Si çmontohet një bombë bërthamore

0
47

Nga Benjamin Plackett

Sipas shkencëtarëve, sot në botë ka mjaftueshëm armë bërthamore, të cilat mund të shkaktojnë një Armagedon atomik. Sipas tyre, asnjë vend nuk mund të lëshojë më shumë se 100 bomba bërthamore, pa shkaktuar shkatërrime të tilla, që do të vrasin edhe qytetarët e tij.

Shumica e shteteve bërthamore, të njohura nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur të reduktojnë arsenalet e tyre. Kina është një përjashtim i dukshëm.

Numri i saktë i armëve bërthamore që zotëron ajo është i panjohur, por shumë analistë thonë se arsenali i Pekinit po rritet dalëngadalë. Nga ana tjetër Koreja e Veriut, edhe pse është shumë e vështirë të parashikohet, mund të reduktojë sërish programin bërthamor, nëse vazhdon afrimi diplomatik me Perëndimin.

Negociatat mbi çarmatimin bërthamor, janë politikisht shumë të ndërlikuara. Por, kur arrihen marrëveshje, shkencëtarët dhe inxhinierët, mund të ofrojnë një shumëllojshmëri mjetesh për të zhdukur disa prej armëve më vdekjeprurëse të njerëzimit, dhe për të ruajtur ose përpunuar materialin e rrezikshëm bërthamor.

Është një procedurë e gjatë dhe e ndërlikuar, por ekspertët thonë se ia vlen. Shpërbërja e një arme bërthamor është një proces i koordinuar, që përfshin politikanët, shkencëtarët dhe inxhinierët, që punojnë së bashku. Gjithçka, nis me skicat që kanë përdorur dikur projektuesit për të ndërtuar armën.

“Është njëlloj si me çdo makineri tjetër”- shpjegon Robert Rozner, kryetar i Buletinit të Shkencës Atomike dhe Bordit të Sigurisë. Për të çmontuar një pajisje bërthamore, inxhinierët duhet të dinë se cila është rradha e saktë e procedurave përmes së cilës janë montuar dikur pjesët e armës.

“Dizajni i bombave atomike, është ajo që unë e quaj një sekret i hapur. Nuk ekzistojnë shumë mënyra për të ndërtuar një bombë atomike. Ndaj nëse amerikanëve do t’u duhet të çmontojnë bombat e Koresë së Veriut, kjo nuk do të përbënte shumë mister për ta”- deklaron Rozner.

Por bombat më të sofistikuara dhe shkatërruese me hidrogjen, që zotërojnë aktualisht amerikanët, britanikët, kinezët, francezët dhe rusët, janë një histori tjetër. “Për to ka modele të ndryshme ndërtimi, ndaj çmontimi është shumë më i vështirë. Duhet pasur shumë kujdes”- thekson Rozner.

“Nga perspektiva e një inxhinieri mekanik, ato janë si një orë zvicerane tejet delikate. Me fjalë të tjera, ato janë vepra arti mekanike, me dizajne mahnitëse tejet të sofistikuara”. Ekspertët e tjerë, bien dakord se çmontimi i armës është pjesa më sfiduese e procesit.

“Ka shumë më pak të bëjë me materialin bërthamor, dhe më shumë rreth inxhinierisë”- thotë Tom Plant, drejtor i Politikës Bërthamore në Institutin Mbretëror për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë, një institut i pavarur në Mbretërinë e Bashkuar. Do të ishte shumë më e vështirë, dhe gati e pamundur që një ekip inxhinierësh, të munden të çmontojnë një bombë me hidrogjen, pa  ditur në detaje proceset e projektimit, por kjo është teknikisht ende e mundur.

“Është shumë e vështirë që bomba të shpërthejë, në rast se bëhet një gabim në procesin e çmontimit, përveç nëse është projektuar të shpërthejë pikërisht gjatë këtij momenti, gjë që është e mundur, edhe pse nuk ka shumë gjasa”- mendon Rozner. Plant bie dakord se skenari më i keq është shpërthimi aksidental, por ekzistojnë edhe rreziqe të tjera të mundshme, nëse çmontimi shkon keq.

Eskpertët që merren me të, mund të elektrizohen, ose të ekspozohen ndaj materialit bërthamor apo kimikateve të tjera toksike. Por një vend, duke i njohur mirë projektet e armëve te veta, duhet të jetë në gjendje t’i çmontojë ato, dhe shumë prej tyre e kanë bërë këtë.

Deri në vitin 2014, SHBA-ja kishte shkatërruar 85 për qind të rezervave të saj të deklaruara të armëve bërthamore që nga viti 1967, kur ajo kishte më shumë se 31.000 mbushje bërthamore gati për luftë, sipas të dhënavë të vetë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Para se të mund të ndodhë një çarmatim bërthamor, duhet të ekzistojë atmosfera e duhur politike, nënvizon Plant. Ai ende nuk është optimist, se dialogu aktual midis Phenianit dhe Uashingtonit, përmban vullnetin e mjaftueshëm politik, për të parë një denuklearizim të Gadishullin Korean.

Por më pas, çfarë ndodh me uranin ose plutoniumin e mbetur? Pasi arma është çmontuar, procesi i trajtimit të asaj që mbetet, është identik si për bombat më të vjetra, ashtu edhe për ato më të sofistikuara.

Një metodë e zakonshme, është ripërpunimi i materialit radioaktiv – plutonit ose uraniumit – për të prodhuar energji elektrike. Për ta bërë atë të përshtatshme për një termocentral, materiali duhet të jetë i holluar në versione më pak të pasuruara. “Kjo nuk është gjithmonë ekonomikisht e leverdishme. Mund të jetë më pak i kushtueshëm, pasurimi i materiale të reja”- thotë Rozner.

Prandaj sipas tyre, shumë vende e ruajnë në magazina speciale.

“Materiali duhet të vendoset nën pishina me ujë për rreth 5  vite, për të ftohur uraniumin. Pastaj mbeten mbetjet, që janë relativisht më pak radioaktive. Por izotopet më pak radioactive, janë më të ngadalta në shpërbërje, gjë që përbën një problem me vete. Ato kanë bërthama që janë më të rënda, ndaj ekzistojnë për miliona vjet- shton Rozsner.

Zgjidhja është vendosja e shufrave radioaktive, në kontejnerë të projektuar posaçërisht për ta. Ato ndërtohen zakonisht prej çeliku, dhe janë hermetikisht të mbyllura, për të parandaluar rrjedhjen. Secila nga ngarkesat është e mbështjellë në një kontejner çeliku, dhe në fund një shtresë të trashë betoni, për të parandaluar rrezatimin radioaktiv në tmosferë.

“Nëse do të qëndroni në këmbë jashtë kontejnerit, atëherë nuk do të jeni në gjendje të gjurmoni rrezatimin”- deklaron Rosner. Por edhe opsioni i kontrollit ka mangësitë e veta – kostoja e ndërtimit, mirëmbajtjes dhe monitorimit të këtyre objekteve, nuk do të zhduket deri kur shufrat të jenë aty Brenda, dhe të prodhojnë rrezatim.

Kjo është arsyeja se përse vitet e fundit, është bërë më popullor një opsion i tretë:çmontimi i pjesshëm. Tek e fundit, nëse bomba nuk ka shpërthyer, materiali bërthamor brenda, është në një gjendje të qëndrueshme dhe të sigurtë. Çmontimi i pjeshëm e mban atë atje, duke eleminuar kësisoj mundësinë e përdorimit të bombës.

InsideScience – Bota.al