12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shprehja الرحمة “mëshirë” në Kuran

Më të lexuarat

Shprehja mëshirë është koncept islam origjinal. Është përmendur në Kuran në më tepër se dyqind e gjashtëdhjetë e tetë vende. Në shumicën e këtyre vendeve është përmendur në trajtën e emrit, si fjala e Allahut të Lartësuar: “Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti” (Bekare, 37), ndërsa në katërmbëdhjetë vende është përmendur në trajtën e foljes, si fjala e Allahut të Madhërishëm: “Ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!” (A’raf, 149).

Shprehja mëshirë nënkupton butësinë, dhembshurinë, faljen dhe ndjesën.

Shprehja “mëshirë” në Kuran është përmendur me disa kuptime, prej të cilave përmendim

– Mëshirë, që është cilësi e Allahut të Lartësuar, atëherë ajo i pohohet Atij, ashtu siç i takon Madhërisë dhe Krenarisë së Tij. Si fjala e Allahut të Madhërishëm: “Ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë” (A’raf, 156), gjithashtu fjala e Tij: “Zoti yt është i Vetëmjaftueshëm dhe Zotëruesi i mëshirës” (En’am, 133). Dhe mëshira në kuptimin e cilësisë së Allahut është përmendur më së shumti në Kuran.

– Mëshirë, me kuptim të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut” (Bekare, 218). Do të thotë që shpresojnë që Allahu t’i mëshirojë dhe t’i fusë në xhenetin e Tij me begatinë e mëshirës së Tij ndaj tyre.

– Mëshirë, me kuptim të profetësisë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Por Allahu ia dhuron mëshirën e Vet kujt të dojë” (Bekare, 105). Thotë Ali b. Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, : “ia dhuron mëshirën e Vet kujt të dojë, do të thotë profetësinë. Allahu e zgjodhi Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. Me kuptim të tillë është edhe fjala e Allahut: “Nga ana e Tij më ka ardhur një mëshirë” (Hud, 28), do të thotë profetësia dhe mesazhi nga Allahu.

– Mëshirë me kuptim të Kuranit. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen” (Junus, 58). Mëshira këtu e ka kuptimin e Kuranit, siç është transmetuar nga Hasani Basriu, Dahak, Muxhahid dhe Katade.

– Mëshira me kuptimin e shiut. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij” (A’raf, 57). Taberiu thotë: “Mëshirën të cilën e ka përmendur Allahu i Madhërishëm në këtë vend e ka kuptimin e shiut. ” Gjithashtu me këtë kuptim është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj” (Rum, 50).

– Mëshira me kuptimin e begatisë dhe furnizimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim” (Isra, 100). Bejdaviu thotë: “Thesaret e furnizimit të Tij dhe të gjitha mirësive të Tij”. Në këtë kontekst është edhe fjala e Allahut: “Begatitë, që Allahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush” (Fatir, 2).

– Mëshira me kuptimin e ndihmës. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “Kush është ai, që do t’ju ruajë nga Allahu, nëse Ai dëshiron që t’ju godasë e keqja?! Kush mund ta pengojë Atë, nëse Ai do që t’ju japë mëshirë?!” (Ahzab, 17). Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Do të thotë nëse Ai do që t’ju japë mirësi, ndihmë dhe shëndet”.

– Mëshirë me kuptim të faljes dhe pendimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues” (En’am, 54). Do të thotë se Allahu i Lartësuar e pranon nga robërit e Tij pendimin dhe kthimin drejt Tij. Gjithashtu, me këtë kuptim është edhe fjala e Allahut të Madhërishëm: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti” (Zumer, 53). Do të thotë mos e humbni shpresën nga falja e Tij.

– Mëshirë me kuptimin e dhembshurisë dhe dashurisë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre” (Fet’h, 29). Begaviu thotë: “Ndiejnë dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, janë të dashur ndërmjet tyre si djali me babanë”. Në këtë kontekst është edhe fjala e Allahut të Plotfuqishëm: “Kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë” (Hadid, 27), do të thotë mbollëm dashuri.

– Mëshirë me kuptimin e mbrojtjes. Allahu i Lartësuar thotë: “Sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” (Jusuf, 53) Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përveç atij që e mbron Allahu i Lartësuar”.

– Mëshirë me kuptimin e shpërblimit. Allahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve” (A’raf, 56). Seid b. Xhubejr thotë: “Mëshira këtu e ka kuptimin e shpërblimit.”

– Mëshira me kuptimin e pranimit të lutjes. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij- Zekerijas” (Merjem, 2) Shevkani thotë: “Do të thotë pranimi i lutjes së tij kur e luti Allahu ti dhurojë fëmijë.”

Përgjithësisht, shprehja mëshirë është prej shprehjeve universale dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin e së cilës futet çdo mirësi dhe dobi që i kthehet njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj, nuk është për tu çuditur kur gjejmë në librat e komentimit të Kuranit kur dikush e komenton shprehjen mëshirë në ndonjë vend me ndonjë prej kuptimeve të saj ndërsa në vende tjera me kuptime të tjera. Këtë e gjykon në fund të ajetit konteksti i fjalisë dhe dija e komentuesit. Allahu e di më së miri!

Përgatiti: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit