16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shqipëri, niset grupi i parë i besimtarëve për Haxhin

Më të lexuarat

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, haxhinjët e ardhshëm u përcollën nga familjarët e tyre, të afërm, si dhe nga besimtarë të shumtë

TIRANË (AA) – Është nisur sot grupi i parë i besimtarëve muslimanë nga Shqipëria që udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për të kryer Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, haxhinjët e ardhshëm u përcollën nga familjarët e tyre, të afërm, si dhe nga besimtarë të shumtë.

Sot kanë udhëtuar rreth 100 besimtarë, ku fillimisht do të ndalojnë në Xhide të Arabisë Saudite, ku do të presin edhe haxhinjët të ardhshëm për të udhëtuar drejt Mekës.

Njëri prej besimtarëve që është nisur sot për Haxhin drejt tokave të shenjta është edhe Erzen Pashaj, nga Shqipëria, i cili në një prononcim për AA tregon se ndihet i gëzuar që po shkon për herë të parë në Haxh.

“Është hera e parë që po shkoj për të kryer Haxhin. Me të vërtetë siç përshkruhet nga të gjithë është udhëtimi i jetës, dhe është një moment tepër i veçantë për mua. Unë udhëtoj bashkë me nënën time. Kjo është gjëja më e lumtur, që po udhëtoj së bashku me nënën time, që është kujdesur gjatë gjithë kohës për mua”, tha Pashaj.

Grupi tjetër i besimtarëve do të niset më datë 21 gusht.

Ndërkohë qindra besimtarë muslimanë nga Shqipëria do të udhëtojnë në vendet e shenjta për të kryer ritualin e Haxhit, një prej pesë kushteve të fesë Islame.

Mësohet se këtë vit janë rreth 450 besimtarë që do të udhëtojnë nga Shqipëria për të kryer Haxhin, ku pjesë e tyre janë edhe besimtarët nga Mali i Zi. Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët muslimanë nga Shqipëria është 3.000 euro.

Këtë vit numri i besimtarëve të regjistruar për të kryer Haxhin, është më i lartë se në krahasim me një vit më parë, ku udhëtuan rreth 370 besimtarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit