14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

SI DASHUROJNË BURRAT DHE SI DASHUROJNË GRATË?

Më të lexuarat

SI DASHUROJNË BURRAT DHE SI DASHUROJNË GRATË?

Baza e marrëdhënieve bashkëshortore është raporti i tyre në dashuri dhe mëshirë sikur që e sqaron këtë Allahu subhanehu ve teala në Librin e Tij Famëlartë duke thënë: “…dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë.” [Rrum, 21]

Dashuria dhe mëshira janë raporte të ndërsjella të çiftëzuara mes lidhjes sentimentale dhe të natyrshme përmes dashurisë në njëren anë, dhe të lidhjes fizike (trupore) në anën tjetër.
Meqë lidhja sentimentale është baza e parë e lidhjes bashkëshortore, ngase ka një ndikim të madh në vazhdimin dhe qetësinë e kësaj jete bashkëshortore, përveç kënaqësisë që përjetohet në këtë jetë, dhe ka një rol domethënës në lumturinë bashkëshortore, patjetër duhet të dish si dashurojnë burrat dhe si dashurojnë gratë!
Përderisa mashkulli është ndryshe nga femra, sikur që thotë edhe Allahu në Kur’an: “Nuk është mashkulli njësoj si femra.” [Ali Imran, 36], atëherë mashkulli dallon nga femra në çdo send, qoftë në aspektin fiziologjik (përbërja trupore) apo në aspektin psikologjik e shpirtëror.

Cilësitë shpirtërore të femrës dhe të mashkullit lidhur me martesën
Disa i krahasojnë ndjenjat shpirtërore të femrës me valët e detit, ku ndjenjat dhe emocionet e saj ngriten dukshëm kur ajo është e hareshme dhe e gëzuar, si dhe hetohet rënia e tyre kur ajo është e shqetësuar dhe e humb besimin në veten e saj, nuk provon që ndjenjat e saj të ngriten përsëri. Ndodh me të si me valët e detit që janë të paqëndrueshme dhe lëvizëse.
Kur të ngriten ndjenjat e femrës dhe të forcohet besimi në veten e saj, ajo bëhetë burim i pashtershëm i dashurisë, sakrificës, mirëkuptimit dhe butësisë ndaj të tjerëve, e veçanërisht ndaj burrit të saj. Por kur ulen valët e saj dhe ajo ndienë një lloj pikëllimi, përjeton një boshllëk të madh brenda vetes, andaj ka nevojë për dashuri dhe përkujdesje nga të tjerët, e sidomos nga burri i saj.
Disa të tjerë e krahasojnë rënien e ndjenjave të femrës dhe të emocioneve të saj me zbritjen e saj në një pus të thellë e të errët, por ajo pasi që të arrijë në fund të pusit nuk qëndron duarkryq, sidomos kur e di se ka kush e dashuron dhe e dëshiron atë, andaj përpiqet me tërë forcën që të ngjitet lart, të dalë nga pusi dhe të kthehet përsëri në jetën e mëhershme ku ishte burim fisnik i dashurisë dhe përkujdesit ndaj atyre që janë përreth saj, e veçanërisht ndaj burrit të saj.
Atëherë, nisur nga kjo që pamë, si duhet të sillet burri me ndryshimin e valëve të gruas?
Jeta është e përmbushur me ndryshime të shumta, sidomos në jetën bashkërshortore, andaj burri duhet të kuptojë këtë realitet dhe të dijë të veprojë në këtë aspekt, në ngritjen dhe uljen e ndjenjave të gruas, zbritjen e saj në pus dhe ngritjen e saj nga aty. Kjo nuk është nga gjestet e saj, por është natyrë dhe karakter me të cilin e ka krijuar Allahu, për këtë duhet të veprohet me të ashtu çfarë është. Është gabim, në të cilin burri shpesh bie në të, që ta pengojë gruan e tij nga ndryshimi i ndjenjave dhe nga temperamenti i saj, apo të përpiqet që ta nxjerrë atë nga ai pus i thellë. Sepse kur gruaja të zbresë në atë pus, ajo nuk ka nevojë për dikë që ta nxjerrë nga aty, por ka nevojë të kuptojë dhe të ndiejë se burri i saj i qëndron pranë, e do dhe kujdeset për të. Ka nevojë të dëgjojë nga ai (burri i saj) fjalë që shfaqin interesimin dhe kujdesin për të, të sillet me të ngrohtësisht me dashuri dhe zemërgjerësi.
Pra zbritja në pus është çështje e natyrshme si ndërrimi i kohës dhe rrotullimi i valëve, andaj është një rast për burrin që të qëndrojë pranë gruas së tij duke ia ofruar parezervë ndihmën, përkrahjen, dashurinë dhe ndjenjat që ka ndaj saj.
Prej cilësive shpirtërore të burrit përgjithësisht është se ai kur të shqetësohet apo ka ndonjë problem, nuk flet në mënyrë që të mos largohet nga preokupimi i tij. Në vend që t’ia tregojë dikujt problemet, apo t’ia shfaqë shqetësimin e tij, rri i heshtur dhe izolohet nga njerëzit duke u ngujuar në “shpellë” që të mendojë për zgjidhjen më të përshtatshme të problemeve. Kur të gjejë zgjidhjen e problemeve del nga izolomi i tij, nga “shpella”, dhe është njeriu më i gëzuar dhe më i lumtur.
Nëse nuk mund të gjejë ndonjë zgjidhje të përshtatshme, përpiqet t’i bëjë disa punë që t’ia largojnë apo i ndihmojnë t’i harrojë këto probleme si leximi i gazetës, loja etj. Andaj gruas në këtë rast i takon që të kuptojë këtë situatë dhe mos ta marrë largimin e burrit nga ajo si shenjë të mosdashurisë dhe të moskujdesit, por ta kuptojë se këtu ekziston një problem tjetër.
Kur e përmendëm gruan se ajo në dashuri dhe në ndjenja është sikur valët e detit, poashtu edhe burri në marrëdhëniet e tij me gruan ka një karakteristikë të veçantë dhe dallon nga gruaja, ngase i afrohet shumë gruas, pastaj largohet pa ndonjë arsye, më pas i afrohet përsëri.
Gruaja shpesh mund të befasohet kur vëren se burri i saj i largohet për një çast edhe pse është e bindur se ai e do shumë dhe e respekton. Për këtë duhet ta dijë se burri nuk e bën këtë me qëllim apo me ndonjë paramendim, por është një cilësi e përhershme e tij, është natyrshmëri e tij në të cilën e ka krijuar Allahu.
Prandaj çdonjëri duhet ta dijë se dashuria e burrit është sikur hëna, shkon dhe vjen, ndërsa dashuria e gruas është sikur valët e detit, në ngritje dhe ulje. Gruaja zbret në pus, burri kur ballafaqohet me probleme hyn në shpellë, këto gjëra janë të krijuara kështu nga Allahu, e ka krijuar mashkullin dhe femrën me këto temperamente, andaj nuk ka mundësi që ato të ndërrohen, por patjetër duhet t’i trajtojmë dhe veprojmë me to ashtu si janë.

Nevojat sentimentale për burrin dhe gruan

Gjithsesi duhet ta dijnë burri dhe gruaja se nevojat sentimentale për çdonjërin prej tyre ndryshojnë. Është gabim që burri t’ia shfaqë ndjenjat dhe dashurinë e tij gruas së vet në mënyrën që ky e pëlqen dhe e zgjedh, e jo në mënyrën si e dëshiron ajo, dhe anasjelltas. Sepse çdonjëri prej tyre ka metodë dhe mënyrë të veçantë.
Për shembull burri ka nevojë për një dashuri që ka besim në të dhe e pranon atë ashtu si është. Një dashuri që shpreh admirim për përpjekjet e tij dhe e çmon atë që bën.
Ndërsa gruaja ka nevojë për një dashuri që tregon kujdes për të, interesohet dhe e dëgjon, i ka parasysh ndjenjat e saj, të cilat i kupton, vlerëson dhe i respekton.


Mund t’i cekim disa nga këto nevoja si vijon:

1.Besimi i gruas në burrin – Kujdesi i burrit për gruan;
Kur gruaja beson në mundësitë e burrit të saj, burri më me dëshirë dhe më tepër i kushtohet kujdesit dhe shërbimit të gruas.
Poashtu edhe burri kur kujdeset për gruan e tij, gruaja më shumë dhe më bindshëm beson në të dhe në mundësitë e tij.

2.Pranimi i gruas burrin – Mirëkuptimi i burrit për gruan;

Burri ka nevojë të kuptojë se gruaja e tij e pranon atë ashtu si është, pa u përpjekur që ta ndërrojë atë, dhe t’ia lëjë atij vetë çështjen e rregullimit dhe zbukurimit, nëse ka nevojë.
Gruaja ka nevojë të kuptojë se burri i saj e dëgjon dhe e kupton, e ka parasysh atë, ndjenjat dhe emocionet e saj. Çdonjëri prej këtyre dy faktorëve, pranimi i gruas burrin dhe mirëkuptimi i burrit për gruan, ka një rol të veçantë. Kur gruaja e pranon burrin e saj, burri është edhe më i gatshëm që ta dëgjojë dhe ta kuptojë. Kur burri e dëgjon gruan, gruaja edhe më shumë e pranon, e kështu me radhë.

3.Ta çmojë gruaja burrin – Ta respektojë burri gruan;

Burri ka nevojë të kuptojë se gruaja e tij e çmon angazhimin e tij për atë që bën dhe tërë atë që ia ofron asaj në mënyrë që ta bëjë të lumtur.
Gruaja ka nevojë të kuptojë se burri i saj e respekton atë, ku i kushton rëndësi e kujdes ndjenjave të saj, nevojave, dëshirave dhe synimeve të saj, dhe përmes të të përmendurit të disa momenteve të rëndësishme për të, si dhe bërja e disa gjesteve që tregojnë kujdesin ndaj saj si dhurata, buqetë lulesh etj.


4.Admirimi i gruas ndaj burrit – Përkushtimi i përzemërt i burrit ndaj gruas;

Burri ka nevojë të ndiejë se gruaja e vet e admiron atë, dhe sa herë që burri e heton këtë, edhe më tepër i përkushtohet përzemërsisht gruas në shërbim dhe kujdes ndaj saj.
Ndërsa gruaja ka nevojë të ndiejë se burri i përkushtohet asaj në shërbim dhe ia kushton veten kujdesit ndaj gruas dhe mbrojtjes së saj. Kjo bën që ajo edhe më tepër ta admirojë burrin e saj, e sidomos kur e di se ajo është numër një në jetën e tij.

5.Gruaja ta inkurajojë burrin – Burri ta qetësojë gruan;

Burri ka nevojë për inkurajimin e gruas, i cili i jep motiv të fortë që të bëjë edhe më shumë sakrifica e përpjekeje.
Ndërsa gruaja ka nevojë vazhdimisht për qetësimin dhe sigurimin e saj nga burri, e cila bëhet me shprehjen e kujdesit, mirëkuptimit dhe respektit ndaj saj, me pranimin e ndjenjave të saj dhe përkushtimit të tij në dashurinë dhe kujdesin ndaj saj.

Si vlerësohen çastet (pikët) nga të dy gjinitë?

Me rëndësi është që çdonjëri, si burri ashtu dhe gruaja, të dinë të vlerësojnë momentet dhe pikët e tjetrit. Burri zakonisht paramendon se ai realizon më shumë pikë dhe fiton më shumë respekt nga shoku i jetës nëse i ofron asaj diçka të madhe, si p.sh. t’ia blejë ndonjë byzylyk të arit, ose nëse ia siguron të gjitha gjërat e duhura për shkollë që kanë nevojë fëmijët etj.
Ndërsa gruaja vlerëson ndryshe, sasia dhe karakteri i dhuratave të dashurisë nuk kanë edhe shumë rëndësi për të, ku çdo dhuratë vlerësohet me nga një pikë. Mënyra e vlerësimit te gruaja nuk është thjeshtë një proces i favorizuar, por është një nevojë reale që ajo të ndiejë dashurinë në raport me të.
Pra, sa i përket gruas nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa ndjenjat, andaj çdo burrë që dëshiron ta bëjë gruan e tij të lumtur duhet të dijë se si të veprojë me ndjenjat e saj.
Burri që e ofendon gruan e tij para njerëzve, para familjes së tij, para fëmijëve të saj, me të vërtetë ai është njeri i pa ndjenja.

Marrë nga: www.islammemo.cc

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit