4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Si “ia bëj” me shaminë! – tregon vajza shqiptare që studion mjekësi

Më të lexuarat

Lisiana F. Demiraj

Koncepti i ‘modës’ qartësohet për shumë nga ne teksa në librin e matematikës së shkollës fillore ti mëson se ‘moda’ është numri që përsëritet më tepër në një varg. Dhe me siguri momente zhgënjyese të tilla ndezin përbrenda zjarre idealizmash për veçantinë. Të qënit i veçantë është koncepti i rradhës me të cilin të duhet të merresh gjatë për t’i qartësuar vehtes se si do të shpërfaqesh.

Në fakt kjo nuk do zor të madh se gjithsecili ka mënyrën e vet të të qënit, të qetësimit dhe të pranimit të vetes, saqe padashur je pashmangshëm i veçantë. Megjithatë unë me fanatizëm i qëndroj konceptit të veçantisë si masë kategorizimi dhe menjanimi nga e zakonshmja pa e bërë këtë të fundit më pak të veçantë në vetvehte. Kështu si shëmbull do sillja një kategori që e dua fort. Një skizofren.

Skizofrenia i ndodh statistikisht një njeriu në njëqind. Dhe pas kësaj ai konsiderohet një i sëmurë mendor që stigmatizohet, asocializohet, shtrohet, izolohet, -ohet, -ohet… Oh…mos dhëntë Zoti ta stigmatizoj edhe unë.

Por, të paktën, dhe s’ka dyshim në këtë, ai është në paqe të madhe. Janë të tjerët ata që nuk e pranojnë e që nuk gjejnë paqe.

Në fakt, ti mund të jesh dhe i shëndetshëm dhe të sigmatizohesh paq.

“Ke vënë shami?!” – ka qënë reagimi i parë (dhe se vë në dyshim tepër i sinqertë) që unë kam marrë ditën e parë që kam dalë në rrugë nga një shoqe që takova rastësisht ende pa arritur në destinacionin tim.

Sigurisht, nëse ajo s’kishte haluçinacione athere: Po, unë kisha mbuluar flokët.

Pra që nga ajo ditë unë jam kështu, jam këtu dhe: Kaq.

Por pikërisht këtu kur ti vendos ‘kaq’-in fillon e gjitha. Ndërkohë që ajo çka mundesh të bësh është të shohësh si në shfaqje reagimet, shqetësimet apo dhe agresivitetin e të tjerëve për paqen tënde dhe të habitesh ditë pas dite. Në fakt, ajo që të jepet është mundësia të dëgjosh pyetjet më naive, por ndonjëherë edhe më të liga të mundshme. Kështu, nga eksperienca ime e re, vetëm njëvjeçare, kam bërë një kategorizim të ri të njerëzve sipas mënyrës së përballjes dhe reagimit ndaj diçkaje me të cilën nuk janë të familjarizuar.

Këtu mund të them se ka një pyetje të cilës jam e paaftë ti përgjigjem çdo herë që më bëhet: ‘’Ti merresh me këta të fesë?” Në këto raste, pavarësisht të gjitha sforcove të mia mendore dhe fizike për të realizuar qoftë edhe një tingull të vetëm, vazhdimisht kam dështuar. Madje mendoj se ata nuk mund të ndihmohen as që të formulojnë një pyetje të saktë.

Një kategori tjetër, më tepër në modë, ka keqardhje për mua. Më thotë se jam shumë e re për të mbyllur jetën dhe ka gati të gjitha xhevapet, nëse ti mund të bësh ndonjë përpjekje për diskutimin solemn mbi parëndësinë e kësaj jete. Por një moment: Çfarë ndryshon të mbulosh flokët?

Me ç’jam përpjekur të kuptoj janë shumë koncepte që duhen reformuar dhe jo vetëm në shoqerinë jo-myslimane. Të mbulosh flokët nuk do të thotë të mbyllësh jetën për të fituar diçka tjetër, por përkundrazi, ta hapësh atë. Nuk do të thotë të izolohesh nga mospranimi, por ti bësh të tjerët të kuptojnë që mospranimi vjen nga frika e tyre për të pranuar atë që qëndron thellë-thellë në ndërgjegjen e tyre, fakti se kjo është ajo që duhet. Të mbulosh flokët nuk do të thotë të privohesh nga ajo që të ka dhënë Zoti, por të mundesh ta ndjesh që është jotja.

Por a është vështirë të jesh me shami në kohët e sotme?

Ç’të them? Të them se ta lehtëson Zoti e ta bën fushë me lule? Ka shumë muslimanë që e thonë këtë, por më shumë më ngjan si përgjigja se fëmija vjen në jetë nga lejleku, që u japin të vegjëlve kur duan të dinë mënyrën si janë krijuar.

– A nuk ke vapë? –ka qënë pyetja që më shoqëroi gjatë kësaj vere të stërzgjatur.

Kam. Sigurisht. Madje kjo është pyetje retorike. Por si t’ua thuash? E pse duhet disa prej nesh të shkojnë deri aty sa të përgjigjen se “ferri është më i nxehtë”. Oh, kam lexuar diku: “si do ishte besimi nëse nuk do kishte sistem shpërblimi?” Andaj, të flasim në koncepte më të përballueshme nga ata që ende nuk i kuptojnë drejt shumë gjëra.

Çështja e vapës është si të ftohtët e këmbëve me minifund në dimër, apo më thjesht akoma, si ajo e takave stërmunduese – për të cilat një miku im, kirurg vazash, bën tifozllëk të madh që të operojë sa më shumë variçe grash. Atëherë, si mundet një femër të mos arrijë ta kuptojë sesi unë mundem ta superoj vapën?!

Ose, le të themi se është si jetesa në një gjërësi gjeografike më të vogël ku temperaturat janë më të larta. Kështu kjo mund të kuptohet edhe nga meshkujt.

Gjithçka qendron tek ajo së cilës ti i atribuon qëllimet e tua. Të gjithë referohemi diku në mënyrë të pashmangshme. Atëherë, në këtë pashmangshmëri, pse të mos zgjedhim të vetmin referim që është jo relativ?

Megjithatë, me shpresën se do ua lehtësoja të tjerëve shqetësimiet (megjithëse nuk e kuptoj se përse shqetësohen për mua kur asgjë s’më ka gjetur), vendosa ti kënaq duke bërë disa kompromise. Ja, vura një shami të vogël e sa më të pranueshme. Por tashmë, në mënyrë të paparashikueshme, njoha një dimension tjetër të të menduarit: “Po ti pse nuk e vë sipas formatit të zakonshëm?”

Dhe në këtë pikë jam zënë vërtet ngushtë. Fillimisht ti nuk i përket një normaliteti duke vënë shaminë, por ama, në ‘anormalitetin’ tënd duhet të ketë një normë, ose ndryshe, një standard të anormales. Epo këtë s’ma rrokte më truri, andaj, definitivisht, hoqa dorë nga shqetësimi për të tjerët.

Por kategoritë e njerëzve nuk mabrojnë këtu. Ato janë nga më të larmishmet, duke nisur që nga ata për të cilët vendosja e shamisë nuk përbën asnjë ndryshim, e deri tek ata, që mendojnë se është bërë ‘nami’, se po ‘ia mbyll vetes mundësitë sociale’, etj.

Ka njerëz që më pyesin se ‘si ia bej’ ndërkohë që unë ende nuk e kam të qartë se cila është pjesa e ‘të bërit’. Unë bëj atë që bëjnë të gjithë. Nëse jetesa sot ka vështirësi, kjo vlen për të gjithë dhe është trik shumë i konsumuar ai i të fokusuarit të prozhektorit vetëm tek një kategori e caktuar individësh, duke ia atribuar vështirësinë një sjelljeje që fundja është zgjedhje personale. Jetojmë në një kohë ku perceptimet tona e kanë të gjithë terrenin e nevojshëm për tu ngjizur e formësuar. Nuk ka më kuptim të qëndrojmë për forcë zakoni peng i argumenteve me fuqi të venitur.

Për ta mbyllur, nuk tentoj ti mbush mëndjen kujt që të ndryshojë qëndrimin. Përkundrazi kam hequr dorë dhe as nuk besoj në thirjet me tendenca revolucionare. Me këtë doja vetëm tu thoja të gjitha atyre vajzave që kanë dëshirë të pafund të bëjnë këtë gjë, por që stepen nga frikëra të panumurta e legjenda urbane, që të çlirohen. Nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme po të mbulosh flokët, asgjë. Je prapë ti, me të njëjtat sprova, por që arrin ta ndjesh Krijuesin në mënyrën më intime të mundshme.

Autorja është studente në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe së shpejti diplomohet për psikiatri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit