej termit afatshkurtër. Edhe nëse fëmijët refugjatë ia dalin të shkojnë diku ku kanë siguri, e ardhmja e tyre është e zymtë sepse shumica nuk do të mund të shkojë në shkollë – një realitet që do ta dëmtojë rëndë aftësinë e tyre për të gjetur punësim.

Në përllogaritjen e fundit, kishte 1729 fëmijë në Moria, më shumë se 1000 prej të cilëve në moshë shkolle. Numri së fundmi u rrit prej 834 të rinjve që erdhën përmes anijeve në kamp vetëm javët e fundit. Asnjëri nuk shkon në shkollë publike dhe qeveria greke akoma nuk i ka lejuar të kenë akses në ndonjë nga programet e arsimit të krijuara për azilkërkuesit.

Opsioni më i mirë i mundshëm për fëmijët refugjatë të Morias janë qendrat e dendura të arsimit joformal, ku mësuesit nuk vijnë shpesh. Megjithatë ky opsion nuk është i disponueshëm për të gjithë, pasi qendrat ekzistuese ofrojnë edukim për vetëm 500 fëmijë në ditë – më pak se gjysma e popullatës në moshë shkolle. Ky numër mund të ulet: qendra më e madhe edukuese informale, drejtuar nga UNICEF, do të mbyllet në dhjetor sepse 30,000 eurot e nevojshme për funksionim në muaj nuk mund të gjenden.

Por ka ende pak shpresë për refugjatët e mbetur në Moria. Zyrtarët grekë i kanë dhënë ministrisë së migracionit 30 ditë për të përmirësuar kushtet në kamp ose ai do të mbyllet. Lëvizja është e vonuar.

Jo se sfida me të cilën përballet Greqia është e vogël. Tashmë e munduar nga masat e kursimit, vendit i është dashur të përballojë 1.1 milionë mbërritje refugjatësh që nga viti 2014 dhe qindra të tjerë që vazhdojnë të mbërrijnë në bregun e Lesbos çdo ditë. Kjo ka qenë shkatërruese për ishullin e vogël, për të cilin industria e turizmit u ul ndjeshëm. Me pjesën tjetër të Bashkimit Europian që efektivisht u mbyll për refugjatët në Greqi, kampet në terren janë mbushur. Por Moria po operon ende me 3-4 fish më shumë ngarkesë se kapacitet zyrtar.

Komisioni Europian ka alokuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë për Greqinë që nga viti 2015 për të menaxhuar krizën e refugjatëve dhe thotë se do të ofrojë mbështetje emergjence. Se ku kanë shkuar fondet kjo është tashmë një pikëpyetje kërkimore e Sebastian Leape, një vullnetari që kaloi javët e fundit në kamp.

Mbështetja jo e duhur për refugjatët nuk është vetëm një problem në Greqi, ku kampet e refugjatëve në shumë vende po kanë vështirësi prej kushteve të këqija. Siç ka pohuar Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB për refugjatët, kjo përfshin një mungesë të munëdsive edukuese. Më pak se gjysma e fëmijëve refugjatë në moshë shkolle në mbarë botën shkojnë në shkollë; as një në katër nuk ia del të shkojë në shkollë 9-vjeçare dhe më pak se 1% ndjek arsim më të lartë.

Vendet që kanë popullata të mëdha refugjatësh kanë nevojë për financim të mjaftueshëm për t’i dhënë fëmijëve refugjatë akses në shkollat lokale. Fondi Arsimimi Nuk Mund të Presë u krijua për të mbyllur hendekun e financimit të arsimit për fëmijë të tillë. Drejtuar nga Yasmine Sherif, fondi koordinon me OKB dhe agjencitë e saj humanitare, financiarisht dhe organizativisht, për t’u siguruar që çdo vajzë dhe djalë refugjat të mund të marrë arsimim.

Nevojat afatgjatë për arsim dhe punësim janë nënvlerësuar historikisht në planifikimin humanitar. Por, ashtu siç shumë refugjatë kanë nevojë për ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor, ata gjithashtu kanë nevojë për dije dhe mjete për të ndërtuar jetë të re dhe për të kontribuar nesër në shoqëri, qoftë në atdheun e tyre apo në një të ri. Është në interesin e të gjithëve të sigurohen që ata të fitojnë aftësitë e nevojshme.

Project Syndicate