Shqiptarët dhe serbët, peng i së kaluarës

0
37

Mbyllja e çështjeve të lëna pezull do t’ia lehtësonte si Kosovës ashtu edhe Serbisë ballafaqimin me të kaluarën. Një pajtim shqiptaro-serb është i mundur dhe diçka e tillë është e dëshirueshme edhe nga Bashkimi Evropian. Për, liderët e Kosovës pajtimi nënkupton ndërtimin e raporteve si shtete të pavarura, por jo koncesione të reja në kurriz të Kosovës. Këto ishin disa nga vlerësimet që u dhanë në konferenca “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi – Çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?”, e organizuar nga ICO dhe Ministria e Drejtësisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se mbyllja e çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonin të dyja vendet që ta përballojnë më lehtë të kaluarën e tyre, edhe pse sipas tij, Serbia ka kohë që refuzon ta hapë një kapitull të tillë.

“Çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, siç janë njohja reciproke e njëra-tjetrës, respektimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe kërkimi i faljes si akt moral nga Serbia, edhe pse kanë kaluar 13 vite pas përfundimit të luftës sonë, këto janë pengesa të cilat gjatë afrimit tonë ballafaqohemi dhe do të ballafaqohemi më tutje. Unë mendoj se me mbylljen e këtyre çështjeve të lëna pezull, Kosova do ta kishte shumë më lehtë për ballafaqim me të kaluarën e saj, por gjithsesi edhe Serbia, e cila vazhdimisht refuzon ta hapë këtë kapitull”, ka thënë Kuçi, raporton Kosovapress.

Ai ka shtuar se Kosova nuk mund të jetë peng i barrierave që i vë Serbia apo kushdo tjetër asaj, Kosova nuk mund ta lë anash ballafaqimin me të vërtetën, riparimin e dëmeve të luftës, drejtësinë penale duke e pritur vullnetin e mirë të shtetit fqinj.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët se kjo nismë për pajtim a i paraprinë asaj që është biseduar kohëve të fundit për një dialog me serbët e pjesës veriore të Kosovës, Kuçi ka thënë se kjo nuk ka të bëjë fare me atë që quhet dialog politik. Sipas tij, kjo ka të bëjë më shumë për të krijuar një pasqyrë për të kaluarën apo për ta ndërtuar një të ardhme në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se edhe pse shtetet që dikur ishin armiq në mes vete, tash kanë synime që së bashku të hyjnë në BE.

“Ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimi janë çështje që janë në thelb në bazë të projektit evropian. Zotëri Kuçi na e rikujtoi se Bashkimi Evropian është rezultat i drejtpërdrejtë i vendosmërisë evropiane pas luftës së Dytë Botërore për të parandaluar çfarëdo konflikti në të ardhmen në Evropë. Synimi fillestar ishte që t’i lidhte vendet në mes njëra tjetrës dhe ta bënte konfliktin e pamundur. Është ide fundamentale e politike e Bashkimit Evropian”, tha Zbogar.

“Armiqtë e të kaluarës kanë për synim që të integrohen plotësisht, të krijojnë marrëdhënie të mira, të mundësojnë qarkullim të mirë të mallrave dhe kjo e gjitha që të shkojnë në dobi të qytetarëve të tyre dhe kjo mund të ndodh me të kuptuarit e përbashkët të së kaluarës dhe me vizionin e përbashkët për të ardhmen”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pajtimi ka rëndësi për Bashkimin Evropian pasi që pa proceset e tjera integruese nuk mund të ndodhin. Ai tha se pajtimi i ka disa procese, si çështja e personave të zhdukur, çështjet e arsimimit, përmbajtja e teksteve shkollore që e pasqyrojnë historinë etj. Duke folur për të kaluarën, ai ka thënë se mënyra se si e trajtojmë të kaluarën ndikon edhe në krijimin e të ardhmes.

Ndërkaq, shefi i ICO-së, Piter Feith, ka thënë me këtë rast se kjo është një çështje shumë e ndjeshme pasi që Kosova ka kaluar nëpër një periudhë kohore që ishte shumë e rëndë dhe e dhimbshme në fund të viteve të 90-ta dhe shumë kujtime nga ajo kohë janë ende me neve. Ai ka shtuar se janë të vetëdijshëm se në situatën aktuale, duke pasur parasysh raportet me Serbinë, kjo nuk është e lehtë.

Feith tha se ky është proces që merr kohë dhe shtoi se nuk mund të parasheh rezultate të shpejta dhe se kjo mund të marrë gjenerata por është me rëndësi që qeveria ka shprehur vullnetin për të nisur këtë proces. /Telegrafi/kohaislame