20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shteti, për 5 muaj 700 mijë euro për vetura

Më të lexuarat

Edhe pse nuk ka kaluar ende gjysma e parë e këtij viti, institucionet qeveritare kanë shpenzuar mijëra euro për të blerë vetura. Disa Ministri dhe Komuna te Kosovës, për këtë pjesë të vitit kanë pasur “prioritet” kryesor blerjen e veturave, pasi që ato nuk kanë tender të tjerë të shpallur, por vetëm tenderë për blerje të veturave.

Gazeta “Lajm” ka shpalosur të gjithë tenderët që këto institucione kanë dhënë për vetura, dhe shuma totale e të gjithave këtyre është rreth 700 mijë euro.
“Valles” për blerje të veturave për këtë vit i ka prirë Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Ramë Buja, e cila për t’i blerë disa vetura ka shpenzuar rreth 200 mijë euro.
Tipi i veturave për MASHT është Suzuki dhe vlera e një veture kap shifrën e mbi 40 mijë eurove. Ndërsa, këtë tender e kishte fituar kompania “Auto-Kaqandolli”.
Edhe ministrja Mimoza Kuasri-Lila që udhëheq Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ka hezituar të shpenzojë mijëra euro për vetura. Tenderi për vetura kësaj ministrie i ka kushtuar 165 mijë euro dhe këtë e kishte fituar kompania “Kosova-Motors”.
E, pak me dorështrënguar nga dy ministrat e lartpërmendur, ka qenë ministri i Administratës Publike, Mahir Yagçilar. MAP, tenderin “Furnizim me vetura për nevojat e MAP-it”, ka shpenzuar fiks 99, 596. 00 euro, kjo ministri këto vetura i ka blerë nga kompania “AGS”, e cila kompani duket se është më e përkëdhelura e institucioneve, ngase ka disa tenderë të fituar për furnizim me vetura.
Kjo kompani për këtë vit ka fituar tenderë edhe nga Komuna e Drenasit në vlerë prej rreth 27 mijë eurosh.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar gjatë këtyre pesë muajve të parë të këtij viti mijëra euro për vetura.
Ferid Agani që udhëheq me këtë ministri, për tenderin Furnizim me Vetura dhe Autoambulanca, ka shpenzuar 64.200.00 euro dhe këtë tender e ka fituar kompania “Porsche Kosova”.
Edhe ministri Nenad Rashiq që udhëheq me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për blerje të veturave, ka shpenzuar rreh 64 mijë euro. Kjo ministri këtë tender e kishte ndarë në dy loto. Vlera e lotos së parë është 35.970.00 euro, kurse lotoja e dytë kap shifrën 16.950.00 euro.
Të dy lotot për këtë tender i kishte fituar kompania “Auto shtëpia Siqani”. Ndërkaq, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, për blerjen e veturave për këtë ministri, ka shpenzuar 58,200.00 euro dhe këtë tender e ka fituar kompania “Baholli”.
E, deri tani, nga të gjitha komunat e Kosovës në blerjen e veturave, më e zonja ka dalë të jetë Komuna e Drenasit, ngase tanimë kjo komunë ka blerë dy vetura. Për blerjen e këtyre veturave kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku, ka shpenzuar 26,686.00 euro dhe këtë tender ia ka besuar kompanisë “AGS”.
Derisa këto ministri dhe komuna kanë shpenzuar mijëra euro në vetura, disa nga ministritë dhe komunat tjera i kanë bërë planifikimet për të shpenzuar mijëra euro për t’i blerë ato. Forca e Sigurisë së Kosovës 50 mijë euro, Ministria e Mjedisit 64 mijë euro.
Derisa, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, për blerje të veturave për ministri dhe për ambasadat nëpër vende të ndryshme të botës, ka në dispozicion më shumë se 500 mijë euro.
Përpos ministrive, edhe një pjesë të drejtueseve të komunave të Kosovës kanë paraparë mjete për blerje të veturave të reja. Komunës së Leposaviqit, vetëm për blerjen e një veture i janë ndarë hiq më pak se 38 mijë euro, Komunës së Fushë-Kosovës 8 mijë euro, Komunës së Lipjanit 80 mijë euro si dhe Komunës së Prishtinës 100 mijë euro.
Komunës së Shtimes, Komunës së Graçanicës 125 mijë euro, Dragashit 15 mijë euro, Prizrenit 45 mijë euro, Rahovecit 50 mijë euro, Malishevës 20 mijë euro, Gjakovës 10 mijë euro, Istogut 30 mijë euro, Zubin Potokut 40 mijë euro si dhe Zveçanit 120 mijë euro./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit