6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Si u sekuestruan bibliotekat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Krujës?

Më të lexuarat

Çelo Hoxha

Një nga krimet e regjimit komunist është grabitja e bibliotekave të personave privatë, mes të cilëve bënin pjesë bibliotekat e disa prej njerëzve më të shquar të historisë së Shqipërisë. Këtu po zbulojmë vetëm një pjesë të procesit të grabitjes së bibliotekës së tre firmëtarëve të pavarësisë: Mid’hat Frashëri, Mustafa Kuruja dhe Lef Nosi.

Ministria e propagandës njoftoi Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë, në 21 shkurt 1945, se po krijohej një komision për sekuestrimin e librave të tre firmëtarëve të pavarësisë, prandaj ajo ministri duhej të dërgonte një përfaqësues në atë komision. Në k\rkes\n e Ministrinë e Propagandës, firmosur nga sekretari i përgjithshëm Shefqet Musaraj shkruhet:

“Drejtoria e Bibliotekës Kombëtare do të tërheqë librat e bibliotekës së sekusteruar të Lumos Skëndos, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit të depozituara në Bankën e Shtetit. Për këtë lutemi që nga ky dikaster të caktohet një i deleguar me cilësi si anëtar i komisionit, i cili formohet pranë M. së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, për tërheqjen e librave të tradhëtarëve në fjalë,” Ministria e Financave ktheu përgjigje menjëherë, me shkresën 675. Të nesërmen, 22 shkurt 1945, ajo i shkroi ministrisë së Propagandës: “Në gjegje të shkresës t’uej n.332 d. 21.II.1945, Ju njoftojmë se kjo Ministri cakton shoqen Senka Kushi si e deleguar për të marrë pjesë si antare e Komisjonit, i cili formohet pranë asaj Ministrije për tërheqjen e bibliotekës së Lumo Skëndo-s të Mustafa Krujës dhe të ca librave të Lef Nosit. Na njoftoni datën e caktuar për mbledhjen e Komisjonit për t’ia kominikuar shoqes në fjalë.” Ministri i Financave, Ramadan Çitaku, e kishte firmosur vetë dokumentin, me pseduonim: Baca.

Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Manol Konomi, dukej më e ngadaltë. Dhe kishte arsye: ajo ministri kishte barrën të shpikte gjithë krimet e mundshme për të akuzuar gjashtë personat e planifkuar për t’u gjukuar në Gjyqin Special, e cili do të fillonte rreth një javë pas njoftimit të Ministrisë së Propagandës. Në 16 mars 1945, Ministria e Propagandës i nisi shkresën e dytë kësaj ministrie, me Nr. 332/2. Në këtë shkresë ajo e kujtonte Ministrinë e Drejtësisë për procesin e sekusterimit të librave të tre firmëtarëve të pavarësisë, për krijimin e Komisionit dhe për një person që ajo ministri duhet ta dërgonte si anëtar të këtij komisioni.

Me shkresën 332/3, Ministria e Propagandës i kërkoi komandës ushtarake të qarkut Tiranë (Shqipëria në këtë kohë ishte ushtarakisht e kontrolluar), që të lejonte Ferit Agalliun të merrte pjesë në komisionin për tërheqjen e librave të sekuestruar. Ferit Agalliun ministria e kërkoi nomalisht sepse, sipas dokumentit, ai ishte person që kishte dijeni për librat, “sidomos përsa i përket libravet të Mid’hat Frashërit”. Ferit Agalliu nuk shfaqet më në dokumenta.

Tani që Gjyqi Special ishte futur në rrugën që ai e donte dhe, siç tregon korrespodenca me Ministrinë e Propagandës, Ministri i Drejtësisë kishte kohë të merrej dhe me gjëra të tjera. Letrës së dytë të Ministrisë së Propagandës, Ministria e Drejtësisë i ktheu përgjigje brenda të njëjtës ditë dhe me firmën e vetë ministrit Manol Konomi. Shkresa e datës 16 mars 1945, me Nr. 207/5, kishte këtë përmbajtje: “Ju njoftohet se me cilësi si anëtar komisioni për tërheqjen e librave të bibliotekës së sekuestrueme Mid’hat Frashërit, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit, të depozituara në Bankën e Shtetit, kjo Ministri delegon Vangjel Meksin, i cili u lajmërue për sa më sipër.”

Librat e Mid’hat Frashërin ruheshin nga Divizjoni i Mbrotjes Popullore, struktura ushtarake që pak më vonë mori emrin Sigurimi i Shtetit. Më 19 mars 1945, ministria e Propagandës i dërgoi një shkresë këtij divizioni në lidhje me këtë problem. Shkresa autorizonte Alkes Budën që të merrte çelësat e librarisë Lumo Skëndo, libraria e njohur në Tiranë, e themeluar nga Mid’hat Frashëri. “Autorizohet shoku Aleks Buda, të marrë në dorëzim çelsat e librarisë së tradhëtarit Mid’hat Frashëri, mbasi këto libra do të çohen në Bibliotekën Kombëtare,” thuhej në shkresën Nr. 332/6. Aleks Buda, një nga zyrtarët e shumtë që ndiqnin një kurs të gjuhës serbe atëkohë, mbante postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Në 3 prill 1945, ministria e Propagandës i nisi Spiro Moisiut, shef i shtatmadhorisë i forcave të armatosura shqiptare (ushtria e partizane), me përmbajtjen e komisionit për tërheqjen e librave dhe këtë luftje: “Lutemi që Komisionit të lart përmendur t’i dorëzohen librat e tradhëtarit t’arratisur Mustafa Krujës.”

Arsyeja përse kjo letër i dërgohej Spiro Moisut nuk kishte të bënte me detyrën e tij, por me banesën. Kur zbriti nga malet në Tiranë, Spiro Moisiu, si shumë drejtues të tjerë të ushtrisë partizane, zaptuan shtëpitë e atyre që i quanin reaksionarë. Spiro Moisiu zuri shtëpinë e Mustafa Krujës dhe librat ndodheshin ende në banesë. Zaptimi i kësaj banese ishte një nga krimet në listën e gjatë të krimeve të luftës të kryera ose që kishte dijeni Spiro Moisiu.

Familjarët e Mustafa Krujës, siç rrëfen në kujtimet tij e Eugen Merlika (Kruja) banonin në shtëpi me qira, kurse në shtëpinë e tyre jetonte Spiro Moisiu. “Ballafaqimi i ndërgjeshëm me jetën u bë nëpërmjet arrestimeve të babait e të xhaxhait. Mbeta vetëm me gjyshen dhe nënën time të re, asokohe 26 vjeçe. Banonim në Tiranën e Re, në një shtëpi me qera, sepse shtëpija jonë ishte zënë nga Spiro Moisiu… Ende sot nuk më jepet e drejta të banoj në të,” shkruan nipi i Mustafa Krujës, në librin e tij “Përsiatje”.

Me po të njëjtën shkresë u vendos në dijeni dhe komisioni që do të shkonte shtëpinë e Mustafa Krujës, të okupuar nga Spiro Moisiu. Komosioni përbëhej nga Aleks Buda, përfaqësues i ministrisë së Propagandës, Nedret Hoxha përfaqësuese e ministrisë së Drejtësisë dhe Senka Kushi, përfaqësuese e ministrisë së Financave.

Në 13 prill, ministria e Propagandës, me shkresën 332/10, njoftoi këshillin nacionalçlirimtar të Tiranës me përbërjen e komisionit për tërheqjen e librave të Mid’hat Frashërit, që ishte i njëjti komision. Veç pjesëmarrësve në ngjarje, askush nuk e kishte mendjen te një nga grabitjet më të mëdha të shekullit, sepse atë ditë jepej vendimi i Gjyqit Special.

Ajo që në dokumente quhet sekuestrim ishte një grabitje e pastër. Në asnjë dokument nuk përmendet vendimi gjyqit për sekuertsimin e librave të tre firmëtarëve të pavarësisë. Lef Nosi, i cili u gjykua një vit më vonë, nuk ishte arrestuar ende. Në Gjyqin Special, kur prokuroi i referua Mustafa Krujës si kriminel lufte, Kol Tromara i tha: “Për Mustafa Krujën deri sa s’ka ndonjë vendim gjykate s’mund të them se ka qenë tradhëtar.”

Për Mid’hat Frashërin dhe Mustafa Krujën nuk pati kurrë një vendim gjykate që i shpallte – qoftë edhe në mungesë – si kriminelë lufte.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit