Sirianët dynden drejt Turqisë

0
33

Mbi 2300 sirianë kanë lënë vendin në 48 orët e fundit

Shifra u publikua pasi kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon, paralajmëroi për një përshkallëzim të krizës. Kjo është dyndja më e madhe që prej fillimit të konfliktit përpara më shumë se një viti, ndërsa bilanci asnjëherë nuk i kishte kaluar një mijë të shpërngulur në ditë. Sipas emigrantëve, të cilët janë sistemuar në kampe provizore të ngritura pranë kufirit, me mijëra të tjerë janë nisur dhe pritet të kalojnë kufirin brenda orëve të ardhshme.
Sipas aktivistëve, në sulmin e autoriteteve është vendosur edhe kryeqyteti, me forcat ushtarake që po bombardojnë periferi të Damaskut.
Një armëpushim që parashikon tërheqjen e trupave nga qytetet kryesore duhet të hyjë në fuqi në datën 10 prill. Megjithatë, sipas ekspertëve, regjimi i al-Assad po ndërrmer një sulm të fundit brutal, në përpjekje për të shtypur kryengritësit, përpara se ushtria të rikthehet në kazerma. OKB ka dërguar një delegacion në Damask për të negociuar mundësinë e vendosjes së grupeve monitoruese në vend, në mënyrë që të mbikqyrin planin e armëpushimit, por nuk dihet nëse autoritetet do të kenë vullnetin për të pranuar diçka të tillë. Sipas vlerësimeve të OKB-së, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të konfliktit nje vit me pare ndërsa mbi 42 mijë emigrantë janë shpërngulur në Turqi./abc/kohaislame