9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

“Shtëpia e Putinit” në Prishtinë s’i bën hesap institucionet e Kosovës

Më të lexuarat

Numër i madh i misioneve të huaja që veprojnë në Republikën e Kosovës kanë bashkëpunim të ngushtë me institucionet e ndryshme. Mirëpo, kështu nuk po ndodhë me Zyrën e Ambasadës së Rusisë, e cila me seli është e stacionuar në Dragodan, të Prishtinës.

Kjo Zyrë, që udhëhiqet nga  Andrej Lissovoj, prej kohës së UNMIK-ut e deri më tani nuk i jep kurrfarë llogarie shtetit të Kosovës.

Përfaqësia e presidentit Vladimir Putin vepron sipas dispozitave të rezolutës 1244. Komunikimin e vetëm që ka kjo Zyre në Prishtinë është vetëm përmes Misionit të UNMIK-ut.

Mospajtimet ndërmjet Zyrës nga Moska dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës e konfirmon ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Nuk ka kurrfarë”, ishte përgjigje e shkurtër e kryediplomatit.

Përpos Pacollit, edhe ish-ministri i MPJ-së, Skënder Hyseni ka treguar rreth ‘ngurtësisë’ së rusëve karshi shtetit tonë.

Megjithatë, Hyseni ka sugjeruar që ky raport duhet të rregullohet ndonëse një gjë të tillë nuk e lejon rezoluta 1244 e cila ka ende fuqi.

“Derisa mos të ketë shfuqizim nga Këshilli i Sigurimit (OKB) atëherë ka një bazë, kushtimisht ligjore, për ekzistencën e zyrave të tilla por s’ka bazë politike. Pra, politikisht është jo relevante që të ketë zyra të tilla”, ka thënë ai.

Hyseni ka treguar kohën sa ishte ministër për kërkesën që kishte ndaj Zyrës ruse dhe asaj kineze.

“Qysh në kohën kur kam qenë ministër i Jashtëm kam shtruar pyetjen “Çfarë të bëjmë dhe si të sillemi karshi këtyre zyrave”. Zyra kineze dhe ruse kishte kërkesë nga unë për të biseduar, mirëpo përgjigja ime ishte që me mua të flasin vetëm si një ministër”, është shprehur ish-kryedipomati.

Indeksonline ua sjellë disa foto më poshtë të rezidencës ruse në Kosovë. Ajo është e rrethuar në çdo cep me tela me xhemba. Megjithatë, sigurinë e këtij objekti e bënë 24 orë Policia e Kosovës.

Vlen të theksohet se vetura diplomatike që përdoret nga përfaqësuesit e Rusisë janë me tabela (BG) të Serbisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit