4.1 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

“Si mund të zhduken 9 mijë fëmijë në mesin e botës së qytetëruar”

Më të lexuarat

“Në mesin e botës së qytetëruar janë zhdukur 9 mijë fëmijë. Si mund të ndodhë kjo? Kur në çdo anë ka kamera, forca policore”, tha ministri turk Ömer Çelik

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Ömer Çelik foli mbi gjendjen e vështirë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar në Gjermani. “Në mesin e botës së qytetëruar janë zhdukur 9 mijë fëmijë. Si mund të ndodhë kjo? Kur në çdo anë ka kamera, forca policore, rendi publik është jashtëzakonisht i fortë dhe këta zhduken”, tha Çelik.

Çelik në panelin editorial të Anadolu Agency (AA) ka kritikuar qasjen e Evropës kundrejt refugjatëve.

Duke theksuar se ka një foto të hidhur të gjendjes së fëmijëve emigrantë të pashoqëruar në qytetet evropiane, Çelik tha se sipas raporteve në Gjermani janë zhdukur 9 mijë fëmijë.

“Në mesin e botës së qytetëruar janë zhdukur 9 mijë fëmijë. Si mund të ndodhë kjo? Kur në çdo anë ka kamera, forca policore, rendi publik është jashtëzakonisht i fortë dhe këta zhduken. Ndërsa ne shkollojmë 491 mijë fëmijë dhe po kaq fëmijë presin të shkollohen”, tha ai.

“Turqia po bën një punë të mrekullueshme”

Pasi ka vënë në dukje se punët e Evropës në çështjen e refugjatëve paraqiten nga mediat perëndimore si një punë e madhe, Çelik ka tërhequr vëmendjen se tek mediat në fjalë nuk janë paraqitur mjaftueshëm atë që Turqia e ka bërë deri më sot.

“Nga Kobani në një ditë të vetme ne kemi marrë 200 mijë persona. Asnjë nga shtetet në Evropë nuk ka mundësinë të ngre një kapacitet të tillë. Për të ndaluar migrimin nga Mesdheu perëndimor kërkojnë të bëjnë një marrëveshje me Libinë të ngjashme me marrëveshjen me Turqinë. Atje nuk ka asnjë siguri të rojes bregdetare dhe asnjë kapacitet. Turqia këtu po bën një punë të mrekullueshme. Në një ditë kalonin 7 mijë persona, ndërsa tani kjo shifër është ulur në 20-30. Kam vërejtur të dhënat në natën e grushtit të shtetit ku edhe atë natë numri nuk ka arritur më shumë se 100 persona”, deklaroi Çelik.

Më tej ministri Çelik ka vënë theksin se Turqia e cila ka marrë përsipër një rol të rëndësishëm në parandalimin e valës së migrimeve ka shpëtuar të ardhmen politike të Evropës.

“Nuk mundni të mbroni kaq fëmijë dhe i zhdukni. Nuk dihet fati i tyre. Këto bien në duart e mafias së organave, të seksit. Bien në duart e trafikantëve të drogës në mesin e Evropës. Dhe, më pas thoni se çfarë do të bëjmë me rritjen e këtij radikalizimi në Evropë. Nëse ju lini fëmijët përballë një mizorie të tillë, nuk mund të pengoni rritjen e këtyre dallgëve (radikale). Përse hesht bota për këta fëmijë të zhdukur?”, thotë Çelik.

“Në luftën kundër terrorizmit duhet të formohen platforma të përbashkëta”

“Ne po përpiqemi për bashkëpunim maksimal. Gjithashtu ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar në maksimum. Ndjeshmëritë tona këtu janë të përcaktuara. Jemi një vend që dëmtohemi drejtpërdrejt nga organizatat terroriste. Këtë ua kemi thënë edhe evropianëve. Komunikimi mes nesh, mekanizmi i përbashkët nuk funksionon në nivelin e mjaftueshëm. Nuk ka ndarje të informacionit në nivel të mjaftueshëm. Pas akteve të ndryshme terroriste të kryera në Evropë shohim se nuk janë marrë parasysh njoftimet edhe pse ne ua kemi raportuar këto atyre”, tha ministri Çelik.

Ai më tej theksoi se në ngjarjet terroriste në Evropë vërehet se nuk u mor parasysh informimi që bëri më parë Turqia për persona të caktuar. Çelik tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me vendet evropiane në çështjen e luftëtarëve të huaj.

Duke vënë theksin se në luftën kundër organizatave terroriste duhet të formohen institucione të përbashkëta, Çelik tha se “Duhet të formohen platforma, institucione të përbashkëta në lidhje me luftën kundër DEASH-it dhe PKK-së. E gjithë lufta, informacioni dhe të dhënat e inteligjencës duhet të mblidhen në një pikë të vetme”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit