21.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Shteti i Kosovës, ky qiramarrës i madh!

Më të lexuarat

Rreth 7 milionë euro nga buxheti i shtetit vazhdojnë të derdhen në emër të qirasë për agjencitë dhe dikasteret qeveritare që janë të vendosura në objekte private.

Përveç shumave të majme që paguhen për ambasada anë e këndë botës, sfidë për këtë qeverisje mbeten agjencitë dhe institucionet e ndryshme që veprojnë brenda vendit të cilave u duhet të paguajnë qira për objektet që shfrytëzojnë.

Pra, disa nga institucionet qeveritare në Kosovë, veprimtarinë e tyre ende e zhvillojnë në objekte private tash e 17 vite, për të cilat detyrohen të paguajnë qira.

Kjo është një kosto e lartë për buxhetin e varfër të Kosovës. Edhe pse në fillim të mandatit të Qeverisë “Thaçi I”, kryeministri i atëhershëm pati premtuar se do t’i largonte institucionet shtetërore nga objektet private, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në mandatin e tij të dytë e as në mandatin e tanishëm të parterit të tij të koalicionit që u quajt i “elefantëve” PDK-LDK.

Edhe pse u mendua që ndërtimi i objektit të ri qeveritar dhe ndërtimi i pallatit të drejtësisë do të ndikonte që përfundimisht që të shmangej pagesa e qirave për objekte të institucioneve publike kjo nuk po ndodh ende.

Një nga institucionet shtetërore që paguan qira është Komisioni për Miniera dhe Minerale. Që nga viti 2009 ky institucion shfrytëzon një objekt privat, me hapësirë prej 1 mijë e 300 metrash katrorë, për të cilin qira vjetore paguan hiq më pak se 61 mijë e 620 euro. Kjo do të thotë se deri më tani Komisioni për Miniera dhe Minerale ka paguar rreth 369 mijë euro, para që do të mund të përdoreshin për projekte të ndryshme.

Por ky institucion nuk është i vetmi që paguan qira, pasi që edhe shumë institucione tjera paguajnë qira për objektet që i shfrytëzojnë për punët e përditshme, siç është edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Gjithashtu, Kompania e Menaxhimit të Deponive (KMDK) është një nga shumë organizatat buxhetore e cila qysh prej vitit 2009 vazhdon të mbetet në objekte private. Për më shumë se pesë vjetët e fundit kësaj kompanie i është dashur të paguajë në emër të qiramarrjes rreth 127 mijë euro.

Me paratë e qirasë do të ndërtoheshin shumë herë ato ndërtesa

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, pagesa e qirasë nga institucionet shtetërore është e panevojshme dhe i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës. Vendosja e institucioneve nëpër objekte private, sipas tyre, ndodh edhe për shkak të interesave të caktuara që mund të kenë palët që kanë krijuar marrëdhënie kontraktuale.

Prandaj, Ministria e Administratës Publike do të duhej urgjentisht që të marrë masa për akomodimin e këtyre institucioneve në institucione publike dhe paratë e shpenzuara të planifikohen që të investohen në projekte të ndryshme që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lulzim Beqiri magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se pagesa e qirasë nga institucionet shtetërore, i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës dhe se vendosja e këtyre institucioneve në objekte private ka interes nga persona të caktuar brenda këtyre Institucioneve për përfitime personale.

“Vetëm Komisioni për Miniera dhe Minerale, paguan qira vjetore rreth 61.000 euro, kjo është një barrë e rëndë për një buxhet të Republikës së Kosovës”, thotë Beqiri.

Ai thotë se është koha e fundit që autoritetet kompetente të zhvendosnin institucionet qeveritare nga objektet private dhe se është e pakuptime që edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga përfundimi i luftës dhe shpallja e pavarësisë, të paguhet qira për shfrytëzim të objekteve për punët e përditshme të institucioneve.

“Ka plot 17 vite që institucionet qeveritare paguajnë qira në vlera marramendëse, me këto para do të ndërtoheshin shumë herë ato ndërtesa, dhe përfitimi do të ishte se ato ndërtesa do të ishin pasuri e shtetit”, theksoi Beqiri.

Ai thotë se duhet bërë një plan konkret për heqjen e këtyre institucioneve nga objektet private, por sipas tij nuk po ka vullnet të duhur që të bëhet një gjë e tillë.

“Ministria e Administratës Publike për çdo vit jep premtime se këto Institucione do të zhvendosen në objekte të shtetit, por kjo ende nuk po ndodh, ka kaluar koha e fjalëve qytetarët janë lodhur me llafe pompoze, ne duam që paraja jonë të menaxhohet mire sepse e kemi me djersë”, u shpreh ekonomisti Beqiri. /tesheshi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit