16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

‘Shullazin’ s’ka kush t’a dënojë

Më të lexuarat

Nga Reldar Dedaj

Në seancën e pestë, kur pritej që prokuroria të dilte me pretencën e bandës së Emiliano Shullazit, hetuesit nuk kanë qenë gati.

Një prej prokurorëve, Ened Nakuçi ka paraqitur në seancë një raport mjekësor, sipas të cilit ai rezulton i sëmurë dhe në pamundësi për t’u paraqitur. Tjetra, Elizabeta Imeraj ka braktisur dosjen.

Në historinë e tij, të mbushur me shantazhe, kërcënime dhe presione, ajo që bën përshtypje është se ky njeri, prej mishi dhe gjaku, ka pothuajse 20 vite që operon me të njëjtën metodë dhe drejtësia ende se ka vendosur me ‘shpatulla për muri’.

Emiliano Shullazi është një armik i përbetuar i ligjit, më mirë të themi i të gjitha pushteteve. Struktura e tij organizative dhe brutaliteti i bandës ka trembur çdokënd, duke imponuar kodin OMERTA të heshtjes.

Ky person, bashkë me anëtarët e tjerë të bandës, para se të të eliminojnë fizikisht, së pari: tentojnë dhunën ndaj familjarëve. Kështu veproi 7 vite më parë me një nga krerët e drejtësisë në vend, rrëmbimin e vajzës së një gjyqtareje, me babain e kryetarit të gjykatës, me bashkëshorten e një funksionari, me shoferin e një politikani, me ambasadorin amerikan, e kështu me radhë…. sepse ai dhe banda e tij ishin dhe janë të paprekshëm.

Në asnjë panel televiziv në 4 vitet e fundit nuk i është përmendur emri, madje edhe krerët më të lartë të politikës e kanë shmangur me stil dhe mjaft diplomaci përmendjen e Emiliano Shullazit.

Ka disa ditë që qeveria, sa në Kuvend, aq edhe përmes deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është betuar se nuk do tolerojë asnjë kompromis me grupet mafioze që operojnë në vend, duke i shpallur kështu luftë të egër të gjitha grupeve, bandave apo njerëzve të lidhur ngusht me krimin.

Besojmë se kjo që varion më poshtë, nuk ka aq shumë lidhje me historinë e periudhës së totalitarizmit politik të Shqipërisë, por ngjashmëria e deklaratave është shumë e madhe.

Kur qeveria komuniste e ardhur në vitin 1945 betohej më shumë se “armiku i klasës u shua”, në atë kohë dilnin më shumë armiq dhe mbusheshin burgjet. Ose në atë moment ngjallej më shumë pakënaqësia popullore ndaj regjimit dhe njëkohësisht shtypja e regjimit mbi popullin.

Por jemi në dy kohë, edhe pse shpesh shumë afër të të njëjtit stil qeverisjeje.

Në kushtet kur socialistët fërkonin duart nga padurimi i ardhjes së tyre në pushtet, panë si zgjidhje emergjente bashkëpunimin me grupet mafioze, kriminale dhe banditeske nga veriu në jug, si qëllim shantazhimin e popullatës dhe tjetërsimin e votës.

Tani, që ranë shumë në sy të qytetarëve dhe të Botës, qeveria po mohon bashkëpunimin dhe deklaron se do ketë zero tolerancë ndaj tyre.

Mirëpo, pikërisht në momentin kur qeveria deklaron me bujë se vendi nuk ka banda kriminale, por disa rrugeçër që cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, në atë moment mafia guxon dhe del rrugëve.

Rasti i parë kur mafia mori hov dhe nxori dhëmbët për të kërcënuar është sulmi me armë i banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala në orët e para të mëngjesit.

Provat e tjera u dhanë pardje në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan.

Rasti i dytë, mund të konsiderohet gjendja alarmante e krimit në qytetin e Shkodrës. Kryebashkiakja, Voltana Ademi i tha, sy më sy, zv/ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari që policia e Shkodrës – duhet të lirohet nga njerëzit e inkriminuar dhe që trimërojnë grupet kriminale në atë zonë, ku hetimet bien dhe situata del pastaj jashtë kontrollit.

Rasti i tretë, deklarata e vetë zv/ministrit të Brendshëm në po atë studio, i cili tha se; ‘platforma mediatike paguhen nga grupe kriminale, për të goditur grupet rivale’, duke lidhur kështu edhe pushtetin e 4-të me mafian.

Dilema shekspiriane është kjo: Vallë pse bandat kriminale guxojnë kaq shumë kur qeveria guxon, njëkohësisht.

Me siguri, bandat dhe qeveria mbulojnë njëra-tjetrën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit