11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

SI DEL SHPIRTI PAS VDEKJES ?

Më të lexuarat

Kur besimi në botën tjetër është i dobët, shumë gjëra nuk marrin kuptim prej kësaj jete. Padrejtësia më e madhe që mund t`i bësh besimit, është që ta kufizosh atë vetëm me këtë botë. Prandaj shumë gjëra besimtari i ndjen e i përjeton, por është shumë e vështirë t`ia shpjegojë dikujt tjetër llogjikisht, nëse tjetri nuk i beson botës tjetër.

Po flasim për një fushë, ku nuk mjaftojnë vetëm argumentet llogjike, por duhet t`i lutemi Zotit shumë, që të na e shtojë besimin në botën tjetër, ta përjetojmë botën tjetër para se ta shikojmë atë. T`i lutemi Zotit të na e bëjë të ëmbël edhe vdekjen e të na bëjë nga ata që i kuptojnë argumentet e Zotit mbi botën tjetër, sepse siç e thashë edhe më sipër, shpeshherë është e vështirë të perceptohen disa gjëra duke u bazuar vetëm mbi llogjikën e ftohtë.

Të gjithë e kemi dëgjuar frazën e rëndomtë “Kush ka ardhur nga bota tjetër, që të na tregojë se ekziston edhe një jetë tjetër përveç jetës që po jetojmë”, por njerëzit e bëjnë këtë pyetje.

Nëse gjejmë argument logjikë mbi botën tjetër, shpesh ato nuk mjaftojnë, sepse kur njeriu nuk i beson botës tjetër dhe nuk është i pregatitur për të, atij nuk ia mbushin mendjen argumentat llogjikë. Prandaj i lutemi Zotit që të na e forcojë besimin në botën tjetër e na bëftë nga ata njerëz, që bëjnë diçka për botën tjetër.

Kur njeriu bën mirë dhe pregatitet për botën tjetër, e ka shumë të lehtë ta besojë atë. Por kur njeriu nuk bën asgjë për atë botë, e ka shumë të vështirë ta besojë atë edhe sikur t`i sjellësh 1000 argumente.

Kemi folur për pragun e vdekjes dhe se çfarë bëjmë ne me atë që vdes, por ajo që ka më shumë rëndësi është, se ç`ndodh me atë që vdes. Vdekja është hapi i parë i botës tjetër.

Do të flasim këtu për shpirtin pas vdekjes dhe për jetën e varrit, duke iu lutur Zotit të na e lehtësojë të gjithëve vdekjen tonë.

Momenti i vdekjes është shumë i vështirë. Nëse ti e sheh atë që po vdes, ti nuk mund të ndjesh atë që ndjen ai që po vdes, sepse ai shikon ata që ti nuk i sheh dot. Ai është në prezencën e melekëve. Ku të të vijë rradha edhe ty për të vdekur, do t`i shohësh edhe ti. Por ky është nga momentet më të vështira. Këtë e tregon Zoti i gjithësisë.

Kur flasim për botën tjetër, llogjika hyn në pun deri diku, sa për të imagjinuar e për të bërë krahasime, por nuk përfshin gjithçka. Ajo është një botë me ligje të tjera, të cilën ne e besojmë por nuk dimë ta shpjegojmë, sepse nuk e kemi përjetuar. Kjo është pak a shumë si t`i kërkosh një fëmije në barkun e nënës, që të kuptojë botën, ku ai do të dalë. Ai do ta kishte shumë të vështirë këtë gjë, sepse jeton në një ambjent komplet tjetër. Po kështu ndodh edhe me ne, përsa i përket botës tjetër. Prandaj pika ku mbështetemi ne, përsa i përket besimit në botën tjetër, janë ajetet e Zotit dhe hadithet e profetit Muhamed (a.s).

Kur Zoti përshkruan momentin kur njeriut i del shpirti, Ai thotë: “Atëherë kur gjuri bashkohet me gjurin”, “..dhe kur vijnë grahmat e vdekjes, atëherë shikimi i njeriut është i mprehtë”. Dijetarët thonë se vdekja është si puna e perdes, që të ndan nga bota tjetër. Në momentin që dikujt i vjen vdekja, ajo perde hapet për atë person dhe njeriu sheh shumë gjëra. Po çfarë shikon ai?

Shikon engjëjt që ai nuk i ka parë më parë, shikon të ardhmen e tij. Mund të shikojë xhenetin apo xhehenemin. Janë momentet kur, siç thuhet, njeriut i kalon gjtihë jeta e tij përpara syve, me një shpejtësi të madhe. Këtë mund ta shpjegojnë edhe njerëz që nuk kanë vdekur. Ka njerëz që në momente të caktuara, p.sh: kur pësojnë aksident, apo kalojnë gjendje të fikti e kështu me rradhë, e shikojnë gjithë shiritin e jetës së tyre. Në pak sekonda iu kujtohen ngjarjet kryesore të jetës së tyre. Mënyra sesi ne e masim kohën ndryshon me mënyrën sesi matet ajo tek Zoti i botëve. Ty të duket se ke jetuar 70 apo 80 vite dhe mendon se ka kohë për pendim. Por kur Zoti të na pyesë në Ahiret se sa kemi jetur në këtë dynja, ne do të përgjigjemi: “Një ditë apo një pjesë të ditës”. Në fakt njerëzit nuk gënjejnë kur e thonë diçka të tillë, sepse shpejtësia me të cilën matet koha tek Allahu (xh.sh) ndryshon me shpejtësinë e kohës që masim ne. Në momentet e vdekjes njeriu bëhet pishman më shumë se çdo herë tjetër për gjithçka që ka kaluar. Atëherë do të thotë: “O Zot më kthe edhe njëherë mbrapa, që të bëj punë të mira, në atë që lashë”. Zoti thotë në lidhje me këtë: “Përkundrazi, kjo është thjesht një fjalë goje që ai e thotë”. Pas kësaj vjen jeta e varrit që ndan jetën e dynjasë nga jeta e Ahiretit. Është nga momentet më të vështira dhe kjo shpjegohet nga hadithi i profetit (a.s), i cili në pragun e vdekjes, fuste duart e tij në ujë të ftohtë, fërkonte fytyrën e tij dhe thoshte: “La ilahe il ALLAH, vdekja paska vështirësi”. Kjo ndodhte në mënyrë që profeti (a.s) ta marrë gjithë hakun e kësaj bote e të lartësohet sa më shumë tek Allahu (xh.sh). Ka vdekje të ndryshme. Nga ajo që shohim ne, nuk arrijmë ta gjykojmë nëse është nga banorët e xhenetit apo të zjarrit. E lusim Zotin të na e lehtësojë këtë moment, sepse aty nuk hyn në punë as llogjika, as shkathtësia e njeriut, por vetëm mëshira e Allahut (xh.sh).

Ia vlen të pyesim se ç`është vdekja? Këtë pyetje e kanë bërë bësimtarët, ateistët, filozofët, njerëzit e thjeshtë, shkencëtarët dhe ata që nuk e besojnë shkencën. Të gjithë e kanë bërë një pyetje të tillë. Ka njerëz që janë në momentet që po përcjellin të afërmin e tyre në botën tjetër dhe nuk e besojnë atë botë. Por gjtihësesi ata duan të dinë se ç`është vdekja.

Ka shpjegime të ndryshme. Shpjegimi i besimtarit ndryshon nga shpjegimi i atij që nuk beson në Zot.

Ai që nuk e beson Zotin, ta shpjegon jetën si kombinim reaksionesh biologjike e kimike dhe po kështu e shpjegon edhe vdekjen. Ai thotë: “Vdekja është përhapja e helmeve në trurin e njeriut, apo është ndalimi i trurit, i zemrës, i citoplazmës e kështu me rradhë”.

Ndërsa besimtari ka një përgjigje të ndryshme, sepse ai beson se edhe jeta është më ndryshe nga ç`mendon jobesimtari. Ne besojmë se jeta është një kombinim mes trupit dhe shpirtit. Kombinim nën mbikëqyrjen e Zotit. Ajo është një lidhje sekrete dhe ne nuk mund ta shpjegojmë dot se ç`është jeta realisht. Ajo është nga sekretet e Zotit. Po ashtu edhe vdekja është shkëputja e shpirtit nga trupi. Dijetarët  thonë: “Vdekja është shkëputje e përhershme përsa i përket kësaj bote i trupit nga shpirti”. Pse dijetarët insistojnë që ta përmendin fjalën TË PËRHERSHME?! Kjo bëhet sepse ka një shkëputje të përkohshme mes trupit dhe shpirtit që ndodh çdo ditë. Ajo ndodh kur njeriu fle gjumë. Ne besojmë se shpirti shkëputet nga trupi në momentet e gjumit, por duke qenë se shpirti nuk është materie që mund ta kontrollojmë me ligjet tona, ai ka atë aftësi që edhe shkëputet dhe shkon në botën e fshehtë, që akoma nuk e kemi parë, por është edhe afër trupit të njeriut. Prandaj zgjimi është bashkim i trupit me shpirtin. Prandaj dijetarët thonë: “Nëse do ta dish kur hyn shpirti tek fëmija në barkun e nënës, një nga shenjat më të forta për këtë është kur fëmija fillon e fle”. Kur e kupton se fëmija fillon të flejë, atëherë mendohet se është moment kur ka hyrë shpirti në trupin e njeriut. Ne besojmë se vdekja është shkëputje  totale e shpirtit nga trupi i njeriut. Shkëputja e përkohshme ishte gjumi. Kjo shpjegon se përse njeriu mund të përjetojë histori të tëra në ëndrra, për të cilat thuhet se më e gjata prej tyre zgjat 3 sekonda. Njeriu mund të hidhërohet apo mund të lumturohet pa fund, ndërkohë që realisht ai ka qëndruar në këtë gjendje vetëm 3 sekonda. Kjo është shpejtësia me të cilën lëviz shpirti. Ëndrrat që bëhen realitet, nuk janë gjë tjetër vetëm se udhëtim i shpirtit në botën e gajbit (të fshehtës) dhe sjellje e informacionit në tru. Ajo ngarje është shkruajtur tek Zoti. Në momentin që ndodh, ty të kujtohet se çfarë ke parë dhe kështu të del në realitet 100% ajo që ke ëndërruar. Kjo quhet ëndrra e mirë ose ëndrra e vërtetë. Por sa për dijeni, pjesën më të madhe të ëndrrave njeriu i shikon nga hallet e tij që ka në këtë dynja.

Kur njeriu vdes, trupi merr tjetër drejtim, shpirti merr një drejtim tjetër, por ajo që duhet theksuar është se shpirti nuk vdes. Ai që ne e quajmë fenomen të vdekjes është vdekja e trupit. Njerëzit gjithmonë i ka shqetësuar se çfarë ndodh në momentet që vdes njeriu, saqë kanë bërë eksperimente nga më të ndryshmet. Ka nga ata, të cilët kur e shikojnë se dikush po vdes, e vendosin atë në një peshore që e peshon njeriun me miligramë dhe mundohen ta masin peshën e njeriut në çdo sekondë. Ne e besojmë vdekjen dhe nuk kemi nevojë për këto argumente, por ata kanë sjellë si argument se kur dikush vdes, pesha e trupit të tij ulet. Ata thonë se diçka ka dalë nga trupi i njeriut, për arsye se pesha e tij bie.

Ka nga ata që kanë bërë kamera me rreze infra të kuqe dhe kanë parë diçka që del nga trupi i njeriut. Një pjesë e madhe e tyre nuk e besojnë se është shpirti, por e quajnë “sekreti i jetës”. Ne besojmë se ky është momenti që shpirti del nga trupi.

Ç`ësht shpirti për ne muslimanët?! Nuk ka përgjigje të prerë. Zoti thotë në Kuranin e Tij fisnik: “Të pyesin ty (o Muhamed) për shpirtin thuaju shpirti është nga çështjet e Zotit dhe juve u është dhnë shumë pak dituri”. Sado dituri që të kemi, përsëri ajo do të jetë pak në krahasim me të vërtetën e shpirtit. Esenca e shpirtit është nga sekretet e Allahut (xh.sh), sepse shpirti ka ardhur nga Allahu.

Disa dijetarë thoshin: “Shpirti është një formë drite, e cila largohet në momentin që vdes njeriu”. Disa të tjerë thoshin: “Shpirti është një formë fryme dhe kur njeriu vdes, ai lëshon një frymë dhe i mbeten sytë hapur”. Por pjesa më e madhe janë thjesht imagjinata njerëzore, sepse nuk kemi argument të qartë në këtë pikë. Disa të tjerë thonë se: “Shpirti për trupin është si puna e ujit për trëndafilin. Trëndafili është i freskët përderisa ka ujë. Në momentin që uji thahet, trëndafili vdes ”. Në realitet themi, se shpirti është nga sekretet e Zotit. Në momentin që ai shkëputet totalisht nga trupi i njeriut, atëherë vjen ajo që quhet fenomeni i vdekjes.

Shpirti ka disa lidhje me trupin e njeriut. Ajo që themi se: “Ne jemi gjallë”, është vetëm një prej këtyre lidhjeve. Dijetarët thonë se ka një botë që quhet Bota e Shpirtrave, të cilën e krijoi Zoti. Në atë kohë nuk ka pasur trupa. Ne kemi ekzistuar para se të vijmë në këtë botë. Ky është shpjegimi i ajetit kuranor, kur Zoti i foli krijesave të tij, pra shpirtrave të njerëzve: “A nuk jam Unë Zoti juaj”. Ata të gjithë njëzëri thanë: “Po, Ti O Allah je Zoti ynë”. Atëherë Allahu u thotë: “Kini kujdes kur të shkoni në botën tjetër (në dynja) mos e harroni këtë zotim që keni bërë”. Me kë ka folur Zoti këtu? Shumë dijetarë thonë, se Zoti ka folur me shpirtrat tanë dhe ne jemi krijuar si shpirtra të gjithë njëkohësisht, unë e ti, ata që kanë jetuar në këtë dynja përpara mijëra vitesh dhe ata që do të vijnë pas shumë kohësh në këtë botë. Kjo do të thotë se shpirti është krijuar para se ai të sillet në barkun e nënës. Prandaj ne nuk besojmë tek rimishërimi i shpirtrave, sipas të cilit shpirti kthehet edhe njëherë në botë dhe shpirti i njeriut të keq futet në një egërsirë dhe e shajnë gjithë jetën, kurse shpirti i njeriut të mirë bëhet pëllumb. Ne nuk i besojmë këto lloj gjërash, por besojmë që çdo njeri ka shpirtin e tij.

Kjo pra është bota e shpirtrave. Ne nuk mbajmë mend asgjë nga ajo botë përveç asaj që na ka treguar Zoti, por e besojmë një botë të tillë.

Një botë tjetër kur shpirti lidhet me trupin, është atëherë kur fëmija është në barkun e nënës. Para se të hyjë shpirti në trupin e fëmijës, ai bën jetë biologjike, por nuk është njeri, prandaj dijetarët kanë thënë se për arsye të caktuara është i lejueshëm abortimi, përderisa fëmijës nuk i ka hyrë shpirti. Shumica e dijetarëve thonë që shpirti hyn në trupin e fëmijës, atëherë kur nëna e tij është 4 muajshe shtatzënë, kurse disa të tjerë thonë që shpirt hyn tek fëmija në 40 ditëshin e parë të shtatzënisë. Ka një lidhje të caktuar mes shpirtit dhe trupit tek fëmija në barkun e nënës. Ne nuk e dimë atë por e besojmë.

Një lidhje tjetër që mund të kuptohet deri diku duke u bazuar në llogjikë, është jeta jonë, nga momenti që dalim nga barku i nënës e deri në vdekje. Gjatë jetës ka vetm shkëputje të përkohshme të shpirtit me trupin, që siç e thashë edhe më lart është periudha e gjumit. Shikoni urtësinë e profetit (a.s). Ai ka thënë: “Kur të bini për të fjetur, shtrihuni në krahun e djathtë dhe bëni duanë: “O Zot me emrin Tënd jetojmë dhe me emrin Tënd vdesim”. Ç`lidhje ka vdekja në gjumë? Gjumi është vdekja e vogël, pasi njeriu aty nuk e kontrollon veten. Kur zgjohemi themi duanë që na ka mësuar profeti (a.s): “Falenderimi i takon Allahut që na ngjalli pasi kishim vdekur dhe tek ai do të kthehemi”.

Lidhja tjetër mes shpirtit dhe trupit është jeta e varrit. Këtë do ta shpjegojmë pak më vonë.

Ka një lidhje tjetër, që është e pafundme e ajo është në Ahiret. Në Ahiret trupi ringjallet dhe bashkohet me shpirtin për të mos vdekur më asnjëherë, në lumturi të përhershme ose në dënim të përhershëm.

Profeti (a.s) e ka shpjeguar çështjen e njeriut pas vdekjes në një hadith shumë të gjatë dhe të bukur. Ai ka shpjeguar në detaje se çfarë ndodh me njeriun qoftë ai besimtar apo jobesimtar në momentet që dorëzon shpirtin e tij tek Allahu (xh.sh).

Sahabët tregojnë: “Teksa varrosëm një xhenaze, profeti (a.s) ishte brenda në varr dhe po bëhej gati të fuste kufomën. Ai filloi të qajë dhe tha tre herë: “Kërkoni mbrojtje tek Zoti nga dënimi i varrit”. Pastaj tha: “Kur besimtari është në pragun e largimit nga kjo botë, i vijnë atij melekët e Zotit me fytyra të qeshura e të gëzuara. I afrohen përpara syve dhe askush nuk i shikon përveç atij. Pas pak vjen meleku i vdekjes dhe i thotë: “O shpirt besimtari! Dil në mëshirën dhe kënaqësinë e Zotit tënd”. Në këto momente shpirti i njeriut del më lehtë se ç`del pika e ujit nga ena. Sapo del shpirti, melekët shoqërues e mbështjellin menjëhere me qefina nga qefinat e xhenetit dhe e parfumosin me parfum nga parfumet e xhenetit. Pas kësaj nisen për tek Zoti i gjithësisë. Trokasin në dyert e qiejve. Melekët që janë roje të dyerve të qiejve pyesin: “Shpirtin e kujt keni sjellë”? Ata përgjigjen: “Kemi sjellë shpirtin e filanit të birit të filanit”, duke e thërritur atë me emrat më të bukur, që ai njeri ka pasur dëshirë ta thërrasin. Atëherë melekët thonë: “Mirë se vjen o shpirt i pastër, shpirt besimtari dhe në shenjë respekti melekët roje e shoqërojnë deri në qiellin tjetër. Kështu vazhdon deerisa ata afrohen tek qielli i shtatë dhe pastaj Zoti thotë: “Kthejeni robin Tim në varr dhe shkruajeni emrin e tij tek libri i të nderuarve”. Pasi varroset kufoma, në çastin që largohemi, profeti na porosit që të bëjmë lutje për të vdekurin, sepse ai i degjon hapat tanë teksa largohemi.

Profeti (a.s) vazhdon: “Pastaj i vijnë atij dy melekë, Munker dhe Nekir, të cilët e ngrenë njeriun dhe e pyesin: “Cili është Zoti yt, cila është feja jote, cili është profeti yt”?

Dikush mund të pyesë: “Si mund ta ngrenë një person që ka vdekur”? E thashë edhe njëherë që llogjika nuk e shpjegon dot këtë gjë. Ne shohim një ëndërr dhe nuk arrijmë ta shpjegojmë dot. Po ashtu është edhe bota e varrit, e cila ka ligjet e saj.

Hadithi vazhdon: “Njeriu përgjigjet: “Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe profeti im është Muhamedi (a.s). Atëherë Zoti flet: “Shtrojeni varrin e robit Tim me shtroje prej xhenneti dhe hapni atij një dritare nga xheneti”. Pak më vonë i vjen atij një person i veshur me të bardha. Fytyra  i shkëlqen dhe i vjen erë e mirë. Njeriu e pyet: “Kush je ti”? Personi përgjigjet: “Unë jam puna jote e mirë. Gëzohu për çfarë vjen më pas”. Atëherë i vdekuri thotë: “O Zot bëje sa më parë Kijametin”.

Kur profeti (a.s) po i thoshte këto, i pranishëm aty ishte edhe Umeri (r.a). Profeti (a.s) i tha: “O Umer! Si do t`i përgjigjesh këtyre pyetjeve?” Umeri u përgjigj: “Unë do t`u them melekëve: “Ju më thoni kush është Zoti juaj, kush është feja juaj dhe kush është profeti juaj, sepse unë jam i sigurtë për këtë”. Atëherë profeti (a.s) qeshi.

Profeti (a.s) vazhdoi të tregonte përsëri: “Kur i vjen vdekja atij që nuk ka besuar në Zot, i afrohen melekët, të cilët të fusin frikën kur i shikon. Ata mbajnë me vete qefin nga zjarri dhe parfum nga zjarri i xhehenemit. Menjëherë afrohet meleku i vdekjes dhe i thotë: “O shpirt jobesimtari, dil tek zemërimi i Zotit Tënd”. Ky lloj shpirti kur shikon melekun e vdekjes dhe kur ndjen erën e zjarrit të xhehenemit nuk del, por futet thellë në trupin e njeriut. Atëherë melekët e tërheqin shpirtin e tij me disa çengela dhe e nxjerrin atë pjesë – pjesë, ashtu siç mund të shkëputet leshi i lagur nga ferrat. Melekët shoqërues e marrin shpirtin e këtij personi e qefinosin me qefinat e xhehenemit dhe e parfumosin me parfumet e zjarrit. Pastaj nisen për në qiell. Trokasin por melekët që ruajnë qiellin e parë pyesin: “Kush është ky”. Përgjigja vjen: “Është shpirti i filanit i biri i filanit”. Melekët thonë: “Ai person nuk mund të hyjë në dyert e qiellit”. Atëherë profeti (a.s) lexoi ajetin kuranor: “Nuk hapen për ta dyert e qiellit dhe nuk hyjnë në xhennet derisa të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës”. Atëherë Allahu (xh.sh) jep urdhër: “Shkruajeni robin Tim tek libri i të dënuarve, dhe kthejeni shpirtin e tij në varr”. Pastaj i vijnë atij dy melekët, që i bëjnë të njëjtat pyetje: “Cili është Zoti yt, cila është feja jote, cili është profeti yt”?  Ai nuk përgjigjet, por pas çdo pyetje thotë: “ah, nuk e di, nuk e di”. Atëherë Allahu (xh.sh) thotë: “Shtrojeni varrin e robit Tim me shtroje nga zjarri”. Varri i tij fillon e ngushtohet derisa atij i futen kockat tek njëra – tjetra. Pastaj i hapet një dritare nga zjarri i xhehennemit ku shikon vendin e tij në zjarr. Pak më vonë i vjen atij një burrë me rroba të zeza, me fytyrë të zezë, që i vjen erë e keqe. Njeriu pyet: “Kush je ti që më shqetëson”. Ai pëgjigjet: “Unë jam puna jote e keqe”. Pastaj i vdekuri thotë: “O Zot mos e bëj Kijametin”.

I lutemi Allahut (xh.sh) të na e lehtësojë vdekjen dhe atë që vjen pas saj.

Pas këtij hadithi që është shpjegimi i asaj që ndodh me shpirtin e njeriut pas vdekjes, unë kam zgjedhur disa çështje, të cilat i kanë përmendur dijatarët.

Pyetja të cilës dijetarët i kanë dhënë përgjigje është: “Cili e përjeton dënimin në varr, shpirti apo trupi”?  Disa dijetarë kanë thënë: “Trupi ka vdekur, prandaj dënimin e përjeton shpirti. Këtë e krahasojnë me ëndrrën. Kur ëndrra është e gëzueshme, në fakt është shpirti ai që gëzohet dhe lumturohet, kurse trupi nuk ndryshon. Po ashtu edhe kur ëndrra ështe e tmerrshme, fjala bie mund të të kenë qëlluar me thikë, apo mund të të kenë bërë tortura të ndryshme në ëndërr. Në këtë rast është shpirti ai që vuan pasojat dhe jo trupi, sepse kur ti zgjohesh, nuk ke as shenja goditjesh e as torturash.

Por pjesa më e madhe e dijetarëve thonë: “Ai që përjeton dënimin e varrit është shpirti bashkë me trupin”. Kjo bëhet me format dhe ligjet e botës së varrit. Njeriu e përjeton dënimin edhe sikur kufoma e tij të jetë mbytur edhe sikur ta kenë ngrënë egërsirat apo të jetë bërë 100 copash, çdo pjesë përjeton dënimin e saj.

Pyetja tjetër është: “Ku qëndron shpirti pas vdekjes?”  Një pjesë thonë që shpirti pas vdekjes qëndron në varr dhe nuk lëviz. Një pjesë tjetër kanë thënë se shpirtrat e besimtarëve qëndrojnë tek porta e xhenetit. Disa dijetarë të tjerë kanë thënë se shpirti i besimtarëve është në barqet e zogjve të xhenetit. Disa të tjerë thonë se shpirtrat janë të lirë dhe lëvizin ku të duan. Një pjesë dijetarësh kanë thënë: “Shpirtrat e besimtarëve qëndrojnë në krahun e djathtë të Ademit (a.s), kurse shpirtrat e jobesimtarëve qëndrojnë në krahun e majtë të Ademit (a.s)”. Pra ka përgjigje të ndryshme, por ndoshta përgjigja më e saktë është: “Çdo shpirt ka vendin e tij. Nëse ai ka qenë shpirti i një besimtari, ai është në nivelet më të larta. Ka nga ata shpirtra që janë në varr. Ka nga ata që shëtisin në xhenet. Ka nga ata që dënohen në varr”. Si fjalë të fundit themi që shpirti është nën urdhrat e Zotit.

Pyetja tjetër është: “A e dëgjon i vdekuri të gjallin”? Dijetarët thonë: “PO! Ka momente, që i vdekuri e dëgjon të gjallin”. Prandaj profeti (a.s) na mësoi që kur të shkojmë në varreza të themi: “Es selamu alejkum o banorë të varrezave”. A i jepet selam dikujt që nuk ta kthen përgjigjen?! Natyrisht që jo. Në betejën e Bedrit profeti (a.s) i mblodhi kufomat e jobesimtarëve, i futi në një gropë dhe pastaj u tha: “O ju të vrarë të Bedrit! Ne jemi të bindur në premtimin e Zotit. Po ju a e gjetët premtimin e Zotit”? Aliu (r.a) i tha: “O profet i Zotit a po u flet kufomave”? Atëherë profeti (a.s) tha: “Betohem në Zot, se ti nuk dëgjon më shumë sesa ata, vetëm se ata nuk mund ta kthejnë përgjigjen”. Kjo tregon se të vdekurit dëgjojnë selamin e të gjallëve, apo diçka tjetër që do Allahu (xh.sh), por nuk mund të themi se ata dëgjojnë gjithçka.

Po ashtu njerëzit  pyesin: “A bashkohen shpirtrat e të vdekurve me njëri – tjetrin”. Dijetarët thonë: “Po, takohen ata shpirtra që janë të shpëtuar. Ndërsa shpirtrat që dënohen janë në hallet e tyre dhe nuk e kanë mendjen tek takimi me të tjerët.

Shtrohet një pyetje tjetër: “A ka mundësi të takohet shpirti i të gjallit me shpirtin e të vdekurit”? Për këtë fushë ka pasur shumë ekzagjerime dhe përralla, por parimisht themi kështu: “Kjo është e mundur të ndodhë gjatë gjumit dhe për këtë ka shumë argumente”. Njerëzit përdorin fantazi nga më të ndryshmet. Ka njerëz që pretendojnë se thërrasin shpirtrat, flasin me ta, apo i thonë dikujt se sonte do të të sjell shpirtin e babait që të ka vdekur, apo të ndonjë personi të afërm që ka ndërruar jetë. Këto janë mashtrime, sepse nëse dikush iu flet atyre, ato nuk janë shpirtrat e të afërmve të tyre, por janë xhindët që I kanë shoqëruar këta të vdekur dhe tregojnë për historitë e këtyre njerëzve, për hallet dhe problemet që kanë pasur në këtë jetë.

Duke mos pasur dituri, disa njerëz bëjnë gabim duke thënë për dikë që ka vdekur, se ai po dënohet. Mund ta themi këtë gjë, por realisht ne nuk mund ta dimë se çfarë ndodh me atë njeri 1 metër nën tokë, pasi nuk e shikojmë nëse ai njeri po dënohet apo jo. Këtë mund ta thotë vetëm profeti i Zotit, të cilit ia tregon Zoti të fshehtën. Nëse do ta shikonim se çfarë ndodh me njerëzit pas vdekjes, bota e sprovës nuk do të kishte kuptim. Po të dinte dhe të kuptonte njeriu se çfarë ndodh në jetën e varrit, nuk do t`i varroste njerëzit e tij. Ka hadithe që na tregojnë, se ka krijesa që dëgjojnë se çfarë ndodh në botën e varrit. Nga këto krijesa janë kuajt dhe qentë. Mund të ketë edhe krijesa të tjera, në përgjithësi kafshë dhe sipas hadithit të profeti (a.s) ato shikojnë krijesa të tjera, që njeriu nuk mund t`i shikojë. Edhe shkenca është munduar të vërtetojë se kafshët kanë disa aftësi të ndryshme shikimi dhe dëgjimi, të cilat nuk i kanë njerëzit.

Desha të prek edhe dy pika të fundit:

1-Ka disa gjëra që e lehtësojnë dënimin e varrit. Çdo njeri sprovohet në varr. Aishja (r.a) u habit kur e dëgjoi këtë dhe e pyeti profetin (a.s): “Po si ka mundësi të sprovohemi në varr? Ne jemi besimtarë”. Profeti (a.s) i tha: “Sprova është tjetër, kurse dënimi është tjetër”. Nga gjërat që të lehtësojnë në varr janë disa punë që ke bërë në këtë dynja. Ato punë janë: Një dituri që e ke lënë mbrapa. I ke mësuar dikujt shehadetin, Fatihanë, një punë të mirë, namazin etj. Sa herë që ai njeri e bën këtë punë edhe ty të vjen sevapi i punës së tij.

Po ashtu nga punët që bën njeriu dhe e merr shpërblimin edhe duke qenë në varr, është sadakaja rrjedhëse. Kjo ndodh, kur ti ke bërë një sadaka që vazhdon edhe pasi ti vdes. Mund të kesh mbështetur një jetim, ke ndërtuar një xhami, një rrugë e kështu me rradhë. Sa për ta ditur, qëllimi kryesor i muslimanëve që kanë lënë vakëfe, ka qenë që të marrin shpërblimin e kësaj pune edhe pas vdekjes. Shembull tipik për këtë është fakulteti i Ez-herit në Egjipt, nga ku kanë dalë breza të tërë dijetarësh e nxënësish të fesë. Sevapet e tyre i shkojnë edhe atij që e ka lënë si vakëf këtë vend.

Nga punët që të ndihmojnë në varr është edhe duaja (lutja) e fëmijës tënd për ty. Kjo ndodh, kur ti ke lënë një fëmijë të mirë e të devotshëm, që nuk të harron edhe pasi ke vdekur.

Por ka edhe disa punë të tjera, që nuk i ke bërë ti, por që shpërblimi i tyre të vjen edhe ty në varr. Nga këto mund të përmendim rastin kur të gjallët luten për të vdekurin. Kur i vdekuri shikon që vendi i tij po lartësohet thotë: “O Zot ç`po ndodh me mua”? Allahu (xh.sh) i përgjigjet: “Njerëzit po luten për ty”. Punë tjetër është kur dikush bën sadaka me nijet për të vdekurin. Shpërblimi i kësaj sadakaje i shkon njeriut, për të cilin është bërë nijeti. Po ashtu përmendim leximin e Kuranit, sidomos kur e bën i afërmi për të afërmin  e tij. Punë tjetër për të cilën merr sevap i vdekuri, është haxhi që bën dikush por me nijetin e të vdekurit. Po ashtu i vdekuri shpërblehet edhe atëherë kur dikush nga të gjallët i shlyen atij një borxh që ia ka pasur dikujt.

2-Ka edhe disa shkaqe, për të cilat njeriu dënohet në varr. Ka shumë shkaqe, por nga kryesoret, të cilat i ka përmendur edhe profeti (a.s) janë thashethemet. Profeti (a.s) bashkë me shokët e tij kaluan afër dy varreve që sapo ishin rregulluar dhe profeti (a.s) mori një shkop të njomë, e ndau më dysh dhe e vendosi tek koka e secilit varr. Pastaj tha: “Shpresoj që Zoti t`ua fali gjynahet derisa këta shkopinj të thahen. Këta njerëz nuk bënin ndonjë gjynah të madh. I pari bënte thashetheme lart e poshtë, kurse i dyti nuk pastrohej kur kryente nevojat e tij personale”. Po ashtu shkak që njeriu të dënohet në varr është edhe atëherë kur ai nuk fshihet nga njerëzit, gjatë kohës që kryen nevojat e tij personale. Shkak tjetër për dënimin në varr janë imoraliteti dhe kamata.

Nëse njeriu do që ta kuptojë botën tjetër vetëm me rregull matematik që 1+1=2, atëherë problemi aty fillon dhe aty do të mbetet. Kur njeriu e përjeton botën tjetër, qysh nga kjo botë, shumë gjëra i ka të lehta për t`i kuptuar. Zoti na e forcoftë besimin në botën tjetër.

E lus Allahun (xh.sh) të na e shtojë diturinë për botën tjetër, por mbi të gjitha të na shtojë besimin në botën tjetër.  E lus Zotin, që shpirtin ta dorëzojmë tek mëshira e Tij dhe Ai na gjykoftë pas vdekjes përsëri me mëshirën e Tij të pafundme.

A M I N

Mr. Ferid Piku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit