10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

SI DUHET TA TRAJTOJMË NJËRI-TJETRIN

Më të lexuarat

Islami është ajo fe, që na mëson se si duhet të jenë marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Parimi më i rëndësishëm i saj, që duhet të zbatohet në këtë aspekt është të duam dhe të urrejmë për hir të Allahut. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Kushdo që do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, jep për hir të Allahut, dhe ndalon për hir të Allahut, vërtet ka përsosur besimin e tij.”

Ky është parimi më i rëndësishëm, me të cilin duhet të rregullojmë marrëdhëniet tona. Kjo siguron që marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë nuk janë të bazuara në interesat personale apo motive të tjera. Një musliman nuk duhet të mendojë: Çfarë mund të nxjerr (përfitoj) nga ai? Marrëdhënie të tilla të cekëta vazhdojnë vetëm aq kohë sa ka disa përfitime personale dhe vijnë në përfundim, kur këto interesa janë plotësuar, aty mbaron miqësia e tyre.

Nga ana tjetër, një marrëdhënie e bazuar në dashurinë për hir të Allahut është një marrëdhënie jetëgjatë, që kurrë nuk do t’i vijë fundi, as edhe me vdekje. Ajo do të vazhdojë përgjithmonë. Profeti, paqja qoftë për të, thotë: “… janë shtatë persona që do të jenë nën hijen e Allahut, atë Ditë që nuk do të ketë Hije tjetër përpos Hijes së Tij… dhe ai përmendi në mesin e tyre do të jenë edhe “dy burra të cilët duhen në emër të Allahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur gjer në ndarje (vdekje) “.

Ibën Haxheri në komentin e tij mbi këtë hadith e bën të qartë: “Edhe pse në këtë hadith përmenden burrat në formulimin e fjalisë, gratë janë me siguri të përfshira në kuptimin e tij.” Ka të drejta të shumta që njerëzit kanë mbi njëri-tjetrin. Këto të drejta na ndihmojnë të formojmë marrëdhëniet tona. Unë do të doja të përmend shkurtimisht tetë nga këto të drejta, që ne si muslimanë duhet të përpiqemi seriozisht për t’i vënë në praktikë në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Do t’i përforcoj këto tetë të drejta me shembuj praktikë nga jeta e paraardhësve tanë të devotshëm.

1. Është një e drejtë financiare që ne kemi mbi njëri tjetrin. Kushdo prej nesh ka detyrën e sigurimit të mbështetjes financiare për dikë që është në nevojë. Megjithatë ne nuk duhet ta dëmtojmë veten tonë për ta bërë këtë.
Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, na njofton se Allahu thotë: “Dashuria ime bëhet e detyrueshme për ata që u japin të tjerëve për hir Timin.” Jazid ibën Abdumalik tha: “Ndjehem i turpëruar para Allahut për t’i kërkuar Atij të hyj në Xhenet njëri nga vëllezërit e mi dhe pastaj të jem koprrac për t’i dhënë një monedhë ari ose argjendi.”

2. Ne duhet gjithashtu të sigurojmë ushqim dhe veshje për ata që kanë nevojë. Allahu e bekoftë Ebu Sulejman Daraniun që ka thënë: “Nëse në të gjithë jetën e kësaj bote kam një kafshatë ushqim, që është në dorën time, pastaj një vëlla ma kërkon atë, unë do të doja t’ia jepja atë kafshatë atij”.
Ai gjithashtu tha: “Unë mund të vendos një kafshatë ushqimi në gojën e vëllait tim për të gjetur shijen e saj në gojën time.”

3. Ne gjithashtu duhet të mbështesim njëri-tjetrin me përpjekjet dhe punën tonë fizike. Muhamed ibën Xhaferi tha: “Unë e bëj menjëherë atë që armiqtë e mi duan që unë ta bëj, sepse unë urrej që ata të jenë të pakënaqur me mua.” Nëse ky është rasti për armiqtë tanë, atëherë si duhet të sillemi me miqtë tanë?
4. Ne duhet të shprehim ndjenjat tona të vullnetit të mirë për të tjerët. Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjë prej jush e do dikë, le t’i tregojë se e do.” Është gjithashtu e drejtë për ne që të mbrojmë nderin e tjetrit, kur dikush përpiqet të flasë keq për ndonjë vëlla ose motër.
Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Kushdo që mbron nderin e vëllait të tij musliman, do të ketë një të drejtë prej Allahut për ta mbrojtur atë nga ferri në Ditën e Gjykimit.”

5. Ne duhet të falim dhe të justifikojmë gabimet dhe të metat e njëri-tjetrit. Këto gabime mund të jenë mangësi në fenë e një personi – dikush bën ndonjë mëkat – kështu që ajo se çfarë është e nevojshme prej nesh është këshilla e sinqertë. Ajo duhet të jetë dëshira jonë zjarrtë për t’u përpjekur dhe për ta udhëzuar vëllanë apo motrën tonë përsëri me atë që është e drejtë.
Tregohet nga jeta e paraardhësve tanë të devotshëm, se dy vëllezër në fe ishin shumë afër njëri-tjetrit dhe njëri prej tyre ra në mëkat. Njerëzit i propozuan njeriut të devotshëm të braktisë mikun e tij mëkatar. Ai refuzoi ta bëjë këtë dhe tha: “Ai ka nevojë për mua në këtë sprovë më shumë se sa ka pasur nevojë ndonjëherë më parë. Unë duhet ta ndihmoj atë dhe i lutem Allahut për ta kthyer në rrugën e duhur.”

Sa për ndonjë keqtrajtim, që ne mund të përjetojmë nga duart e dikujt tjetër, ne duhet ta harrojmë dhe të mos e ekzagjerojmë, dhe mos harroni se askush nuk është i përsosur, dhe ne nuk mund të presim nga dikush, që ai nuk do të na shfaqë sjellje të këqija në një kohë, ose në një tjetër.

6. Ne duhet të lutemi për të tjerët si gjatë jetës së tyre ashtu dhe pas vdekjes. Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Lutja e fshehtë e një muslimani për vëllanë e vet do të marrë përgjigje. Është një engjëll në kokën e tij, çdo herë që dikush bën lutje për vëllanë e vet, engjëlli thotë: “Amin, dhe të njëjtën gjë për ju.” (Sahih Muslim)
Ebu Derda ka thënë: “Unë lutem për shtatëdhjetë vëllezër të mi, kur bëj sexhde në namaz.”

7. Ne duhet të jemi besnikë në marrëdhëniet tona. Besnikëria jonë për njëri-tjetrin, është diçka që duhet të vazhdojë edhe pasi njëri vdes. Ne duhet t’i ruajmë kontaktet me fëmijët dhe të dashurit, që personi i vdekur ka lënë.
Dashuria juaj për atë person kishte si qëllim botën tjetër, kështu që nëse kjo dashuri pushon kur ai person vdes, atëherë ajo nuk ekzistonte në të vërtetë. Është thënë se një besnikëri pak pas vdekjes është shumë më e çmuar, se sa shumë besnikëri gjatë jetës.

8. Ne duhet të jemi të thjeshtë në marrëdhëniet tona me njerëzit dhe të mos presim shumë prej tyre. Nuk është mirë të bëhesh barrë për njerëzit dhe të jesh i vështirë ose i kushtueshëm për ta.
Imam Fudejli ka thënë: “Shpesh, kur njerëzit e braktisin njëri-tjetrin, kjo është për shkak të barrës që ata imponojnë mbi njëri-tjetrin.” Kur njerëzit merren lehtësisht (thjeshtësisht) me njëri-tjetrin, kjo rrit dashurinë që ekziston mes tyre.”

Allahu na ndihmoftë për t’i vënë në praktikë këto parime në jetën tonë, dhe që të na rrit dashurinë që ne ndjejmë për njëri-tjetrin për hir të Tij.

 

Marrë nga islamtoday.net
Përshtati nga anglishtja: Fitim NUHIU/albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit