11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Si ranë pas lufte dëshmorët e Luftës së Dytë dhe veteranët e UÇK-së

Më të lexuarat

Ben Andoni

 

Gati një vit më parë, negociatat më të vështira të FMN-së sa i përket buxhetit në Kosovë me qeverinë e Isa Mustafës lidheshin me zërin, ku paraqitej numri i pensioneve të veteranëve të UÇK-së. Numri i fryrë dhe pensionet që i përgjigjeshin këtij numri e dëmtonin realisht buxhetin e dobët të shtetit kosovar. Asokohe delegacioni i FMN-së i kërkoi autoriteteve transparencë por edhe reduktimin e masës së tyre sepse buxheti e kishte të pamundur t’i mbarte. Por jo?! Folklori fitoi mbi llogjikën. Shumë veta nënqeshnin, por pakkush kishte guximin të tregonte se numri ishte hiperbolik.

Historia e shumimit nisi menjëherë pas luftës së Kosovës, kur komandanti Agim Çeku do të paraqiste listat e luftëtarëve kosovarë. Lista e parë e përgatitur në vitin 1999 nxori se ishin gjithsej vetëm 13 mijë luftëtarë. Çeku e certifikoi numrin e tyre kur materialin e dorëzoi për KFOR-in. I njëjti njeri, më 2015, gati 16 vjet më vonë prezantoi mbi 30 mijë veteranë! Ishin plot 17 mijë syresh, që bënin diferencë dhe që i kushtonin buxhetit të Kosovës më shumë se 26 milionë Euro. Por lufta me numrat nuk u mbyll këtu sepse tashmë numri i veteranëve të UÇK-së është rritur në mbi 46,000 veta. Ajo që vërejnë njerëzit e kthjellët në Kosovë ka vetëm një qëllim: shifrat e fryra bëhen thjesht për avantazhe politike dhe përfitime të pastra. Sikur të mos mjaftojë ky kaos, vetë njerëzit e UÇK-së janë të ndarë. Ka nga ata që mendojnë se shifra është edhe më e madhe, ashtu si të tjerë që pohojnë se shifra e vërtetë është e ulët. Agim Çeku do të rikthehej sërish, por tashmë në rolin e shefit të një grupi për verifikimin e tyre, në kuadër të Ligjit. Ky i fundit shkaktoi mosmarrëveshje midis vetë fraksioneve të ndryshme të UÇK-së, disa prej të cilëve akuzuan se ishte sistemi i kategorizimit, i specifikuar në ligj, që kishte bërë që numri i veteranëve të UÇK-së të rritej ndjeshëm. Një studim i vitit 2012 e zbuti të gjithën. Një raport nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin arriti në përfundimin se vetëm 24.577 personash u rekrutuan nga UÇK-ja në faza të ndryshme të luftës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Kjo i vinte vulën llogjikës, por jo oreksit patetik.

Në Shqipëri, beteja e shifrave të dëshmorëve filloi sakaq që me agun e Demokracisë. Pati disa shifra kontradiktore për të rënët në Luftën Antifashiste, të cilat kundërshtonin njëra-tjetrën, por që në fund të gjithë bindeshin se Gjaku i shqiptarëve martirë në Luftën e Dytë Botërore e renditi për fat Shqipërinë në radhën e vendeve antifashiste. Por, që nga 28.000 të rënët që vendi u prezantua zyrtarisht në Konferencën e Paqes më 1946, sot numri i tyre është zbritur nga referues të ndryshëm deri më 4638, 4200, 2159 apo edhe deri 1141 persona. Veteranët e pakët të mbetur mëtojnë se janë madje më shumë se 28.000 syresh, kurse Beqir Meta ish-drejtori i Institutit të Historisë mendonte se ishin gati 4000 të rënë, por jo më shumë…Problem mbeteshin mijërat e dëshmorëve pa varr, që veteranët i identifikojnë me të rënët në Kampet e Përqendrimit, kurse të tjerët nuk i llogarisin…

Më 23 Korrik të vitit 1946, vetëm një javë para Mbledhjes së Konferencës së Paqes, një grup deputetesh i kërkuan Kuvendit Popullor në një mbledhje të jashtëzakonshme të shpallte aktin e një Rezolute për pranimin e Shqipërisë në Konferencë. Janë firmat e deputetëve Pëllumb Dishnica, Kadri Baboçi, Abedin Shehu, Kristo Themelko, Hasan Pulo, Sami Baholli, Mark Ndoja, Gjovalin Lluka, Gogo Nushi, Gjeneral-Major Dali Ndreu që vendosin. Në emër të këtij grupi, N/Kolonel Pëllumb Dishnica deklaroi: “Kemi kockat e me shumë se 40.000 dëshmoreve qe dhanë jetën për lirinë e vendit te tyre, dhe për kauzën e antifashizmit e te demokracisë”. Rezoluta zyrtare, që iu nis menjëherë Konferencës, e rriti numrin e të rënëve kundër fashistëve në plot 40.600 persona. Shqipëria u pranua dhe për fat, pas një lufte jo të vogël, edhe u llogarit në kahun e forcave antifashiste. Ndërkohë, studiuesit e sotëm mëtojnë për një dokument tjetër paralel të vitit 1946, ku numri i të vrarëve në luftë llogaritet në 2.519 vetë! ( Indikacioni është te AQSH, Fondi 14/AP STR, viti 1946, dosja 40, faqe 159.). Ky dokument ndodhet ne Arkivin e ish KQ te Partisë se Punës.

Nga vrojtimet qe kam kryer del se ky numër përputhet, me ndonjë lëvizje te vogël me materialet e hollësishme për pensionet. Mbetet detyrë e së ardhmes saktësimi”, referonte në një shkrim pak vite më parë, Dr. Teodor Kareco. Nuk dihet sesi ky numër u ul, por në vitin 1948, në kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha deklaroi se: “Populli ynë i vogël i dha luftës 28.000 dëshmorë ushtarakë dhe civilë, 4.000 invalidë qind për qind dhe 8.600 te tjerë 50%”. Në një farë mënyre, kjo i shkonte për shtat asaj që ishte referuar në dokumentin që iu përcoll Konferencës së Paqes. Ndërkohë që një autor disi kontraversial Vasfi Baruti në një nga daljet në shtyp ka referuar për një dokument të vitit 1945, ku shkruhet ligji për dëshmorët dhe ka referuar edhe për një tabelë të vitit 1946, në bazë të të cilit shuma totale e dëshmorëve të shpallur ishte vetëm 1141?!

Ministria e Financave në vitin 1977 iu kthye dhe njëherë vlerësimit ku llogariteshin dëmet në njerëz gjatë luftës antifashiste. E gjitha po bëhej në kohën kur Shqipëria po zhvillonte përpjekjet për të lidhur marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë dhe në dokumente paraqiste dhe dëmet e shkaktuara nga ushtria gjermane. Në material, që e referon Kareco, thuhet se: “Okupacioni gjerman shkaktoi 17.800 te vrare nga 28.000 qe ishte numri i përgjithshëm gjate periudhës se Luftës se Dyte Botërore, 7.800 te plagosur e te gjymtuar nga 12.600 gjithsej”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit