7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Siria, “quo vadis”?

Më të lexuarat

Analizë në kuadër të serialit radiofonik “Perspektiva Globale” nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në vitin e saj të shtatë, lufta siriane vazhdon pa mëshirë të prodhojë dramë njerëzore, trazira politike dhe kaos. Agjenda botërore po vlon nga sulmet e regjimit sirian dhe Rusisë kundër Idlibit, e fundit mes 4 provincave të shpallura “zona çtensionimi” në procesin e Astanës. E gjithë bota po diskuton, me gjakftohtësi, se sa milionë njerëz do të zhvendosen pas këtyre sulmeve dhe nëse do të përdoren apo jo armë kimike. Sikur të ishte duke folur për skenarin e ri të një filmi serial; moskokëçarëse, e shkujdesur dhe e pashpirt! Sikur ta kishte zemrën të gurtë!

Palët e procesit të Astanës – Turqia, Irani dhe Rusia – u mblodhën të premten e 7 shtatorit në Teheran. Atje u bisedua për të ardhmen e Idlibit në veçanti dhe Sirisë në përgjithësi. Samiti i Teheranit rezultoi prova konkrete e asaj se si Turqia është lënë në vetmi dhe megjithatë vetëm përpiqet ndershmërisht që sirianët të mos masakrohen në një botë, ku Perëndimi fut hundët nga larg dhe bashkësia e institucionet ndërkombëtare heshtin. Fakti që Irani i transmetoi negociatat drejtpërsëdrejti pa dijeninë e Turqisë dhe Rusisë, bëri që e tërë bota të dëgjonte të vërtetën edhe një tjetër herë me gjithë lakuriqësinë e saj. Sikurse mikrofoni që harrohet i hapur. Mjerisht, në bisedime nuk dëgjuam një shprehje shqetësimi nga liderët e tjerë (përveç kreut të shtetit turk) për dramën humanitare të sirianëve. Presidenti Recep Tayyip Erdogan shprehu në mënyrë të përsëritur nevojën për një armëpushim dhe tha se Turqia mirëpret 4,5 milionë refugjatë, shumica e të cilëve janë sirianë. Ndërkohë që edhe Turqia mund të mbyllte kufijtë e saj për refugjatët dhe zemrën e saj për njerëzimin, siç bënë shumë vende të tjera. Ajo mund të vepronte si disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat fabrikojnë pushtet nëpërmjet urrejtjes ndaj emigrantëve duke hedhur poshtë vlerat e BE-së, të drejtat e njeriut dhe moton e “lirisë, barazisë dhe vëllazërisë”, kur u sheh syri disa mijë refugjatë. Por, në thelb, nuk mund ta bënte. Sepse ajo që e dallon Turqinë nga vendet e tjera është ndjenja e përgjegjësisë historike, ndërgjegjësore dhe humanitare, e cila ia mohon asaj të veprojë si këto shtete.

Fatkeqësisht, në vitin e shtatë të luftës siriane nuk ka ndonjë ndryshim të madh në pozicionin e palëve. Rusia vazhdon të mbajë anën e regjimit në mënyrë që të jetë më efektive në Mesdhe përmes bazave të saj në Siri dhe të përballet me Perëndimin jo në Krime, Gjeorgji dhe Ukrainë, por në një hapësirë gjeografike më të largët.

Irani vazhdon të ndjekë politikën e tij të ekspansionizmit rajonal edhe në Siri. Deklarata e deputetit të Teheranit, Ali Riza Zakani, i njohur për afërsinë e tij me udhëheqësin fetar, Ali Khamenei, se “tri kryeqytete arabe (Bagdadi, Bejruti dhe Damasku) janë tashmë në duart e Iranit dhe varen nga Revolucioni Islam, ndërsa Sana është kryeqyteti i katërt arab në rrugën për t’u bërë pjesë e revolucionit iranian”, zbulon ekspansionizmin rajonal të Iranit. Unë s’mund të di saktësisht se sa kryeqytetet e Libanit, Irakut, Jemenit dhe Sirisë janë të varura nga Irani, siç pretendon Zakani. Por zhvillimet në këto vende tregojnë se njerëzit fajësojnë Iranin për gjakun e derdhur dhe ngjarjet në rajon. Fakti që banorët e Basrës me shumicë shiite, qyteti i dytë më i madh dhe porti më i rëndësishëm i Irakut, vërshuan rrugëve për të protestuar Iranin dhe i vunë zjarrin Konsullatës së Përgjithshme të Iranit në këtë qytet, është një shembull për të nxjerrë mësim nga gjurmët e ekspansionizmit iranian në vendet e influencuara prej tij. P.sh.: A nuk tregon fakti që pothuajse asnjë refugjat nuk është strehuar në Iran, teksa mijëra prej tyre kanë shkuar edhe deri në fund të botës, se sirianët nuk kanë asnjë fije shprese tek interpretimi sektar, fqinjësia dhe vlerat humanitare të Iranit?

Me shumë gjasa, vendi kryesor dhe më kyç në prapaskenën e luftës siriane është Izraeli. Ky shtet ndjek një politikë të thellë dhe të heshtur që nga fillimi i luftës siriane, në mënyrë që ajo të vazhdojë sa më gjatë të jetë e mundur dhe rivalët rajonalë të dobësohen së bashku. Kjo politikë përputhet me strategjinë e “Izraelit të Madh”, e cila parashikon që kufijtë izraelitë të zgjerohen deri në arritjen e idealit të çifutëve sionistë, quajtur “Toka e Premtuar” (hebraisht: HaAretz HaMuvtahat; ose arabisht: Ard al-Mi’ad), duke përfshirë edhe pjesën juglindore të Turqisë. Politikat janë duke u zhvilluar në këtë drejtim ndoshta që prej fillimit.

Ndërsa politika amerikane për Sirinë nuk është e pavarur nga Izraeli. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të jashtëzakonshme me armë të çdollojshme për organizatën terroriste, PKK/PYD, pavarësisht eliminimit të kërcënimit të DAESH-it. Thuhet se kjo mbështetje bëhet në dukje për të rrethuar Iranin. Vallë a mund të shpjegohet mbështetja e jashtëzakonshme që i ofrohet shtetit terrorist të PKK/PYD-së, i cili synon copëtimin e Turqisë dhe zaptimin e tërë kufirit turk, vetëm me rrethimin e Iranit? Apo ky korridor terrorist është një rrugë e hapur për Izraelin për të arritur qëllimet e tij afatgjata?

Dhe Bashkimi Evropian… A mund flitet për një politikë për Sirinë të BE-së dhe shteteve anëtare të saj, ku ekstremi i djathtë po rritet dhe po i mban peng ato çdo ditë e më shumë, qëllimi i vetëm i të cilave është të mos pranojnë as edhe një grusht me refugjatë sirianë?

Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk heqin dorë nga politikat e tyre izraelitocentrike dhe Bashkimi Evropian s’bën hapa konkrete në vend të premtimeve boshe, është e kotë të presësh që regjimi sirian t’u japë fund sulmeve të tij me mbështetje ruse dhe perse. BE-ja dhe SHBA-ja nuk shohin ndonjë problem për sa kohë që sirianët vdesin në atdheun e tyre ose strehohen në Turqi.

Në Siri po bëhet spastrim etnik në sytë e të gjithë botës. Struktura demografike e vendit po ndryshohet. Regjimi dhe mbështetësit e tij, nganjëherë edhe vendet perëndimore, i bombardojnë qytetet që duan t’i marrin nën kontrollin e tyre duke hedhur pretendimin se ato janë bërë strofka terroristësh. Dhe për pasojë miliona njerëz detyrohen të braktisin atdheun, shtëpitë e tyre. Si mund të mendohet që miliona njerëz janë terroristë? Nëse s’bëhet fjalë për spastrim etnik apo ndryshim të strukturës demografike të qyteteve, atëherë cili është qëllimi? Në rast se qëllimi është lufta kundër organizatave terroriste, a është e vetmja rrugë shkatërrimi i të gjitha qyteteve bashkë me banorët e tyre, pa bërë dallim ndërmjet terroristëve dhe të pafajshmëve?

Duhet të përfundojë lufta e ndyrë në Siri, koston e së cilës nuk e paguajnë palët luftuese, por ata që shqetësohen për njerëzimin, siç është Turqia. Lufta duhet të marrë fund në mënyrë që të fillojë procesi disavjeçar për të shëruar plagët. Çfarë faji kanë në këtë luftë foshnjat që digjen për së gjalli me bomba? Edhe për sa kohë mund të durojnë zemrat tona dhimbjen e foshnjave Aylan, që mbytet në det teksa arratisen nga vendi i tyre për t’iu shpëtuar bombave?

Historia e njerëzimit është dëshmitare e shumë mizorëve të pashpirt. Idi Amini, Stalini, Pol Poti, Hitleri, Musolini, Ivani i Tmerrshëm (Ivani IV), Robespierri, Konti Drakula (Vladi II), kryqëzatat dhe Haxhaxhi Gjakatar (Haxhaxh ibn Jusuf) janë vetëm disa nga famëkëqijtë. Por brutaliteti në histori nuk ka qenë kurrë i përhershëm. Herët a vonë, mizorët janë bërë pre e mizorive të tyre dhe të shtypurit kanë fituar gjithmonë. Nëse sot këta mizorë njihen dhe dënohen nga të gjithë, kjo është meritë e triumfit të njerëzimit në terma kohorë afatgjatë.

Banditi nuk bëhet sundimtar në botë!

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit