21.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Shqipëria katërfish me shumë fitim se Kosova në shkëmbimet tregtare

Më të lexuarat

Të ardhurat doganore për mallrat e importuara në Kosovë dhe që zhdoganohen në Doganën e Kukësit për tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë me një vlerë prej 335 mijë eurosh, ose me 62% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Vlera e të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës për tremujorin e parë të këtij viti është 46.979 milionë lekë ose rreth 335 mijë euro. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit kaluar janë realizuar të ardhura me vlerë prej 29.190 milionë lekë, ose rreth 208 mijë euro. Përqindjen më të madhe në realizimin e të ardhurave e zë TVSH-ja që zë 69.2% të vlerës së të ardhurave doganore, akciza 4.55%, taksa doganore 2.35% dhe të tjerat zënë 23.9% të vlerës së të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës.

Kryetari i Degës së Doganës së Morinit në Kukës, Ali Tota, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se të gjitha të ardhurat janë realizuar përmes importimit të mallrave që bëhen në Kosovë ku mielli, patatja, automjetet, por edhe birra e Pejës dhe verërat e Rahovecit janë artikujt kryesorë që janë zhdoganuar në Doganën e Kukësit. Një pjesë e këtyre mallrave konsumohen në Kukës, ndërkohë që pjesa më e madhe shitet në pjesët e tjera të Shqipërisë.

”Shkaku kryesor i rritjes së të ardhurave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, janë të ardhurat e krijuara nga zhdoganimi i automjeteve, apo më saktë të ardhurat nga TVSH-ja e tyre. Heqja e taksës doganore, në korrik të vitit kaluar ka shtuar importin e automjeteve në Kosovë duke rritur njëherësh të ardhurat në Doganën e Morinit”, deklaroi Ali Tota.

Pavarësisht rritjes së importit të automjeteve, Kosova vazhdon të ketë bilanc tregtar negativ me Shqipërinë. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, 80 milionë euro është eksporti i Shqipërisë në Kosovë dhe 20 milionë euro është eksporti i Kosovës në Shqipëri për vitin 2011. Megjithëse për vitin 2011, Kosova ka rritur në masën 19.8% numrin e eksporteve në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka dyfishuar eksportet në drejtim të Kosovës për vitin 2011, ku çimentoja e Fushë-Krujës vazhdon të mbajë vendin e parë në artikujt që Shqipëria eksporton në Kosovë, ku ky artikull ka njohur një rritje prej 1.2 herë krahasuar me vitin 2010. Rënie për gati 100% ka pësuar eksporti i patates nga Kosova në Shqipëri, pasi për vitin 2011, eksporti i kësaj kulture bujqësore ishte orientuar drejt Serbisë si rezultat i shtimit të referencave nga Dogana e Shqipërisë./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit