11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Shpërthen trajneri danez: Neveri për shqiptarët

Më të lexuarat

Barazimi me Shqipërinë e ka lënë dukshëm të zhgënjyer trajnerin e Danimarkës, Morten Olsen, i cili pasi vlerësoi për një moment strategjinë e kolegut De Biazi, shpërtheu në akuza ndaj UEFA-s.

“Ata aplikuan një presion të madh ndaj nesh. Kjo lëvizje ishte një surprizë e madhe dhe ne ishim nervozë në lojën tonë. Nuk u treguam aq të zgjuar sa duhet me topin në pjesën e parë. Nëse do ta kisha ditur mënyrën se si ata e kishin organizuar strategjinë, ndoshta do të kisha vepruar ndryshe”, tha Morten Olsen, duke ia vënë fajin paraqitjes jo të mirë në pjesën e parë.

Në fakt, Morten Olsen u shpreh se ishte gati të bënte ndryshime që pas 20 minutave të para, por më pas kishte vendosur të priste pushimin e ndeshjes për të bërë edhe lëvizjet e para.

“Në pjesën e dytë i riparuam defektet. Ishim më të rrezikshëm, krijuam më shumë raste për gol dhe prisnim që ta fitonim ndeshjen”, shtoi tekniku danez, teksa vlerësoi edhe paraqitjet e Jusuf Polsenit dhe Riza Durmishit.

“Ne morëm rezultatin e dytë më të mirë të mundshëm dhe duhet ta pranojmë. Tani duhet ta marrim veten dhe të fitojmë në ndeshjen e së hënës”, theksoi trajneri i Danimarkës.

Por më tej Olsen u lëshoi në një sulm direkt ndaj UEFA-s dhe kombëtares shqiptare për mungesë “fair-play”. Tekniku danez përmendi faktin se njeriu që ngriti dronin më 14 tetorin e viti të kaluar në Beograd kishte udhëtuar për në Danimarkë dhe se kishte pozuar në një foto me lojtarët e kombëtares.

“Ndjeva neveri për foton e njeriut që ngriti dronin në Beograd me lojtarët e Shqipërisë, që e pashë para se të dilnim nga hoteli. Ky gjest nuk ka lidhje fare me ‘fair-play’-n. Ky gjest ma shpifi dhe e theksoj nuk është ‘fair-play’. Ende nuk e kuptoj vendimin që mori KAS-i (që i dha Shqipërisë fitoren 3-0 në tavolinë për ndeshjen me Serbinë). Gjithashtu, nuk e kuptoj faktin që UEFA nuk reagoi fare ndaj këtij vendimi. Kjo është anti-sportive”, tha tejet i nervozuar Morten Olsen./Sport Ekspres

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit