16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shtohet dhuna në Karaçi

Më të lexuarat

Vala e dhunës, etnike, fetare dhe politikisht e motivuar, që ka mbërthyer Pakistanin vitet e fundit duket se është intensifikuar, ndërsa përllogaritet që 500 veta të jenë vrarë gjatë këtij viti. Gjysma e vrasjeve kanë ndodhur në qytetin më të madh të vendit dhe qendrën komerciale të Karaçit, ku vëzhguesit fajësojnë luftën për pushtet mes grupeve politike dhe fetare. Ayaz Gul njofton për Zërin e Amerikës nga Islamabadi.

Karaçi është qyteti më i madh i Pakistanit dhe qendër tregëtare, i cili sjell rreth dy të tretat e të ardhurave të vendit nga taksat, por ky qytet ka edhe një histori të gjatë dhune.
Parti politike shpesh fajësohen për përdorimin e bandave etnike për përfitime monetare përmes zhantazhit, për grabitje toke, për trafikim narkotikësh apo për rrëmbime me qëllim shpërblimi.

Grupet rivale here herë shpërthejnë në beteja të gjata me armë, duke përfshirë lagje të tëra të kryeqytetit të provinces jugore Sin. Shumica e kritikëve thonë se dhuna e fundit në qytetin me më shumë se 18 milionë banorë është shkak i mosmarrëveshjeve etnike mes forcës politike mbizotëruese të Karaçit, Lëvizjes Muttahida Qaumi, ose MQM, dhe Partisë Kombëtare Awami, ose ANP.

Dy partitë fajësojnë hapur njera tjetrën për vënien në shënjestër të anëtarëve të tyre. Për ironi, këto dy grupime janë aleate në koalicionin qeverisës të provincës, i kryesuar nga Partia e Popullit e Pakistanit, e cila fajësohet po ashtu për aktet e dhunës. Që të gjithë mohojnë pjesëmarrjen në këtë dhunë.

Analistët pakistanezë përllogarisin se mbi 6,000 njerëz kanë vdekur në Karaçi që prej vitit 2008, shumica nga sulme sektare dhe politike. Anis Haroon, aktivist i njohur i të drejtave të njeriut me bazë në Karaçi, thotë se përplasjet e dhunshme politike u kanë mundësuar grupeve kriminale që të shfrytëzojnë mungesën e rendit për të arritur qëllimet e tyre.

“Duket sikur të gjithë mund të përfitojnë, por ndërkohë të gjithë janë shumë të shqetësuar me atë që po ndodh. Megjithatë ne jemi më se të sigurtë rreth një gjëje, askush nuk përpiqet të vendosë dhe të ruajë rendin dhe paqen në Karaçi, prandaj ekziston një gjendje plotësisht kaotike”.

Ahmed Bilal Mehbood, i cili kryeson Institutin Pakistanez pro-demokracisë për Zhvillim Legjislativ dhe Transparencë, thotë se struktura administrative dhe forca policore jo e trajnuar mirë prej gati 35 mijë vetash në Karaçi janë politizuar shumë gjatë viteve të fundit.

“Kjo ka çuar në një situate ku administrata civile dhe policia kanë humbur çdo aftësi për të administruar Karaçin. Mendoj se mungon efekshmëria e administratës civile, ndërkohë që forcat policore nuk kanë autoritetin e duhur sepse kanë frikë se nëse drejtësia zbatohet për të gjithë, përkrahësit e tyre mund të humbasin”.

Intensiteti i sulmeve të qëllimshme thuhet se ka lidhje gjithashtu me procesin e vazhdueshëm të verifikimit të votuesve nga autoritetet e zgjedhjeve në Karaçi. Kritikët thonë se në të kaluarën lëvizja MQM ka qenë në gjendje të manipulojë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe tani po përpiqet të pengojë përpjekjet e verifikimit. Udhëheqësit e partisë i mohojnë këto akuza.

Zgjedhjet në Pakistan pritet të zhvillohen në muajin maj dhe shumica e partive politike po kërkojnë dislokimin e trupave në qendrat e votimit të Karaçit për të ruajtur paqen. Ahmed Bilal Mehbood dhe vëzhgues të tjerë të pavarur janë skeptikë rreth aftësisë së qytetit për të mbajtur zgjedhjet pa ndihmën e ushtrisë.

“Mendoj se në Karaçi, nëse forca të armatosura nuk janë të pranishme përreth qendrave të votimit gjatë zgjedhjeve, ne mund të jemi dëshmitarë të akteve të dhunës, madje edhe para zgjedhjeve. Mendoj se edhe verifikimi i votuesve kërkon praninë e forcave të armatosura. Nuk mendoj se masat e mara në kushte normale janë të mjaftueshme për zgjedhjet në Karaçi dhe në Baluçistan.”

Baluçistani, në Pakistanin jug-perëndimor, është një pikë tjetër shqetësimi për organizatorët e zgjedhjeve. Atje, kryengritja separatiste e nivelit të ulët bashkë me sulmet vdekjeprurëse kundër pakicës muslimane shi’ite ka shtuar gjithashtu shqetësimet e sigurisë. Në veri-perëndim, Talibanët e Pakistanit vazhdojnë kryengritjen e tyre.

Por trazirat në Karaçi mund të jenë shumë më të rendësishme për të ardhmen afat-gjatë të ekonomisë së vendit. Analistët thonë se dhuna në Karaçi, bashkë me krizën më të rëndë energjitike, kanë ngjallur frikë tek shumë investitorë të huaj gjatë viteve të fundit, ndërkohë që parregullsitë e shpeshta ekonomike kanë shkaktuar humbjen çdo ditë të miliona dollarëve./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit