5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Shqipëria kërkon nga Kina ta njohë Kosovën

Më të lexuarat

Shqipëria i kërkon Kinës ta njohë Kosovën. Një kërkesë të tillë tek Republika Popullore e Kinës e ka adresuar vetë ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, i cili është duke qëndruar për vizitë zyrtare në këtë vend aziatik.

Gjatë vizitës, Panariti është pritur nga ministri i Jashtëm i Kinës, Yang Jiechi, para të cilit edhe shprehu qëndrimin e Tiranës se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte vendimi i drejtë për Pekinin.
“Kjo njohje nga ana e Republikës Popullore të Kinës do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, tha ministri Panariti në takim me homologun kinez Yang Jiechi, njofton Ministria e Jashtme Shqiptare.
Sipas njoftimit, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë po ashtu vlerësoi nivelin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve dhe e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri.
Panariti thuhet se po ashtu vlerësoi progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.
“Vizita e ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi, në Shqipëri, një vit më parë, përbën një ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme. Ajo rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve ,si dhe vullnetin e dy qeverive që ky bashkëpunim, sikurse ka treguar dhe kjo periudhë njëvjeçare, të zgjerohet dhe thellohet më tej, jo vetëm në shkëmbimin e vizitave të ndryshme, por edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e pranisë së investitorëve kinezë në Shqipëri etj., duke sjellë një dinamikë të re të këtyre marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm shqiptar.
Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënvizoi z. Panariti, e cila është nënshkruar tre vjet më parë nga dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Wen Jiabao, në Pekin, përbën një bazë tjetër solide të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë dhe shprehje e vullnetit të përbashkët politik, për zhvillimin në stade edhe më të larta të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, citohet t’u ketë kushtuar vëmendje të veçantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjetikë, në industrinë e minierave, turizmit, në zonat e lira me status “Park Industrial” etj., si dhe përkushtimit të Qeverisë Shqiptare për këto fusha, nëpërmjet të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t’u krijuar tërë lehtësitë investimeve të huaja.
Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, në anën tjetër, vlerësoi lart frymën e ngushtë të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa vizitën e ministrit Panariti e cilësoi si shprehje konkrete të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, sipas njoftimit nga MPJ-ja shqiptare, ministri Yang Jiechi u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të dy vendeve ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit