17.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Sistemi i arsimit, ua mohon 5.1 vite mësimnxënie fëmijëve të Kosovës

Më të lexuarat

Raporti i Bankës Botërore, përkatësisht Indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI), përsëri ka nxjerrë në pah disa anomali të sistemit arsimor në Kosovë. Të ashtuquajturat “reforma në arsim”, duket që kanë qenë të pamenduara mirë, ndërsa sistemi del të ketë probleme të mëdha, duke filluar nga ai parauniversitar.

Deri në moshën 18 vjeçare, ashtu siç është sot për sot i rregulluar sistemi parauniversitar arsimor në Kosovë, fëmijët ndjekin 12.8 vite shkollim fillor dhe të mesëm – konstaton Indeksi i Kapitalit Njerëzor, gjegjësisht raporti i ri i Bankës Botërore (BB).

Këto vite të shpenzuara, sipas raportit në fjalë, janë ekuivalente me 7.7 vite të shpenzuara nga fëmijët e tjerë të botës, duke humbur kështu 5.1 vite gjatë periudhës së tyre të arsimimit.

Pesë indikatorë, përbëjnë përgjithësisht Indeksin e Kapitalit Njerëzor, e që janë: 1) Gjasat për mbijetesë deri në moshën 5 vjeçare; 2) Vitet e pritura të shkollimit të një fëmije; 3) Rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit; 4) Shkalla e mbijetesës së të rriturve dhe 5) Proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim.

Analiza në raport, nxjerr një përfundim të frikshëm, vetëm 56 % e fëmijëve janë produktiv, në krahasim me fëmijët që do të kishin arsimim më të kompletuar si dhe shëndet të plotë.

Indeksi i Kapitalit Njerëzor, përgjithësisht, del të jetë nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të ardhurave.

Siç dihet, sistemi i arsimit në Kosovë, që nga paslufta, u është nënshtruar një vargu ndryshimesh, që për synim kanë pasur arritjen e standardeve të cilat sot i gëzojnë shtetet perëndimore.

Pikërisht sot, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Arsim lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 dhe fillimin e vitit të ri shkollor. Në këtë raportim, vet ministri ka pranuar se vetëm tash është shpallur konkursi për tekste të reja shkollore, ndërsa institucionet arsimore po përpiqen ta zbatojnë korrikulën e re.

Në këtë raportim, ministri ka përmendur se edhe këtë vit janë shpërndarë tekstet falas për nxënësit nga kl.1-9 sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit. Ai ka folur për fillimin e procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, ndërsa shtoi se për rëndësinë e këtij procesi ka marrë vlerësime pozitive edhe nga institucione dhe ekspertë të arsimit gjatë vizitës zyrtare në ShBA.

Një progres i vogël, sipas ministrit, është bërë për sa u përket fëmijëve me nevoja të veçanta, ku janë arritur përparime të dukshme, duke shtuar se “këtë vit do të punësohen 100 asistentë”, por tha se po shikohen mundësitë që në këtë drejtim të angazhohen edhe studentët e Fakultetit të Edukimit.

Gjithsesi këta hapa, janë jo të mjaftueshëm për ta nxjerr sistemin nga kriza. Rezultatet e arsimimit, ka disa vite që e rreshtojnë Kosovën në fund të listës së PISA-s, rezultate për të cilat zyrtarët e lartë janë zotuar se do t’i përmirësojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit