Si vrau vajzën 14 vjeçe dhe veten

0
45

Një 45-vjeçar nga Shkodra i ka hedhur trutë në erë vajzës së tij 14 vjeçe vetëm se i ka kthyer fjalën. Minorenia ka refuzuar që të qëndrojë në fshatin e largët për të kullotur bagëtitë. Në momentin që ajo është larguar nga banesa, i ati, Mirash Bregu e ka qëlluar për vdekje me çifte. I tronditur nga krimi që sapo kishte bërë, babai i 5 fëmijëve ka vrarë dhe veten.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Arrë të Komunës së thellë të Temalit. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, policia deklaroi se krimi më i fundit në familje ka marrë shkas pas një zënke ordinere mes babës e bijës. Sipas policisë lokale, Mirash Bregu ka qenë i dënuar për një vrasje të bërë në vitin 1993, dhe njihej si konsumues i alkoolit.

VRASJA

Para një muaji, Mirash Bregu dhe tre nga fëmijët e tij kishin shkuar për verim në fshatin e lindjes (në Arrë të Komunës së Temalit). Bashkëshortja dhe dy fëmijët e tjerë kishin qëndruar në fshatin Bardhaj (ndodhet afër qytetit të Shkodrës), ku ishin zhvendosur me banim që prej disa vitesh. E mërzitur nga qëndrimi i gjatë në zonën e thellë të Dukagjinit, vajza 14-vjeçare, Marjana i ka kërkuar dje babait të saj që të kthehej në shtëpinë e tyre në Bardhaj. Por, kryefamiljari ka kundërshtuar ashpër, duke i thënë së bijës se nuk kishin shkuar për qejf në shtëpinë e vjetër, dhe se ajo duhej të qëndronte se nuk kishte kush kujdesej për bagëtitë. Rebelimi i së bijës e ka acaruar 45-vjeçarin, i cili e ka urdhëruar që të mos guxonte më që t’i kthente fjalën. Fjalët e të atit nuk e kanë frikësuar minorenen, e cila ka vendosur që të largohet pa miratimin e babait. Ndërsa ka dalë nga shtëpia dhe po ecte e vetme në rrugë, Mirash Bregu ka marrë çiften dhe i është vënë pas minorenes. Në momentin që i është afruar, 45-vjeçari e ka qëlluar të bijën me çifte në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. I tmerruar nga trupi i pajetë i vajzës, vrasësi ka marrë në telefon një kushëririn e tij dhe i ka thënë: “Vrava vajzën time 14 vjeçe. Tash po vras veten, se jeta nuk më duhet për gja”.

HETIMI

Rreth orës 14:20, policia e Shkodrës ka marrë informacionin se në zonën e Dukagjinit ka ndodhur një vrasje. Forca të shumta policore janë nisur për në fshatin e thellë malor. Sapo kanë mbërritur në fshatin Arrë, ekspertët nisën këqyrjen e vendit të ngjarjes. Hetuesit e çështjes sqaruan se “vrasjet janë bërë me çifte. Vajza ka vdekur menjëherë, pasi kishte marrë një plumb në kokë. Vetëm pak metra larg vajzës, kishte mbetur i vdekur edhe babai i saj. Në dorën e 45-vjeçarit kishte shenja baruti, dhe arma e krimit ishte pranë tij”. (GSH/INA)/kohaislame