9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Siri: Uria përdoret si taktikë lufte

Më të lexuarat

Megjithëse është e ndaluar nga ligjet e luftës, ushtria siriane masovikisht po rrethojnë zonat e kundërshtarit me synimin final të shpartallimit përmes urisë, duke bllokuar qarkullimin e ushqimeve apo duke bombarduar të mbjellat. Reuters

Një zyrtar i sigurisë së regjimit në Siri e quajti atë “Fushata e Urisë deri në Dorëzim”, bllokimi i ushqimeve dhe ilaçeve duke ndaluar hyrjen dhe daljen e njerëzve nga zonat e rrethuara të Sirisë.

Forcat besnike ndaj Diktatorit Bashar al-Asad kanë përdorur rrethimet e pjesshme për të shkulur forcat opozitare nga zonat e banuara përgjatë luftës civile. Por një ashpërsim i bllokadave gjatë kohës së fundit nëpër zonat përreth kryeqytetit po shkakton vdekje nga uria, thonë mjekët dhe banorët e këtyre zonave.

Në një pikë kontrolli të ushtarakëve që ndan Damaskun Qendror nën kontrollin e qeverisë nga qytezat suburbane të lindjes, më herët këtë muaj, një adoleshent i dobët me një biçikletë iu lut një ushtari të lejohej të dërgonte një çantë me pite, ushqimi bazë, për te lagjja lindore. Ushtari refuzoi, por djali vijoi të lutej, duke kërkuar të lejohej të dërgonte vetëm “një copë”.

Ushtari më në fund bërtiti: “Po të them, asnjë thërrime bukë nuk lejohet këtu. Nuk i bëj unë rregullat. Janë ata më të mëdhenj se unë dhe ty që i bëjnë rregullat dhe ata po na vëzhgojnë tani. Pra, kthehu mbrapsht në shtëpi”.

Ushtari dukshëm qe i trishtuar, filloi të ecë lart e poshtë në qetësi, pasi djaloshi iku.

Incidenti ilustron se si bllokadat po përdoren si një armë në një luftë që nisi si protesta pro-demokratike në verën e vitit 2011 që tashmë është një krizë humanitare me përmasa të jashtëzakonshme. Bllokadat përdoren pothuajse vetëm nga regjimi, por ka zëra të regjimit që akuzojnë që një gjë të tillë në një shkallë më të vogël e bën edhe opozita e armatosur.

Ushqimet dhe ilaçet, të cilat mund të përdoren nga pala opozita, nuk lejohen të hyjnë nëpër zonat e rrethuara dhe lëvizja e civilëve nga një zonë në tjetër është e pamundshme apo e kufizuar ashpër.

Mbi një milion njerëz janë në kurth në zonat ku shpërndarja e ndihmave është ndaluar, thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha në një raport muajin e kaluar se gjysma e atyre njerëzve të bllokuar gjenden në zonat rurale të Damaskut dhe rreth 310 mijë të tjerë në zonat e Homsit në Sirinë Qendrore.

Bllokada e Bajramit

Në një pikë kontrolli në qendër të Damaskut, një zyrtar i sigurisë shtetërore, i njohur si Abu Haidar, u dëgjua të thotë “ne na pëlqen ta quajmë atë Fushata e Urisë deri në Nënshtrim”. Është një frazë e përdorur gjithnjë e më shumë nga mbështetësit e Asad në kryeqytet.

Qeveria e Sirisë nuk ka komentuar mbi akuzat se po përdor urinë si një armë lufte. Punëtorët e ndihmave thonë se atyre nuk u lejohet të shkojnë në zonat e rrethuara. Të dyja palët përdorin pika kontrolli për të shënjuar territorin dhe për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve armiq apo mbështetësve të kundërshtarit.

Qytezat nën kontrollin e opozitës në lindje, jug dhe perëndim të Damaskut janë nën rrethim të pjesshëm apo tërësor dhe Abu Haidar thotë se ushtria ka filluar të bllokojë qytezat e Kudsajas dhe Hameh, 15 minuta me makinë në veri nëpër vargmalet Kasiun.

Banorët e këtyre dy qytezave thonë se më herët këtë muaj, në ditën e parë të Bajramit të Vogël, shumë u ndaluan të lëvizin për të vizituar të afërmit e vet gjetkë.

Shanset për të kaluar nëpër pikat e kontrollit varen nga karta e identitetit – punonjësit e sektorit publik dhe fëmijët e shkollave në disa raste lejohet të kalojnë. Prindërve u thuhet të kthehen mbrapsht.

Disa njerëz lejohen të largohen më këmbë dhe banorët raportuan një eksod të vogël civilësh që patën frikë se bombardimi me artileri mund të pasojë rrethimin, siç ka ndodhur në zona të tjera që kontrollohen nga opozita.

Postblloku kryesor ndalon shumicën e makinave që të hyjnë apo dalin në dy qyteza, duke i detyruar njerëzit të dalin nga makinat e tyre dhe të ecin përgjatë rrugës për 20 minuta e të përdorin transportin publik në anën tjetër.

Ushtarët kryejnë kontrolle trupore dhe të makinave për të parandaluar “kontrabandën” e bukës, qumështit të fëmijëve dhe ilaçeve drejt zonave të rrethuara – dhe burgosin shkelësit. Kontrollet krijojnë radhë të gjata, ndërsa banorët përpiqen të kthehen në shtëpi, në disa raste duke i detyruar ata të presin për shumë orë.

I gjithë trafiku ndalohet të hyjë në Hameh, një qytezë me shumicë myslimanësh suni ku shumë banorë mbështesin kryengritjen. Ka pak më shumë lëvizje drejt Kudsajas, një zonë më e përzier nga pikëpamja fetare që është edhe shtëpia e dhjetëra mijëra sirianëve të shpërngulur nga zona të tjera të vendit.

Nuk ka bukë

Gjatë një vizite dyditore nga ky gazetar muajin e kaluar në qytezat e lindjes, banorët vendës duhej t’ia dilnin me çfarë kishin. Ata mblidhnin fruta dhe zarzavate nga pak kopshte që ende mund t’i arrinin pa rrezikuar të goditeshin nga snajperët e qeverisë apo bombardimet.

Ata që kishin para paguanin trafikantët për të sjellë thasë me miell, ilaçe apo ushqime të tjera.

Por askund në qytet buka pite nuk qe e disponueshme. Mjekët vendëse thanë se rregullisht vizitojnë pacientë me sëmundje të shkaktuara nga uji i ndotur dhe se bombardimet ajrore kanë dëmtuar infrastrukturën duke ndotur ujin e pijshëm me ujërat e zeza.

Mjekët thanë se po shihnin simptoma të kequshqimit të tilla si dehidratimi, humbja masive e peshës, diarre dhe stomakë të fryrë.

Ndërkombëtarët kanë shumë pak akses në zonat e goditura nga dhuna. Grupe të tilla si Shpëtoni Fëmijët (Save the Children) paralajmërojnë për një krizë potenciale. Agjencia publikoi një raport muajin e kaluar duke thënë se në ato pjesë të Homsit, Alepos, Idlibit dhe Damaskut ka një rrethim të menduar qëllimisht për të shkaktuar uri.

Në një lajm tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi se ka një epidemi poliomeliti mes fëmijëve të vegjël në Sirinë Verilindore, pasojë e rënies së normave të vaksinimit për shkak të luftës.

Situata është akute për njerëzit që jetojnë në Mouadamija, në periferinë jugperëndimore të Damaskut, e cila ka qenë nën rrethim për një vit dhe ka vuajtur nga goditjet me armë kimike e nga bombardimi i vazhdueshëm.
Ndryshe nga Ghouta Lindore, e cila gjithashtu është goditur me armë kimike, por herë pas here ka qenë e qasshme, Mouadamija është e rrethuar tërësisht nga ushtria.

Opozita thotë se 12 mijë njerëz përballen me urinë dhe vdekjen në Mouadamija. Rreth 90 për qind e lagjes është shkatërruar dhe aty mbeten shumë pak mjekë.

Këtë muaj, sipas banorëve që jetojnë atje dhe që u arritën me Skype, bombardimet ajrore të qeverisë goditën një nga dy tubat që sjellin ujë të pijshëm, duke kontaminuar më tej furnizimin me ujë të zonës.

Banorët thonë se trafikantët qenë në gjendje të hidhnin thasë me qumësht fëmijësh dhe ilaçesh nga makinat në lëvizje në qytet ndërsa udhëtonin përgjatë një rruge aty pranë. Por në korrik, rruga u bë një vijë aktive fronti mes ushtrisë dhe rebelëve.

“Askush nuk mund të sjellë asgjë më këtu”, tha banori dhe aktivisti Kusai Zakaria. Ai tha se shumë trafikantë përgjatë rrugës janë vrarë nga snajperët e qeverisë. “Tashmë vetëm predhat dhe plumbat hyjnë në Mouadamija dhe vetëm shpirtrat e të vdekurve mund të dalin”.

Duke vdekur urie

Prej muajsh, presioni ndërkombëtar është rritur mbi autoritetet e Sirisë për të hapur korridore humanitare për të shpërndarë ndihma te civilët e rrethuar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, rrethimi nuk ndalohet në mënyrë specifike. Gjithsesi, shkaktimi i qëllimtë i urisë në një konflikt konsiderohet gjerësisht si një krim lufte dhe ligji i konflikteve të armatosura u kërkon të gjitha palëve të lejojnë hyrje të lirë të ndihmave humanitare për civilët në nevojë.

Megjithëse Siria nuk është palë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale – e cila mund të përndjekë krimet e luftës – Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka fuqinë të kryejë kallëzime.

Tri rezoluta të Këshillit të Sigurisë që synonin të dënonin Asadin janë bllokuar, ndërkohë nga vetot e anëtarit të përhershëm Rusia, një nga aleatët më të rëndësishëm të Asad dhe Kinës, duke e bërë kallëzimin të pagjasë të ndodhë.

Më herët këtë muaj, 3 mijë gra dhe fëmijë janë evakuuar nga Mouadamija, thanë Kombet e Bashkuara. Por vuajtjet dhe uria e tyre mund të vijojë, sepse shumë u përpoqën të strehohen në një shkollë të braktisur në periferi të Kudsajas, ku rrethimi po fillon.

Javën e kaluar, 1800 banorë u evakuuan nga qyteza, një burim nga Ministria e Çështjeve Sociale tha. Media shtetërore raportoi se ata qenë qëlluar nga “terroristët”.

Uria është bërë kaq e gjithëpërhapur sa banorët vendës thonë se po hanë gjethe dhe bar.

Fatima, e cila iku nga Mouadamija pak para se të fillonte rrethimi vitin e kaluar bashkë me bashkëshortin e saj dhe pesë fëmijët për t’u vendosur në qendër të Damaskut, tha se një nga të afërmit e saj vdiq në Mouadamija në gusht nga uria. Ai qe vetëm tre vjeç.

Mjekët vendës i dërguan Reuters video që tregojnë gjashtë raste vdekjeje nga urija. Shumica e viktimave qenë fëmijë.

Aktivisti Zakaria tha se vetëm këtë muaj, ai di për 11 gra dhe fëmijë që vdiqën nga uria, përfshirë 7-vjeçaren Dua al Sheikh, e cila qe vajza e vetme e prindërve të saj.

Ai tha se pas shumë muajsh që kanë konsumuar orizin, elbin dhe miellin bullgur që kishin rezervë, familjet tashmë nuk kanë asgjë tjetër veç ullinjve dhe vajit të ullirit për tri vakte në ditë.

“Ne në disa raste mbështjellim gjethe rrushi së bashku e i spërkasim me kripë e piper për t’i ngrënë duke pretenduar se është japrak, (Jabraa)”, thotë Zakaria duke iu referuar gatimit popullor sirian të gjetheve të rrushit të mbushura me oriz dhe mish të grirë qengji apo viçi.
Civilët në zonat e rrethuara thonë se fermerët shënjestrohen ndërsa ata përpiqen të korrin fushat e veta. Ata thonë gjithashtu se bombardimet e qeverisë duket se qëllimisht u vënë flakën fushave të mbjella përreth Damaskut dhe Homsit.

Në Mouadamija, njerëzit po mbjellin ç’të munden në parcela të vogla toke mes ndërtesave në mënyrë që të shmangin fushat e hapura.

Dhe Zakaria thotë “ne përdorin bar në disa raste si sallatë, me ullinj dhe vaj ulliri”.

Reuters/GSH/Kohaislame.com

(Autori i këtij shkrimi vizitoi zonën së fundmi. Emri i tij mbahet sekret për arsye sigurie)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit