Si jetoj me djalin e droguar

0
43

Një nënë që jeton prej dhjetë vitesh me djalin e droguar u rrëfye në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ duke zbuluar dramën e saj.

“Për herë të parë e kuptova që djali im përdorte drogë kur pashë një shiringë në momentin që po fusja rrobat në lavatriçe. Nuk dinim ku të kërkonim ndihmë, u traumatizuam. Fillimisht ai nuk e pranonte, por unë e kuptova sepse kërkonte lekë vazhdimisht”, shprehet gruaja që nuk preferoi të identifikohej.

Më tej, nëna e 27-vjeçarit tregoi hapat që ndërmori për ta larguar të birin nga rruga e drogës: “E shtrova në spital ku ndenji 10 ditë, por pas një muaji gjendja ishte e njëjtë. Ka qenë një nga dramat më të këqia në familje. Kur nuk merrte dozën e heroinës bëhej agresiv e pasi e merrte dozën bëhej i dhimbshëm.”

“Mërzitet shumë, nuk ushqehet, nuk i flitet… Kur merr ilaçet normalizohet, por tani që po ia ulin dozën e mjekimit është sërish agresiv. Unë mundohem t’i flas, por ai nuk më duron më”, shton nëna.

“Bashkëshorti u sëmur që kur e mori vesh që merrte drogë. Nuk e përballoi dot. Kaloi paralizë cerebrale dhe vazhdon të jetë i sëmurë”, tregon gruaja, e cila burgun nuk e ka shikuar kurrë si mundësi rehabilitimi.

“Burgun nuk e kam menduar ndonjëherë. Shpresoj që mjekimet të bëjnë efekt. Këtë që më ka ndodhur mua nuk ia uroj asnjë nëne në botë”, përfundon nëna./tch/kohaislame