7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shpjegimi mjekësor i deformimit të veshit te sportistët e UFC-së

Më të lexuarat

Veshi lulelakër, i njohur po ashtu si hematoma perikondriale ose veshi i yjeve të sporteve luftarake, është një deformitet në vesh që shkaktohet nga trauma.

Termi ‘veshi lulelakër’ i referohet një deformiteti në vesh të shkaktuar nga trauma topitëse ose lëndimet tjera, të cilat rëndom ndodhin në artet e përziera marciale. Në rast se nuk mjekohet, lëndimi shkakton një bllokadë që ndalon rrjedhën e gjakut dhe e dëmton indin. Kjo rezulton me një pamje me ‘gunga’ të veshit që ngjan me lulelakrën.

Te njerëzit e zakonshëm, format e lëndimit që shkaktojnë ‘veshin lulelakër’ janë të parandalueshme duke mbajtur veshje mbrojtëse në kokë, mirëpo te aplikuesit e arteve marciale është vështirë të parandalohet.

Shkaktarët

Shkaktari më i shpeshtë i ‘veshit lulelakër’ është goditja në vesh ose goditjet e përsëritura – që shkaktojnë hematoma ose grumbullime të vogla gjaku që mpiksen dhe bllokojnë rrjedhën e gjakut dhe nutricientëve. Kjo mund të ndodhë po ashtu edhe kur lëkura tërhiqet nga kërci (indi gjysmë i ngurtë që i jep formë veshit).

Zakonisht, ‘veshi lulelakër’ lidhet me lëndimet sportive, mirëpo jo gjithmonë. Çfarëdolloj traume në vesh mund ta shkaktojë atë. Madje mund të jetë edhe pasojë e një infeksioni në laprën e veshit.

Kur qarkullimi i gjakut është i bllokuar, kërci i përfshirë mund të nekrotizohet (vdesë) dhe pa indin mbështetës të paloset në vetvete. Me kalimin e kohës, efekti mund të bëhet më i dukshëm dhe i përhershëm. Lajmi i mirë është se ‘veshi lulelakër’ mund të parandalohet edhe pasi të ketë ndodhur lëndimi.

Faktorët e rrezikut

‘Veshi lulelakër’ shfaqet më së shpeshti te njerëzit që merren me sporte kontakti, si artet e përziera marciale, mundje dhe boks. Te mundësit, mund të shfaqet si rezultat i fërkimit të kokave apo përplasjes së tyre gjatë dueleve. Ky deformitet është shumë më i shpeshtë të aplikuesit e arteve të përziera marciale (MMA), njëherësh mund të shfaqet edhe te sportistët e ragbit, prandaj duhet të mbrohet koka te këta sportistë.

Simptomat

Simptomat fillestare të paraqitjes së këtij deformiteti janë të ngjashme me ato që përjetohen gjatë goditjeve topitëse në vende të tjera të trupit. Mund të shfaqet ënjtje në zonën e goditjes, e cila mund të skuqet apo të mavijoset. Prandaj nuk duhet anashkaluar simptomat e këtilla nëse keni pësuar goditje në vesh. Trajtimi i shpejtë mund ta parandalojë shfaqjen e deformitetit, por duhet të bëhet para se indi të komprometohet nga mungesa e qarkullimit të gjakut.

Trajtimi

Nëse përjetoni një lëndim që mund të shkaktojë bllokadë në indet e veshit tuaj, akoma ekziston shansi që të shmangni zhvillimin e veshit lulelakër. Qëllimi i mjekimit është që të lirohet bllokimi, në mënyrë që gjaku të qarkullojë sërish në indet e prekura.

Mjeku mund ta arrijë këtë duke për një prerje të vogël dhe duke e drenuar gjakun e grumbulluar ose duke hequr mpiksjen dhe duke e parandaluar gjakderdhjen e mëtutjeshme. Indet duhen të rilidhen duke përdorur qepje dhe duke aplikuar fasha të veçanta për të bërë presion në atë pjesë. Kjo shtypje duhet të qëndrojë disa ditë deri në një javë. Zona e përfshirë duhet të monitorohet për shenja të infeksionit ose nëse është nevoja për trajtim shtesë. Mjeku mund të përshkruajë edhe antibiotikë.

Parandalimi

Gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të parandaluar deformimin e veshit është duke mbajtur një mbrojtëse të posaçme në kokë gjatë aplikimit të sporteve të kontaktit që rrezikojnë traumën në vesh.

Sportistët duhen rikujtuar të mbajnë mbrojtëse në kokë sidomos gjatë stërvitjeve, kur kihet parasysh se gjatë meçeve zyrtare profesionale nuk mund të kenë një mbrojtje të tillë.

Një hap tjetër i rëndësishëm të qenit i vetëdijshëm për rreziqet e deformimit dhe të bëhen kontrolle të rregullta, në mënyrë që mjeku të vlerësojë traumën në vesh, edhe pse mund të duket vetëm sipërfaqësore. Mjekimi mund të ndihmojë që të parandalohet efekti i shëmtuar estetik dhe deformimi i përhershëm i ‘veshit lulelakër’. Mirëpo, duhet bërë shumë shpejt pas lëndimit, në mënyrë që mjekimi të jetë efektiv.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit