15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Shqiptarët kanë nevojë për moral

Më të lexuarat

Një shoqëri që i kushton më së shumti rëndësi etikës së jashtme të sjelljes dhe zbukurimit të estetikës së çdo produkti njerëzor, duke nisur nga ushqimet, veshjet, shtëpitë, makinat etj. dhe nuk pranon kurrsesi t’i mësosh dhe edukosh asaj moralin e sinqeritetit, ndershmërisë, besimit, besnikërisë etj., është një shoqëri e kalbur nga brenda, një shoqëri hipokrite, një varrezë e mbushur me kufoma dhe e zbukuruar së jashtmi me mermer.
Dheu dhe gurët e mermerit mund të mbulojnë dhe tresin erën e cofëtinave, por etika, estetika dhe çdo hipokrizi njerëzore nuk e ndalin dot erën e ndyrë të moralit të prishur që kundërmon kudo.
Nëse nuk pranoni t’iu rikujtojnë dhe këshillojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë është moralshme dhe çfarë jo, atëherë mos u ankoni për kriminelët, hajdutët, mashtruesit, përdhunuesit dhe gjithë larminë e horrave që mbushin kronikën e zezë përditë, sepse ata janë vetëm era e jashtme e kalbësirës së brendshme, që fshihet pas estetikës dhe etikës së qindra të kollarisurve dhe pispillosurave, që përbëjnë të ashtuquajturën elitë pushtetare, financiare dhe intelektuale të një vendi.
Kush mendon se vetëm zbatimi i ligjit dhe frika prej tij ruan moralin e një shoqërie, nuk e kupton se ai është hallka e fundit, e një vargu që nis me ndërgjegjen e individit dhe pasohet nga ajo familjes dhe e shoqërisë.
Moralin e njeriut e ruan së pari ndërgjegjja e individit, pastaj ajo familjare dhe e shoqërisë. Ligji është vetëm një armë e ftohtë në duart e këtyre të triave, të cilat nëse mungojnë ai është veçse një objekt i vdekur. Kështu që krizat morale të një shoqërie nuk kurohen vetëm duke bërë ligje të reja, që nuk i zbaton askush, dhe as veting që ndërron vetëm fytyra, por nis me edukimin moral të individit dhe të mbarë shoqërisë njëkohësisht. Dhe edukim moral pa besimin në Zot, nuk ka pasur dhe as mund të ketë. E pra, heronjtë e vërtetë dhe liderët historik të këtij kombi do të jenë vetëm ata që do t’i edukojnë atij moralin dhe besimin, rrugën e vetme drejt çdo të mire.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit