6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Si e pashë Turqinë e re ose atë të tanishmen?

Më të lexuarat

Dr. Mustafa Cerić, reisu-l-ulema në BeH (1993 – 2012)

Tridhjetë vjet më parë e kam vizituar Turqinë me të ndjerin Salim Shabiq në cilësinë e kryeimamit të xhamisë së Zagrebit dhe u njoftova me kryetarin e atëhershëm të Dijanetit të Turqisë, Mustafa Yazıcıoğlu, i cili e ka mbajtur këtë detyrë më të lartë fetare në Turqi, nga viti 1987 deri në vitin 1992. Takimi ishte vëllazëror dhe miqësor me shumë emocione. Edhe pse ne nuk mund të komunikonim drejtpërdrejt me gjuhë, sepse unë nuk di turqisht, kurse ai flet pak arabisht, ne u kuptuam me shpirt përmes temës sonë të përbashkët për Imam el-Maturidiun. Në fakt, dr. Mustafa Yazicioglu, të cilin e shihja si Shejhul-Islam, ose të paktën si Kaimu mekām shejhul-Islam, ai ma dhuroi mua librin e tij për Imam El-Maturidiun, i cili ma dha mundësinë që t‘i tregoj atij, se unë pikërisht, për këtë temë kam doktoruar në Universitetin e Çikagos më 1986. Atij i erdhi mirë, e po ashtu edhe unë isha i kënaqur që po takohesha me alimin turk, njëherit personalitet i lartë i fesë islame, që merret me kelamin, teologjinë e Imam El-Maturidiut. Që atëherë unë e kam ndjekur, sa kam pasur mundësi, zhvillimin e mendimit islam në Turqi përmes takimeve zyrtare por edhe atyre private dhe, mbi të gjitha, me presidentët e Dijanetit nga Mehmet Nuri Yilmaz (1992-2003), Ali Bardakoglu (2003-2010) deri te Mehmed Gormezi (2010-2017), me të cilin isha më i afërt, bashkëpunova, por edhe nuk u pajtuam për disa çështje lidhur me Sanxhakun. Me Shejh Mehmed Görmezin isha më serbes, prej tij kam mësuar më së shumti për mendimin islam në Turqi, dhe nëpërmjet tij kam zhvilluar shpresën time për përtëritjen e institucionit të Shejhul-Islamit në Stamboll. Për këtë temë, me të kam biseduar më së shumti, ashtu që me rastin e njërës nga vizitat e mia zyrtare Dijanetit, si reisul-ulema i boshnjakëve, publikisht kam folur në konferencën për shtyp, se ne në Ballkan e presim përtrirjen e institucionit të Shejhul-Islamit në Stamboll. Mediat turke e kanë transmetuar atë në mënyrë masive, dhe në Turqi është zhvilluar diskutim i posaçëm për këtë, por asgjë nuk ndryshoi. Për më tepër, kur Haris Silajxhiq e mori detyrën e anëtarit të Kryesisë së shtetit boshnjak (2006-2010), e nisëm çështjen e nënshkrimit të kontratës së Bashkësisë islame me shtetin boshnjak sipas modelit të konkordatit, të cilin e kanë nënshkruar Kisha Katolike Romake dhe Kisha Ortodokse Serbe në Bosnje. U formua një komision i përbashkët me detyrë që të përgatisin tekstin e kontratës. Dhe kur u duk se të gjitha kushtet janë plotësuar për nënshkrim, u paraqit problemi i sponsorizuesit ose mbikëqyrësit të kontratës në emër të Bashkësisë Islame sipas modelit të Selisë së Shenjtë nga Vatikani, e cila nënshkroi në emër të Kishës Katolike Romake dhe Sinodit të Shenjtë nga Beogradi, i cili nënshkroi në emër të Kishës Ortodokse Serbe. Atëherë, më fort e ndjeva nevojën që muslimanët ta kenë institucionin e Shejhul-Islamit, siç e kanë pasur dikur në Stamboll. I udhëhequr nga kjo dëshirë, e thirra ambasadorin turk në Sarajevë Vefahan Oxhakun, me qëllim që ta njoftoj se Turqia, përkatësisht, Drejtoria e Dijanetit të Turqisë, është opsioni ynë për sponsorizimin ose mbikëqyrjen e kontratës së Bashkësisë Islame në BeH me shtetin boshnjak. Në një bisedë gati dy orë, ambasadori turk dëgjoi me kujdes dhe e shënoi argumentimin tim dhe premtoi se këtë do t’ia përcillte Ankarasë. Unë besoj se ambasadori turk Oxhak, këtë me të vërtetë ia ka përcjellë Ankarasë, por ne nuk morëm asnjë informatë kthyese në lidhje me këtë. Në pamundësi për të gjetur një sponsor ose mbikëqyrës, i cili do ta nënshkruante marrëveshjen me shtetin boshnjak në emër të Bashkësisë Islame, ajo kontratë atëherë nuk u nënshkrua dhe, më duket se, nuk ka asnjë shans që në kohën e duhur edhe të nënshkruhet. Ne nuk menduam për opsione të tjera, si Rabita – Lidhja Muslimane Botërore në Mekë dhe Koma – kryeqyteti shpirtëror i Iranit. Sepse, për opsionin e Rabitës, do të na akuzonin për vehabizëm, ndërsa për opsionin e Komës, do të akuzoheshim për Shiizëm.

Tajjip Rexhep Erdogan, Ahmet Davutoglu dhe shejh Mehmet Görmez

Vetëm atëherë e kuptova tërë peshën e mungesës së një institucioni global islamik në formën e Shejhul-Islamit për muslimanët në botë, të cilët jetojnë në periferi të shoqërive me shumicë muslimane. Dhe qysh atëherë, mua më preokupoi ideja për nevojën e rivendosjes së Shejhul-Islamit në Stamboll. Unë shpresoja se kjo do të ishte e mundur me Tajip Rexhep Erdoğanin, Ahmet Davudoğlun dhe Shejh Mehmed Görmezin. Dhe do të ishte e mundur kjo po mos të ishin pengesat, të cilat janë shtresuar për një shekull të tërë, duke filluar nga heqja e institucionit të Halifatit osman (halifi i fundit ishte Mehmedi VI (1918-1922), e me të edhe institucioni osman i Shejhul-Islamit.[1]) Shejhul-Iislami i fundit, i cili vlen të përmendet, në Stamboll (1919-1929) ishte Shejh Mustafa Sabri al-Taqūdī [2]) (vdiq më 1954), i cili së bashku me zëvendësin e tij Muhamed Zahid el-Kevtheriun (vdiq më 1952), u dëbuan nga Stambolli në Kajro [ndonëse nominalisht Shejhul-Islami i fundit ishte Mehmet Nuri Efendi (1920-1922)]. Në çdo takim timin me Shejh Mehmed Gormezin kurrë nuk e kam lëshuar rastin për t’ia kujtuar atij rëndësinë e përtëritjes së institucionit të Shejhul-Islamit në Stamboll. Unë kisha përshtypjen se ai po e kupton këtë, pasi që nuk më kundërshtonte, por heshtte, mirëpo asgjë nuk ndërmori. Në ndërkohë, mandati im si reis-ul-ulema përfundoi në vitin 2012, kurse më 2017 edhe mandati i tij. Para disa muajve Shejh Görmezi më vizitoi në shtëpi. Kjo ishte një mundësi për t’i përtërirë disa kujtime të përbashkëta. Këtyre ditëve, më saktësisht, 2-3 nëntor “Ilahijat fakultesi” (“Fakulteti teologjik”) në Universitetin Marmara në Stamboll organizoi një simpozium mbi Imam Maturidiun. Më befasoi këndshëm oferta për të qenë anëtar i Komitetit Shkencor për përgatitjen e simpoziumit dhe për të marrë pjesë aktivisht në simpozium. Me kënaqësi e pranova ofertën dhe iu përgjigja ftesës me punimin me titull: “Veçoria e Imam El-Maturidiut në aktivizimin e arsyes së shëndoshë duke ruajtur kuptimin e shpalljes së qartë”. Takimi i sërishëm me Shejh dr. Mustafa Yazicioglun pas tridhjetë vjetësh ishte prekës, si dhe takimi me Shejh Ali Bardagoklu, i cili në gusht të vitit 2009, mori pjesë në hapjen e xhamisë së rindërtuar në Fazlagiq kullë pranë Gackos, të cilën e patën djegur e më pas donin të na bindnin se vetë është djegur. Shejh Bardakoglu gjithashtu mori pjesë edhe në ngjarjen e veçantë në historinë e Bashkësisë Islame në BeH me rastin e 600 vjetorit të Islamit (“Umeti im”), të mbajtur në stadiumin Koshevo, më 28 korrik 2007.

Simpoziumin e hapi kryetari i komunës Umrānije, Hasan Xhan, i cili ishte krenarë që në tetor 2011, kishte hapur qendrën kulturore në Fojnicë. Dekani i “Ilahijat fakulteti”, Ali Kose, përveç që është nikoqir i mrekullueshëm, ai flet shkëlqyeshëm edhe anglisht, kështu që patëm mundësi të ndajmë mendime për shumë çështje. Natyrisht, biseduam kryesisht për situatën në Turqi dhe në përgjithësi për ummetin musliman. Unë u impresionova nga sinqeriteti dhe inteligjenca e dekanit Ali Kose. Nëpërmjet tij unë arrita të kuptoj se Turqia është ndryshuar në masë të madhe nga tridhjetë vjet më parë, sidomos Dijaneti i Turqisë, që në një masë të madhe ka merita Shejh Mehmed Gormezi, i cili edhe në pension nuk po pushon, por po nis projekte të reja shkencoro-reformiste islame. Rastësisht apo jo, Shejh Görmezi, gjatë kohës së mbajtjes së simpoziumit, të shtunën më 4 nëntor 2018, në Ankara e hapi “İslam Düşünce Enstitüsü” (İDE), (“Institutin për mendimin Islam”). Duke i ditur ambiciet dhe aftësitë e Shejh Gormezit, unë mendoj se ky projekt do të jetë i suksesshëm dhe, do të thoja, premtues në kuptimin e hapjes së diskutimit serioz mbi “Mendimin islam” në aspektin e teologjisë (kelamit), jurisprudencës (fikhut) dhe moralit (ahlak) në Islam. Natyrisht, e gjithë kjo me sfond të doktrinës teologjike hanefite-maturidite, të shkollës juridike hanefite- jusufite-shejbanije dhe të shkencës moralo-etike të imam Gazaliut.

Reisu-l-ulema (1993 – 2012) dr. Mustafa Cerić në simpoziumin për imamin Ebū Mensūr El-Māturīdiun në Stamboll

Dy ditë nuk ishin të mjaftueshme për tu përfshirë materiali voluminoz për imam-Maturidiun në fushën e kelamit dhe tefsirit, por ato ishin nxitje të mjaftueshme që të bindem se në Turqi kanë ndodhur ndryshime të mëdha në aspektin veprimtarisë shkencore hulumtuese islame. Këtë e argumentoj me dy fakte të rëndësishme, që është redaktimi dhe publikimi i veprave të rëndësishme nga të gjitha fushat e shkencave islame, si dhe mikpritja e shumë disidentëve nga bota arabe, të cilët me vete kanë sjellë në Turqi edhe frymën e aktivizmit që mund të jetë një freski e vërtetë për studentët e rinj, të cilët gjithnjë e më shumë po vijnë në Stamboll, në fakultetet teologjike turke. Por, ndoshta, njëra nga gjërat më të mëdha që kanë ndodhur është hapja e Turqisë ndaj universiteteve islamike-arabe, siç është Universiteti Al-Azhar në Kajro, diplomat e të cilit, deri kohët e fundit nuk ishin të njohura në Turqi. Turqia e sotme është e hapur për gjuhën arabe dhe kjo është me të vërtetë freskuese, të paktën për mua, që unë munda të komunikoj në gjuhën arabe me shumë dijetarë turq, duke përfshirë edhe nënkryetarin e komunës Umranije, zotëri Mesud Ozdemirin. Më parë ishte e rrallë që dikush të flet rrjedhshëm arabisht, madje edhe në mesin e drejtorëve të Dijanetit, që është pozicioni më i lartë për çështje islame në Turqi. Pra, nga Turqia u ktheva me shumë përshtypje, nga të cilat më të rëndësishme janë ato që sugjerojnë se Turqia po ndryshon dhe se udhëheqja e Turqisë nga Rexhep Tajip Erdogani ka sjellë ndryshime historike dhe kthesë të rëndësishme në lidhje me Islamin dhe muslimanët, jo vetëm në Turqi, por edhe në botë.

Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, Shqipëri, dëshmova ndërtimin e një prej xhamive më të mëdha në Ballkan në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe kjo është një nga veprat e Erdoganit, e cila do të dëshmojë për paraqitjen e tij historike në Turqi dhe në Ballkan. All-llahu e di më së miri se si gjërat do të vazhdojnë të ndodhin, por ajo që ne tani mund të shohim, duhet të pranohet se Rexhep Tajip Erdogani është një fenomen, për të cilin në të ardhmen do të flitet shumë më tepër se sa që po flitet sot. Gjithashtu, Shejh Mehmed Gormezi është një fenomen për të cilin do të flitet në të ardhmen. Më vjen keq që nuk arriti ta përtërij institucionin e “Shejhul-Islamit” në Stamboll, por shpresoj se me punën e tij në Institutin e sapoformuar të mendimit Islam këtë do ta meritojë, nëse jo zyrtarisht, atëherë si institucion nderi. Le ta kujtojmë, Sulltan Mehmed Fatihu në vitin 1451, inicoi institucionin e Myftiut të Madh, të cilin më vonë e fuqizoi sulltan Selimi i Parë, kurse Sulltan Sulejman Kanuni e ka ngritur në nivelin e lartë të administratës shtetërore osmane. Shejhul-Islami i parë në Perandorinë Osmane ka qenë Mulla Shemsuddin Fenari (1424-1430).

 

Burimi: Bosnjaci.net

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.info)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit