6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Simbolet e komunizmit, Peza dhe mbyllja e xhamisë së Et’hem beut

Më të lexuarat

Nga Roald A. HYSA
 

16 shtatori i këtij viti (2017) do të mbahet mend për një kohë të gjatë për një seri ngjarjesh të lidhura me të ashtuquajturën Festë e Pezës dhe ringjalljen e përvitshme të simboleve komuniste, që për fat të keq valëviteshin edhe nga adoleshentë gjimnazistë të paditur për atë që po vepronin. Një ditë e ngarkuar me disa ngjarje, ku ajo më e pritshmja ishte të festoje në Pezë siç tashmë e kanë bërë adet të kuqtë e kësaj qeverisje. Këtyre ngjarjeve iu priu debati shterpë mbi Skënderbeun dhe dashurinë ndaj figurës së tij, si shfaqje e një nacionalizmi vulgar, dhe a u mbulua figura e tij apo jo? Shumë takime të rëndësishme të sigurisë së lartë janë zhvilluar në Tiranë edhe më herët e janë marrë masa të rrepta sigurie, por kësaj radhe bashkësia myslimane që falet në xhaminë e Et’hem beut kaloi një provokim të rëndë nga segmente të policisë shqiptare, duke mos u lejuar të kryenin ritet e tyre fetare si zakonisht. Në 27 vite demokraci ky ka qenë edhe incidenti më i rëndë që ka përjetuar KMSH dhe të gjithë besimtarët pavarësisht nëse falen apo jo në atë xhami. Jo më larg se 50 metra më tutje u shtruan tavolinat dhe u festua 16 shtatori, po në atë shesh Skënderbej, ku pak metra larg tij ishte mitingu i NATO-s. E pra besimtarët përbënin rrezik për sigurinë, ndërsa rrëmuja e pijanecëve dhe qoftexhinjve nuk përbënte rrezik. Këto ngjarje sjellin në perceptimin publik një seri konotacionesh negative për bashkësinë myslimane, e cila edhe kësaj radhe e tejkaloi situatën me qetësi.

Ama besimtarëve iu krijua një shije e hidhur në një kohë xhamia e tyre mbyllej, ndërsa në Pezë, në sheshin Skënderbej dhe te Pazari i Ri festohej me birra, qofte e bar 16 shtatori. “Skënderbeu fyhet për bajram nga myslimanët”, ndërkaq një tufë njerëzish të pirë në mungesë edhe të tualeteve publike nuk e fyen Skënderbeun duke urinuar.

Ajo që ngjau dje ishte me të vërtetë një turp dhe një rikthim në veprimet e një shteti që nuk merr parasysh ndjenjat dhe sensibilitetet e një bashkësie besimtarësh, të cilët e kanë të lidhur zemrën e tyre dhe të ardhmen e familjeve të tyre me një institucion kulti si xhamia, e cila për të gjithë muslimanët pa dallim ku jetojnë në trojet shqiptare e konsiderojnë godinën e xhamisë si Shtëpi të Allahut… Falë një stuhie në rrjetet sociale, ku u vërejt qartas zemërimi dhe mesazhet anti-komuniste të dhëna fillimisht nga hoxhallarët dhe muslimanët në përgjithësi më pas, u ndje kthjelltas dhe pa ekuivoke mesazhi i opinionit. Mbyllja e xhamisë ishte një turp dhe të gjithë njëzëri kërkuan hapjen e menjëhershme të saj, madje u paraqitën për të falur namazin e radhës në shenjë proteste ndaj këtij vendimi. Fatkeqësisht PR e KMSH-së u shfaq në nivelet më të ulëta, gjë që e kanalizoi zemërimin publik kundrejt tyre. Dhe kjo nuk është hera e parë që stafi i lartë i KMSH-së paraqitet dobët në komunikimin me publikun e gjerë. Një problem vazhdon të mbetet si gozhdë mbi të gjithë Bashkësinë Muslimane Shqiptare, e cila ka qenë themeluesja e Shtetit Shqiptar dhe ajo që e ka mbajtur mbi supet e veta barrën e shtetformimit dhe të shtet-ndërtimit, e cila nëpërmjet trukesh mediatike po mbahet nën kontroll nëpërmjet fyerjesh të rëndomta, “Shkoni andej nga keni ardhur, nga Turqia e Arabia”. Harrohet që kryeqyteti i Shqipërisë u themelua nga një Xhami kompleks dhe nga një mysliman si Sulejman Pasha. Ndoshta po të ringjallej në këto momente Sulejman pasha do t’i kërkonte këtij shteti ringritjen e xhamisë, të cilën jo pa qëllim e ndërtoi aty ku po vegjeton “Partizani i Panjohur”.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit