Si e inkurajon dhe mbështet media, luftën politike

0
16

Nga Kyle Jensen & Jack Selzer

Që nga inaugurimi i tij në detyrë, Presidenti Donald Trump i ka shpallur luftë shtypit amerikan duke hedhur poshtë raportet e pafavorshme si “lajme të rreme”, dhe duke i quajtur mediat si “armiku i popullit amerikan”. Në një kundër-lëvizje, gazeta “The Washington Post”, ka kontrolluar publikisht çdo deklaratë që Trump e ka etiketuar si të rremë.

Organizatat mediatike, mund të ndihen si palë të rrethuara në këtë “luftë”. Por, sikur edhe ato të kenë faj ashtu presidenti? Po sikur të fajësohen edhe lexuesit? Në një dorëshkrim të pabotuar të titulluar “Lufta e Fjalëve”, teoricieni i retorikës dhe kritiku i kulturës Keneth Burke, i etiketon mediat si agjentë të luftës politike.

Në “Luftën e Fjalëve”, Burke u bën thirrje lexuesve të njohin rolin që luajnë mediat në mbështetjen e polarizimit. Ai tregon se si tiparet në dukje të parrezikshme në një histori mediatike, mund të kompromentojnë vlerat që mund të kenë lexuesit.

Në vitin 1939 – pikërisht para se Adolf Hitleri të pushtonte Poloninë – Burke shkroi një ese me ndikim, “Retorika e betejës së Hitlerit”, në të cilën ai përshkroi se si Hitleri përdorte një gjuhë të “militarizuar” për të nxitur antipatinë ndaj hebrenjve, grabitur dhe dëbuar këta të fundit, dhe bashkuar gjermanët kundër një armiku të përbashkët.

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur udhëheqësit në SHBA kthyen vëmendjen e tyre ndaj Bashkimin Sovjetik, Burke pa disa paralele me Hitlerin, në mënyrën se ishte duke u militarizuar gjuha në SHBA. Ai shqetësohej se Shtetet e Bashkuara, po qëndronin në një gjendje të përhershme të kohës së luftës, dhe se “daullet” e retorikës opozitare drejtuar Bashkimit Sovjetik, po e bënin vendin të ndjeshëm ndaj rrëshqitjes në një luftë tjetër.

I shqetësuar nga ky skenar, ai botoi dy libra, “Një gramatikë motivesh” dhe “Një retorikë motivesh”, me të cilat ai synoi të distanconte amerikanët nga një lloj fjalimi politik, që sipas tij mund të çonte në një holokaust bërthamor. “Lufta e fjalëve”, duhej të ishte pjesë e “Një retoikë motivesh”.

Por në minutën e fundit, Burke vendosi ta linte mënjanë dhe ta publikonte atë më vonë. Mjerisht ai nuk e përfundoi asnjëherë, duke e botuar atë ashtu siç ishte pak para vdekjes së tij më 1993. Teza e “Luftës së fjalëve”, është e thjeshtë dhe sipas pikëpamjes sonë qëndron edhe sot:Lufta politike është kudo, e paepur dhe e pashmangshme.

Mbulimi i lajmeve dhe komentet shpesh janë të njëanshme, pavarësisht nëse këtë janë të vetëdijshëm apo jo gazetarët dhe lexuesit. Prandaj i gjithë mbulimi i medias, kërkon një shqyrtim të kujdesshëm. Për Burken, nuk keni nevojë të nisni mesazhe në mediat sociale, për

të marrë pjesë në ruajtjen e një mjedisi politik të polarizuar. Përkundrazi, edhe vetëm konsumi

i raportimit të lajmeve është i mjaftueshëm.

Shumica e njerëzve, mund të mendojnë se përmbajtja e mbulimit mediatik, është komponenti më bindës. Por sipas “Luftës së fjalëve”, i vërtetë është supozimi i kundërt:forma e një argumenti, është shpesh elementi më bindës i tij. Burke katalogon format e ndryshme, që përdorin gazetarët e lajmeve në punën e tyre, dhe i quan ato “pajisje retorike”.

Një mekanizëm që ai e quan “mendimi i titullit kryesor”, i cili i referohet se si titulli i një artikulli, mund të përcaktojë tonin dhe kornizën e çështjes që diskutohet. Merrni për shembull, një artikull të datës 21 gusht të “The Neë York Times” mbi atë se si akuza e Majkëll Kohen mund të ndikojë në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Titullin ishte:”Me implikimin e Trump nga Kohen, fati i presidencës varet nga Kongresi”.

Ditën tjetër, Times, publikoi një artikull tjetër mbi të njëjtën temë me titullin:”Republikanët kërkojnë që zyrtarët e zgjedhur, të ngrenë zërin për të folur kundër Trumpit”. Të dy titujt synojnë të sulmojnë Partinë Republikane. E para nënkupton që Partia Republikane, për shkak se ka shumicën në Kongres, është përgjegjëse për ruajtjen e drejtësisë. Titulli i dytë mund të duket më pak tendencioz se i pari.

Por mendoni mbi supozimin themelor:Republikanët po u bëjnë thirrje vetëm zyrtarëve të “zgjedhur” që të flasin kundër Trump. Pra direktiva nuk lind nga parimi politik. Përkundrazi, ajo bëhet që partia të ruajë shumicën e saj, dhe të mbrojë funksionarët e ngratë. Pretendimi i pashpallur në këtë titull, është se Partia Republikane i ekspozon virtytet e veta politike, vetëm kur është e nevojshme të zbehë kërcënimet ndaj pushtetit të saj.

Po si mund t’i mbijetohet “luftës së fjalëve”? “Imagjinoni një pasazh të ndërtuar rreth një grupi kundërshtish. Sapo ta kuptoni tendencën e formës, ju e shihni se ai fton pjesëmarrjen pavarësisht nga lënda … dhe do ta gjeni veten duke u lëkundur së bashku me suksesin e antitezave, edhe pse nuk mund të pajtoheni me propozimin që po paraqitet në këtë formë” shkruan Burke.

Burke e quan këtë fenomen “pritshmëri bashkëpunuese” – bashkëpunuese, pasi na inkurajon të ecim së bashku, dhe “pritshmëri”, për shkak të parashikueshmërisë së argumentit të secilës palë.

Kjo parashikueshmëri inkurajon lexuesit të përqafojnë një argument, pa e konsideruar nëse e gjen atë bindës.

Ata thjesht rreshtohen në njërën nga dy anët e kundërta, dhe vëzhgojnë. Sipas Burkes, nëse ju i lexoni lajmet pasivisht, ndarjet politike mund të forcohen më tej. Megjithatë, nëse jeni të ndërgjegjsshëm se si jeni duke i konsumuar raportimet e medias, do të zbuloni se po ndikoheni shumë lehtë, dhe mund të kërkoni më shumë burime alternative.

Burimi: The Conversation-Bota.al