14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

‘Shuplakë’ Qeverisë!

Më të lexuarat

Raporti i Bankës Botërore, i publikuar dje për klimën e të bërit biznes, “Doing Bussines” pavarësisht se e rendit Kosovën në vendin e 60 në botë duke e lëvizur për 4 vende më mirë se vitin e kaluar nuk është tregues i përmasimit të zhvillimit ekonomike në vend.

Madje sipas ekspertëve të ekonomisë, Kosova qëndron më keq se një vit më parë sa i përket zhvillimit të bizneseve dhe krijimit të vendeve të reja të punës, shkruan portali INFOKUSI.

Lëvdatat e kryeministrit Isa Mustafa dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami se raporti tregon progres të arritur në Kosova në përmirësimin e mjedisit afarist, ekspertët i vlerësojnë krejtësisht si të paarsyeshme për faktin se nuk është tregues real i gjendjes faktike.

Realiteti: 70 % e bizneseve nuk planifikojnë vende të reja të punës
Njohësi i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi, ka thënë për portalin INFOKUSI, se Banka Botërore ndryshimet i matë vetëm në aspektin ligjor, por jo edhe reflektimin tyre në ambiente të përgjithshëm për biznes.

“Në Kosovë është shume lehtë ta fillosh një biznes, por është tejet vështirë për ta zhvilluar atë. Prandaj nuk është ndonjë mrekulli e madhe kjo lëvizje. Ka ndodhur edhe më herët që Kosova të ketë lëvizur edhe për 12-13 vende, por serish mbetemi pa zhvillim, pa punë dhe të varfër ”, ka thënë Rexhepi.

Ndërsa, Berat Rukiqi, këshilltar strategjik në Odën Ekonomike të Kosovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova nuk ka qëndruar keq sa i përket raportit edhe viteve të kaluara, mirëpo sipas tij vazhdojmë të mbesim mbrapa shumicës së vendeve të rajonit.

“Pavarësisht pozitës se kemi përmirësuar trendët e përgjithshme ekonomike nuk janë në dinamiken e pritjeve”, thotë Rukiqi.

Ai ka treguar po ashtu se edhe në raportin e publikuar të Odës Ekonomik të Kosovës indikatorët tregojnë vlerësime pozitiv, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme për rritjen e vendeve të punës edhe eksportet.
“70 % e bizneseve kanë deklaruar që nuk po planifikojnë me i rritë vendet e punës në 6 muajt e ardhshëm”, thotë Rukiqi duke ju referuar raporti të OEK-ut.

Sipas tij në kuptim të përgjithshëm raporti është pozitivë por i pa mjaftueshëm për të treguar pasqyrën reale të trendëve ekonomike në vend.

“Prej të gjitha lajmeve të këqija ky është lajm i mirë por në nevojat që kemi çka thotë edhe BB ku konstatohet një rritje ekonomike por jo e mjaftueshme për rritjen e vendeve të punës, shprehet në fund Berat Rukiqi, ekspert për çështje të ekonomisë.

Gashi: Nuk duhet të jemi të kënaqur
Edhe Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike në vend, mendon se renditja e Kosovës në vendin e 60-të në Raportin e Bankës Botërore do të thotë se është një ambient i mirë biznesi dhe se ky është një lajm i mirë për Kosovë, gjithashtu sinjal inkurajues për investitor e jashtëm.

“Raporti i Bankës Botërore për klimën e të bërit biznes e rendit Kosovën në vendin e 60-të në botë, në grupin e vendeve që kanë ambient të mirë biznesi. Besoj që ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe një sinjal inkurajues tek investitorët e jashtëm dhe partnerët tanë ekonomik. Raporti i BB-së është shumë kredibil tek komuniteti i investitorëve ndërkombëtare dhe si i tillë nxit investimet e jashtme për të cilat kemi shumë nevojë”, ka thënë Gashi në një prononcim për portalin INFOKUSI.

Por, sipas tij nuk duhet të jemi të kënaqur me këto arritje por duhet përmirësim edhe me i madh i klimës së të bërit biznes.

“ Nuk duhet të jemi të kënaqur më të arriturat, besoj që ka ende hapësirë për përmirësime të klimës së të bërit biznes. Marrë parasysh këtë raport, Kosova duhet të marrë masa urgjente për të forcuar sistemin e drejtësisë, për të nxitur luftën kundër evazionit fiskal, luftën ndaj korrupsionit dhe eliminimin e burokracisë. Nëse bëhen këto përmirësime besoj se vitin e ardhshëm do të rangohemi edhe më mirë në Raportin e Bankës Botërore”, potencon Naim Gashi.

Kosova me keq se vendet e rajonit – nuk mund të kemi investitorë
Gazetari me provojë mbi një dekadë në sektorin e ekonomisë, Lavdim Hamidi i cili është edhe zëvendëskryeredaktor në gazetën “Zëri”, thotë se Kosova në këtë gjendje çfarë është vazhdon të ketë vështirë për t’i konkurruar vendeve të rajonit për të tërhequr investime të huaja.

Këtë e thotë duke ju referuar raportit të BB-së e ku jemi të renditur vetëm para Bonjës, ndërsa vendet tjera në regjion të gjitha qëndrojnë më mirë se Kosova.

“Raporti i fundit i BB-së tregon qartë se Kosova e ka shumë më vështirë se vendet e rajonit për të tërhequr investitorë të huaj, pasi që është vetëm para Bosnjës në raportin e të bërit biznes. Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria janë dukshëm më mire të renditura në raport se Kosova. Madje Maqedonia është në top 10 e këtij raporti, thotë Hamidi për portalin INFOKUSI.COM

Ndërsa, Alejtin Berisha njohësi i çështjeve ekonomike dhe menaxheri i kolegjit “Universum”, i pyetur nga portali Infokusi.com lidhur me raportin e të bërit biznes, ka deklaruar pozicioni i Kosovës për katër vende më lart është lëvizje pozitive dhe ndikon pozitivisht në klimën e të bërit biznes në Kosove, e sidomos në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Por sipas tij, duhet të kemi parasysh që këta janë vetëm indikatorë dhe jo gjithmonë reflektojnë realitetin në terren.

“Vende si Gjeorgjia dhe Maqedonia edhe pse në ketë raport, gjithmonë kane dalë shume lartë nuk janë reflektim i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në këto vende”, thotë Berisha.

Të njëjtin mendim edhe me tjerët e ndanë edhe Berisha i pyetur se cila është gjendja reale në Kosovë. Ai thotë se bizneset në Kosovë ballafaqohen me probleme të jashtëzakonshme dhe duhet të intensifikohet fokusi në përmirësim real të mjedisit biznesor në Kosove, si parakusht i vetëm për zhvillim ekonomik”, ka thënë Alejtin Berisha. /INFOKUSI.COM
Raporti i BB-së “Doing Business” për vitin 2017:
-Maqedonia në vendin e 10
– Serbia në vendin e 47
– Mali i Zi në vendin e 51
– Shqipëria në vendin e 58
-Kosova në vendin e 60
-Bosnja në vendin e 81

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit