Shtëpitë e Profetit Muhamed a.s

0
210

Hyrje: Shtëpitë në Medinë

Jo të gjitha shtëpitë e Medinës ishin të njëjta në kohën kur jetoi Profeti Muhamed a.s. Shumica e shtëpive kishin disa karakteristika të përbashkëta, nga të cilat ndoshta më e rëndësishmja ishte hapësira e moderuar. Ndërsa jemi të sigurt se rehatia dhe luksi nuk ishte shenja dalluese e tyre, mund të themi se hapësira, në përputhe me nevojën dhe standardet e kohës, ishte cilësia e tyre thelbësore.

Një nga argumentet kryesore për këtë gjendet në thënien e Profetit se “pjesë e lumturisë së bashkëshortit janë gruaja e mirë, shtëpia e gjerë dhe fqinji i mirë.”

Profeti a.s i lutej Allahut që ta falte, ta bënte shtëpinë e tij të gjerë dhe të begatshme dhe të bekonte ushqimin e tij.

Njëherë, Halid ibn Uelidi iu ankua Profetit a.s se shtëpia e tij ishte shumë e vogël për të akomoduar familjen e tij. Profeti a.s e këshilloi të shtonte disa dhoma në tarracë dhe t’i lutej Allahut për begati.

Që shtëpitë e Medinës kishin hapësirë të bollshme dhe ndonjëherë edhe tejet të rehatshme mund të konfirmohet nga fakti që Profeti a.s qëndroi në shtëpine e Ebu Ejub Ensarit r.a menjëherë pasi emigroi, përpara se të ndërtohej shtëpia e tij. Shtëpia e Profetit a.s dhe shtëpitë e muhaxhirëve (migrantëve) u ndërtuan pasi përfundoi ndërtimin i Xhamisë së Profetit a.s. Deveja e Profetit a.s ndaloi pikërisht pranë oborrit të Ebu Ejub Ensariut, pasi mbërriti nga Meka. Fillimisht, Profeti a.s qëndroi në katin e parë, por kjo shkaktoi parehati tek Ebu Ejubi dhe bashkëshortja e tij që qëndronin në katin e sipërm, pasi ata s’mund të pranonin që të ecnin mbi kryet e Profetit a.s. Nuk kaloi shumë dhe ata këmbëngulën që të kalonin poshtë, ndërsa Profeti a.s u ngjit të jetonte lart.

Duhet të kemi parasysh se, përsa i përket strehimit, fillimisht shumica e muhaxhirëve ndanin të njëjtin fat. Ata qëndruan me ndihmëtarët (ensarët), derisa pas ndërtimit të xhamisë, Profeti a.s i nxiti të fillonin të ndërtonin shtëpitë e tyre, duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Fillimisht xhamia e Profetit nuk kishte minare, prandaj një nga shokët e tij, Bilali r.a, ngjitej në tarracën e shtëpisë së një gruaje nga fisi i Benu Naxharit për të thirrur ezanin për faljen e mëngjesit, sepse ajo ishte shtëpia më e lartë dhe më e përshtatshme në zonën përreth xhamisë.

Disa nga shtëpitë ishin aq të mëdha dhe më kopshte të bukura, sa Profeti a.s shpesh i përdorte për të akomoduar miqtë apo delegacionet që vinin për ta takuar. Shtëpia e Ramlah bin Harith Naxharija r.a, që sipas transmetimeve kishte pemë hurme në oborr, njëherë shërbeu si qendër e përkohshme akomodimi.

Edhe shtëpia e Abdurrahman ibn Auf, e para shtëpi muhaxhiri e ndërtuar në Medinë, gjithashtu shërbeu si bujtinë për pritjen e njerëzve. Ajo ishte emërtuar si Dar al-Kubra (shtëpia më e madhe) si dhe Dar al-Difan (bujtina). Tregohet se Profeti a.s ka punuar vetë në ndërtimin e saj.

Abdurrahman ibn Auf ishte një nga shokët më të pasur të Profetit a.s. Ai njihej gjithashtu si Kuzan Allah (mbajtësi i thesareve të Allahut), për shkak se e kishte fituar pasurinë me ndershmëri dhe nuk e konsumonte atë për luks, në interes të vetes së tij, por e kishte vënë në shërbim të interesave të komunitetit dhe të nevojave të shumta që ai kishte.

Në stallat pranë shtëpisë së Urua bin Abi Xhadit njerëzit mund të shikonin deri në 70 kuaj. Për Urua ibn Abi Xhadin, Profeti a.s ishte lutur njëherë që Allahu t’i jepte begati në marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit.

Në banesat e Medinës kryhej edhe aktivitet tregtar dhe prodhues. Një shembull i tillë është shtëpia ku kujdeseshin për djalin e Profetit a.s, Ibrahimin. Um Sajfi, gruaja që kujdesej për rritjen e tij, dhe Ebu Sajf, bashkëshorti i saj, ishin farkëtarë. Shtëpia e Ebu Sajfit gjendej në periferi të Medinës.

Një ditë, Profeti Muhamed a.s shkoi të shikonte Ibrahimin. Ai shoqërohej nga shërbëtori i tij, Enes ibn Malik. Kur mbërritën tek shtëpia, ata e gjetën Ebu Sajfin duke i fryrë zjarrit me pajisjen e tij dhe shtëpia u mbush me tym.

Sipas Hilal ibn Jasafit, ai dhe disa persona të tjerë shisnin rroba në shtëpinë e Suejd ibn Mukarrinit r.a.

Shtëpitë e Profetit

Sidoqoftë, Profeti a.s dhe familjarët e tij mbetën indiferentë ndaj ngritjes dhe zotërimit të shtëpive të mëdha, përtej kërkesave rudimentare dhe asaj që ishte vërtet e domosdoshme. Kjo situatë vijoi gjatë gjithë jetës së tij, pavarësisht se situata ekonomike e muslimanëve në tërësi ishte përmirësuar. Disa nga mobiljet më të përmendura në shtëpinë e Profetit a.s ishin krevati, rrogozi, një mbulojë si dhe perdet më ngjyrë të zezë.

Jeta e Profetit a.s ishte aq modeste dhe e thjeshtë sa kur njëherë Umer ibn Hatabi vizitoi shtëpinë e tij, filloi të ngashërehej. Profeti a.s e pyeti: “Ç’të bëri të qash?” Umeri u përgjigj: “O I dërguari i Allahut? Si të mos ngashërehem? Umeri e gjeti Profetin a.s të shtrirë në një krevat që i ka lënë shenja në anën e majtë të trupit dhe në dhomën ku mban ushqimet ka shumë pak gjëra. Mbretërit persianë dhe bizantinë jetojnë në bollëk dhe luks, ndërsa Ti, i dërguari i Allahut, i zgjedhuri i Tij, jeton me kaq pak gjëra dhe në këto kushte.”

Profeti a.s tha: “Ibn Hatab, a nuk të lumturon fakti që neve na pret parajsa, ndërsa ata gjithçka do ta lënë pas në këtë botë?”

Sidoqoftë, shtëpitë e Profetit a.s ishin goxha më të mëdha dhe të bollshme sesa kasollet apo ngrehinat me një dhomë që mund të imagjinojnë shumë njerëz. Shtëpi të tilla, në përputhje edhe me standarded e kohës kishin një tualet, kuzhinë, dhomë fjetjeje, një dhomë për pritjen e miqve dhe një tjetër për magazinimin e sendeve dhe ushqimeve. Këto hapësira janë jo thjesht të dëshirueshme për jetesë të denjë dhe modeste, por gjithashtu nevojiten edhe për përmbushjen e disa parimeve fetare të tilla si mbrojtja e privatësisë, pastërtia dhe estetika. Kur Umer ibn Hatabi vizitoi Profetin a.s, në hadithin e sipërmërmendur, edhe pse ai u prek tejmase nga thjeshtësia e kushteve të jetesës së Profetit a.s, aq sa nisi të qajë, ai tregon se e gjeti Profetin a.s në papafingo, një pjesë e shtuar mbi katin e parë në të cilën duhet të ngjiteshe përmes një palë shkallësh të ndërtuara me dru palme. Në fund të shkallës ishte ulur shërbyësi i Profetit a.s, Rahbau, përmes të cilit Umeri mori lejen për të hyrë brenda. Pas vizitës, Umeri zbriti bashkë me Profetin a.s. Ndërsa Umerit iu desh të mbahej për të zbritur, Profeti a.s zbriti shumë lehtë, a thua se po ecte mbi tokë, pa pasur nevojë të mbahej apo të mbështetej ndokund.

Në të vërtetë, nëse shtëpia e Profetit a.s do të ishte aq e vogël dhe e papërshtatshme sa ç’pretendohet nga disa persona, jeta e tij dhe e familjarëve të tij do të shqetësohej dhe ndërpritej vazhdimisht, pasi kishte gjithmonë njerëz që vinin tek ai për qëllime të ndryshme, si për ta vizituar, për të mësuar, për të bërë pyetje, për të kërkuar këshilla etj. Duhet të ketë qenë veçanërisht e vështirë gjatë viteve të para, kur rregullat e mirësjelljes, plus rregullat e përgjithshme të kulturës dhe etikës shoqërore nuk ishin konsoliduar akoma në mendjet dhe zemrat e shumë njerëzve. Përpara mbylljes së dyerve të migrimit me çlirimin e Mekës, shumë njerëz synonin të vendoseshin në Medinë pasi kishin përqafuar islamin dhe i kishin premtuar mbështetje Profetit a.s, ndërkohë që të tjerë pasi kalonin disa kohë si miq të Profetit a.s dhe të shtetit të tij, ktheheshin në fisin apo komunitetin e tyre duke mbajtur lidhje të forta me qendrën.

Një përshkrim i pjesshëm i shtëpisë së Profetit Muhamed bëhet nga Ibn Said në librin e tij Tabakat al-Kubra. Një historian i quajtur Abdullah ibn Jezid e pa shtëpinë e Profetit a.s pak përpara se të shembej me urdhër të kalifit Uelid ibn Abdul Malik nga Siria në vitin 88/707 që donte të zmadhonte Xhaminë e Profetit a.s.

Ishin 5 dhoma me tulla balte, të ndara nga degë palme të ngurtësuara me baltë, dhe 5 salla apo dhoma të mëdha të pandara, gjithashtu të suvatuara me degë palme të ngurtësuara me baltë. Mbi dyer gjendeshin perde me cohë të zezë. Shtëpia ishte e ulët dhe tavani mund të prekej me lehtësi, mjaftonte të ngrije dorën lart.

Në librin e tij, Historia e Medinës së Shndritshme, Muhamed Iljasi pohon se secila nga shtëpitë e Profetit a.s kishte një pjesë për banim dhe një kopësht të vogël. “Kopshti rrethohej nga degët e pemëve të palmave dhe tullat me baltë të papjekur. Mbi to ishin hedhur mbulesa për të garantuar privatësinë në kopësht. Në dyer ishin varur copa të thjeshta. Në çdo dhomë reflektohej modesti dhe thjeshtësi. Përmasat e çdo dhome ishin përafërsisht 5×4 m, ndërsa kopështi i pasëm ishte 5×3 m. Një person që qëndronte brenda dhomës mund të prekte tavanin me dorën e tij.”

Burimi: islamicity.