15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Sipas autoriteteve kosovare: Interneti si rrezik i radikalizmit fetar dhe rekrutimit

Më të lexuarat

Kosova, sikur edhe shumë shtete të ndryshme të botës, vazhdon të jetë e kërcënuar nga aktivitete të ndryshme terroriste, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
 
Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.
Përfshirja e tyre në luftërat e Lindjes së Mesme ndërlidhet me rreshtimin e tyre përkrah organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra.
 
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.
 
Miratimi i këtij ligji është parë si një prioritet për faktin se Kosova është zotuar të përfshihet në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.
 
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, konsiderojnë se ligji do të sanksionojë të gjithë ata persona që mund të përkrahin ose bëjnë thirrje në çfarëdo forme për të marrë pjesë në konflikte jashtë vendit.
 
Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës, thotë se ligji do të sanksionojë, po ashtu, edhe strehuesit dhe propaganduesit e mundshëm.
 
“Ligji i sanksionon po ashtu rrjetet sociale, të cilat keqpërdoren për sensibilizim të aktiviteteve ekstremiste fetare. Me këtë ligj, mendoj se institucionet fuqizohen dhe krijohen kapacitetet e mjaftueshme për t’i sanksionuar”.
 
“Tash [grupet e caktuara] nuk po bëjnë ‘zhurmë’ në aspektin radikal fetar nëpër xhami, por gjithsesi është fakt shqetësues që shumë të rinj tanë janë atje [në vatrat e luftës]. Personat që mund të rekrutojnë njerëz i kanë rrjetet e veta. Shqetësuese mendoj që është fakti se edhe organizatat joqeveritare që thirren në emër të humanizmit në Kosovë, po keqpërdorin rininë tonë”, thotë Haradinaj.
 
Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, thotë se thirrjet për pjesëmarrje në luftën e Sirisë, janë zbehur.
 
Ai mendon se tash forma e thirrjeve për pjesëmarrje në luftërat e Lindjes së Mesme, është më shumë në nivelin e komunikimit individual dhe jo aq shumë kolektiv.
 
“Unë tash e shoh një rrezik të madh që [format e komunikimit] do të rrëshqasin drejt ftesave, qasjes individuale. Qasja apo adresimi individual do të bëhet shtëpi për shtëpi, apo individ për individ, ose edhe përmes adresimit personal në adresa të e-mailit, në Facebook, Twiter, në rrjetet sociale përgjithësisht, çka unë e shoh si një rrezik të madh”, vlerëson Ibishi.
 
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala, duke mos dashur të flasë shumë rreth kësaj çështjeje, shkurtimisht thotë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), është e angazhuar në këtë drejtim me të gjithë mekanizmat në dispozicion.
 
“AKI-ja është duke punuar në këtë fushë përmes agjentëve të vet që i ka, po ashtu edhe përmes formave elektronike, por edhe në debatet të ndryshme nëpër xhami. Ajo informohet dhe është duke vepruar në mënyrës shumë precize”, shprehet Shala, duke nënvizuar se aktualisht nuk ka ndonjë valë thirrjesh për t’iu bashkuar luftërave në Irak dhe Siri.
 
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, thotë se gjykata të cilën e drejton, përveç aksionit që është ndërmarrë vitin e kaluar me arrestimin e më shumë se 50 personave nën dyshimet për aktivitete terroriste, ka ende çështje të hapura.
 
“Qëndron konstatimi se ka ndryshuar metoda [e rekrutimit] dhe sikur është në trend përdorimi i rrjeteve sociale edhe komunikimi tash në forma më perfide, normalisht shumë më perfide”, thekson Ibrahimi.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se janë rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak./REL/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit