6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

SIRIA, PROBLEM QË DO NJË ANGAZHIM MË TË MADH PËR ZGJIDHJEN E TIJ

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

Kaloi një vit që kur filloi revolucioni në Siri, revolucion që me gjithë koston e lartë -u derdh shumë gjak, u vranë shumë të pafajshëm- nuk arriti ende qëllimin e tij. Presidenti famëkeq, Beshar Esedi, ende vazhdon të qëndrojë në krye të shtetit dhe politika e tij hegjemoniste ende vazhdon të udhëheq vendin.

Në fakt, me fillimin e protestave dhe intensifikimin e tyre, gjendja vetëm sa është tensionuar. Për çdo ditë me dhjetëra e qindra civil të vrarë e të masakruar, shumica prej të cilëve gra, fëmijë e pleq. E të gjithë ata sipas qeverisë siriane janë “terroristë” të cilët meritojnë të luftohen ashpër. Kurrë nuk ka qenë e njohur që fëmijët të jenë terroristë, nuk besoj se mund ta gjesh këtë shprehje në ndonjë fjalorë të ndonjë gjuhe që është përmendur se ka ekzistuar më parë, që nga dita kur Zoti krijoi tokën dhe qiellin. Ndërsa në këtë shekull çdo kush mund të jetë “terroristë”, mund të jenë nga plaku i vjetër i shtrirë në shtrat e deri tek foshnja, kuptohet nëse janë muslimanë.

Ndoshta Serbia në periudhën para luftës kur ndërmori fushatë për mbytjen e të gjitha lopëve tona, mund të jetë bazuar në këtë se ‘lopët e terroristëve janë terroristë.’ Marrëzira shkuar marrëzirave!

Sido që të jetë, në Siri lufta ndaj të pafajshmëve nuk po ndalet. Skenat me të plagosur, të vrarë dhe refugjatë që ikin nga shtëpitë e tyre janë bërë lajm pothuajse në të gjithë botën. E tërë bota ka mësuar se kush është viktima e kush është fajtori, por, për çudi hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e këtij problemi janë shumë të paktë. Nuk di a nuk e vlerësojnë gjakun e myslimanit apo kanë ndonjë interes me kriminelët. Vështirë t’i besosh kësaj bote. Këshilli i Sigurimit, ndonëse pati debate të shumta rreth kësaj teme, nuk arriti të materializon asnjë nismë. Tash së fundi ka filluar të flitet shumë për iniciativën e Kofi Ananit si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, e që shumë pak edhe prej kësaj iniciative pritet, ngase Siria ka përkrahës shumë të fortë në vendimet e saj për ti luftuar “terroristët.” Ka Iranin me tërë potencialin e saj që e ka, e që është një shtet mjaft i fortë dhe me ndikim të madh, pastaj ka Hiszbullahin e Libanit të cilët përkrahin në çdo mënyrë partinë Bass dhe pushtetin e Beshar Esedit. Gjithashtu ka Rusinë dhe Kinën. Të gjitha këto, në një anë dhe dëshira e flaktë e Beshar Esedit për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, në anën tjetër, e bëjnë atë që të sakrifikoj çdo gjë vetëm e vetëm për t’ia zgjatur vetes jetën në pushtet. Andaj duhet një angazhim shtesë i të gjithë dashamirëve të paqes e të lirisë dhe një sensibilizim i tyre për të arritur rezultat të kënaqshëm në atë vend.

Thënë të drejtën, as myslimanët në nivel qeverish, nuk kanë bërë sa duhet për Sirinë, ani pse janë shënuar takime, mbledhje, organizime, nisma, por praktikisht, përveç ndihmave dhe solidarizimit, nuk është ndërmarrë asgjë. E në këtë kontekst, pra të ndihmave dhe solidaritetit, punë më së shumti kanë bërë dijetarët. Këto ditë, pas konferencës ndërkombëtare për Sirinë në Stamboll, ku morën pjesë politikanë nga vende të ndryshme të botës, u mbajt edhe një konferencë tjetër, por e karakterit fetar. Më konkretisht, nga data 4-5 Prill 2012, Kryesia e Ligës së Dijetarëve Botërorë Myslimanë në bashkëpunim me Organizatën Islame të Sirisë organizoi një konferencë, pjesëmarrës në të cilën, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së DBM-së, isha edhe unë.

Gjatë dy ditëve radhazi u zhvilluan shumë debate e biseda ndër më të ndryshmet, të cilat kishin për qëllim informimin e dashamirëve të paqes se çka është duke ndodhur brenda në atë shtet, pastaj gjetja e mënyrave dhe rrugëve për t’iu ndihmuar atyre njerëzve. Ngase Siria është një vend ku ende shtypi dhe mediat janë shumë të kufizuara. Në atë konferencë kishte edhe sirianë që kishin ardhur nga vatrat e luftës e që tregonin për masakrat që janë duke u bërë atje nga pushteti sirian dhe bashkëmilitantët e tyre. U kërkua ndihmë e madhe për nga ana mjekësore për t’i mjekuar të plagosurit, u kërkua ndihmë për jetimët, të cilët tashmë janë me mijëra, u kërkua ndihmë për refugjatët brenda dhe jashtë vendit, ngase mbi dy milion refugjatë deri më tani janë vetëm brenda Sirisë. U kërkua, po kështu, që të lobohet edhe më shumë gjithandej nëpër botë, në mënyrë që të shtohet presioni i botës tek qeveria e Besharit për ta ndal luftën dhe për ta dorëzuar pushtetin. E në fund të ditës së dytë u hap edhe mundësia për të dhënë ndihma humanitare për popullin e Sirisë. Njerëzit filluan të japin, filluan me nga dhjetë mijë euro deri tek pesëqind mijë euro. Pastaj telefonatat filluan të vijnë edhe nga jashtë, ngase konferenca ishte e mbuluar me media të forta botërore, si Al Jazeera, të cilat transmetonin drejtpërsëdrejti takimin. Telefonatat nuk kishin të ndalur. Lajmëroheshin myslimanë të shumtë duke ofruar secili një ndihmë dhe kontribut material për lëvdatë. Nga të gjitha këto telefonata dhe këto donacione, më e çuditshmja, më interesantja dhe më mbresëlënësja për mua ishte ndërhyrja e fundit e një djaloshi të ri, i cili pa leje të askujt doli në foltore dhe kërkoi fjalën, ku pasi ia dhanë të drejtën e fjalës, tha: ‘O ju njerëz, gjendja në Siri është ajo çka kuptuam deri më tani, ata njerëz kanë nevojë të madhe për ne, për ndihmën tonë. Unë nuk kam pasuri, me përjashtim të dy shtëpive dhe një are (kopshti), andaj, kam vendosur për hir të Allahut t’i jap të dy shtëpitë, e ti nxjerri gratë e fëmijët e mi prej tyre dhe së bashku të dalim me qira. Merrni dhe shitni shtëpitë dhe kopshtin tim ndërsa të hollat ua shpërndani vëllezërve në Siri!’

Deklarata e tij na shokoi të gjithëve, ngase nuk prisnim të bënte dikush këtë lloj sakrifice. Nuk është lehtë ta japësh shtëpinë e t’i nxjerrësh fëmijët në rrugë. Këtë nuk mundë ta bëj askush përveç një njeriu që ka lidhje të fortë me Allahun, një njeri i cili shumë beson në rëndësinë të ndihmuarit nevojtarëve. Këtë nuk mund ta bëjë kush pos një njeriu i cili do ta blej xhenetin me pasurinë e tij.

Njerëzit kur dëgjuan këtë deklaratë të këtij djaloshi filluan të marrin tekbir “Allahu ekber” dhe filluan të qajnë, sepse vërtet ishte shumë prekëse. E për ta bërë këtë edhe ma interesante të nderuar, -e jo për t’i mbushur rreshtat-, pasi përfundoi mbledhja dhe falëm namazin bashkërisht, u ngrit në këmbë një njeri dhe tha: ‘Të nderuar, kam një informatë të shkurtër. Personi, i cili më herët i dha dy shtëpitë e tij për popullin sirian dhe vendosi të banojë vet me qira, inshallah nuk do të del, ngase ne do ia blejmë atij shtëpitë shumë më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre, në mënyrë që atij t’ia kthejmë prapë paratë që të blejë shtëpi për veti, e paratë e tjera do t’i japim për popullin sirian.’ Kështu, dëshira dhe sakrifica e tij shkuan në vend ndërsa ai nuk humbi asgjë. Këso lloj çudish di të bën vetëm sinqeriteti! Të gjithë xhemati filluan të thonë Allahu ekber dhe ta falënderojnë këtë person, që në fakt as nuk e njihnim.

Ky ishte përfundim shumë i ëmbël i cili na kënaqi të gjithëve, na freskoi dhe na dha shpresë të madhe se forca e ummetit për të nxjerrë burra të mëdhenj, figura të rralla dhe heronj të pamposhtur ende është e madhe.

Allahun e lusim që të jetë në ndihmë të të gjithë vëllezërve tanë kudo në botë, e në veçanti në Siri!

Po kështu e lusim që të kompensoj me xhenet kontributet e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë!

Le të na mbajë shpresa se mos ndoshta në takimin tonë të radhës do të kemi lajme më të mira për Sirinë!

Mirë u takofshim javën e ardhshme! Selam alejkum!

/krenaria/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit