20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe me anëtarët e saj solidarizohen me popullin palestinez

Më të lexuarat

Nisur nga marrëdhëniet historike-vëllazërore midis popullit shqiptar dhe atij palestinez dhe duke marrë shkas nga ngjarjet fundit në Palestinë, ku humbën jetën mbi 70 palestinezë, në mesin e të cilëve shumë gra dhe fëmijë të pafajshëm, ngjarje të cilat u dënuan nga OKB-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe nga komuniteti ndërkombëtar,Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe me pjesëmarrjen e një grupi qytetarësh organizuan në Tiranë, para disa ditëve një tubim paqësor në mbështetje të popullit palestinez, pas martirizimit të dhjetëra palestinezëve nga forcat izraelite gjatë protestave të tyre paqësore në kufirin e Gazës.

Tubimi është mbajtur pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”,në bashkëpunim me ambasadën palestineze në Shqipëri.

Pjesëmarrësit me pankarta në duar si “Xhamija Al-Aksa, qyteti Kuds janë vijat e kuqe të besimit Islam” dhe me flamujt e Palestinës kanë shprehur mbështetjet e tyre për popullin palestinez.

Pjesë e tubimit ishin edhe përfaqësuesit e ambasadës së Palestinës në Tiranë, si dhe palestinezë që jetojnë në Shqipëri.

Qytetarët shqiptarë në këtë tubim kanë shprehur solidaritetin e tyre për popullin dhe autoritetin qeverisës të Palestinës.

Sipas organizatorëve tubimi është mbajtur duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në Palestinë.

Në lidhje me këtë tubim dhe për të mësuar më shumë rreth deklaratave të lëshuara kohët e fundit nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe për mbështetjen e saj ndaj kauzës së ligjshme palestineze dhe të njohur ndërkombëtarisht, intervistuam  ekskluzivisht për Radio “Zëri i Turqisë” – TRT në Shqip, kryetarin e kësaj shoqate, z. Muammar Vuci.

Zotëri Vuci para pak ditëve në Tiranë u organizua një tubim paqësor në mbështetje të popullit palestinez, cili ishte synimi i tubimit?

Më 15 maj Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe në bashkëpunim të plotë me ambasadën e Palestinës në Tiranë planifikuan për të bërë një tubim paqësor, një solidarizim për datën 15 maj, pikërisht 70-vjetori i pushtimit të Palestinës, por edhe si një ngjarje e fillimit të kthimit të madh në tokën e tyre palestineze.

Ngjarjet e ditëve të fundit kanë krijuar një tronditje të madhe në opinionin botëror.

Fakti që Gaza është bërë një arenë e tmerrshme, ku para disa ditëve 68 vetë u vranë, si dhe  shumë ngjarje të tjera në Gaza e vende të tjera të Palestinës.

Akti i ndërrmarrë nga ShBA-ja për të njohur Jerusalemin, si kryeqytet të Izraelit dhe për të transferuar ambasadën amerikane në Jerusalem është tamam një akt që është denoncuar rëndë nga gjithë organizmat ndërkombëtare si: OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe të gjithë shtetet e botës pa përjashtim. Fakti që e kanë përkrahur 2-3 shtete këtë veprim të tyre, tregon se nuk duhet të ishte bërë, për arsye se Izraeli pret raste të tilla për lëshime, për të kthyer në gjakderdhje këto ditë, të cilat u realizuan me jëtë njerëzish për të vënë me çdo kusht  funksionimin e ambasadës.

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me këtë çështje. Në të thuhet se:  është koha të mos luhet më me popullin arab të Palestinës, sepse ka 70 vite i martirizuar, si dhe mos të luhet më me popujt arabë, 400 milionë banorë. Pikërisht, Iraku, Libia dhe Siria janë që padisin mjaft me këtë llahtarje të madhe vrasjesh, ku që nga viti 2011, pra nga ditët e para të Pranverës Arabe e deri më tani janë vrarë rreth 1 milion njerëz.

Në këtë këndvështrim, ambasada palestineze na kërkoi bashkëpunim dhe ne u treguam të gatshëm për të zhvilluar një tubim paqësor. Në këtë aspekt, Drejtoria e Policisë Tiranë u tregua shumë korrekte, e cila përcaktoi vendin para piramidës dhe ne në orarin siç ishte e përcaktuar në shkresë filluam veprimtarinë. Në këtë veprimtari që duhet të ishin më shumë pjesëmarrës, më vjen keq ta them, por këtu disa istitucione me fjalë të bukura e me fjalime e ligjërime dalin në përkrahje të çështjes palestineze, por kur është puna për të dalë në shesh dhe për të protestuar paqësisht si gjithë bota, jo vetëm nuk dalin, por edhe struken fare. Kjo mua më indinjon, sepse vetë çështja palestineze, nuk është një çështje e thjeshtë, por Palestina që nënkupton edhe qytetin e Kudsit (Jerusalemin), xhaminë Al-Aksa nënkuptojnë simbolet e mëdha të islamizmit botëror. Me të drejtë, Presidenti turk, Erdogan ka thënë: “Jerusalemi është bebja e syrit të botës islame”. Kjo thënie e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan është taman sintezë e asaj që e ka mendjen dhe veprimin konkret ndaj botës arabe dhe gjithë botës myslimane në përgjithësi për këtë qytet të shenjtë. Atëherë pse organizmat shqiptare nuk lëvizin? Pa përjashtim i kritikoj të gjitha, në fakt pjesëmarrja e tyre duhet të ishte e domosdoshme dhe morale… 

Zotëri Vuci, si e gjykoni qëndrimin e shtetit shqiptar në krah të Bashkimit Europian për kundërshtimin e kalimit të ambasadës së ShBA-së në Kuds?

Edhe në shtypin shqiptar e kam trajtuar këtë problem dhe më vjen mirë që qeveria shqiptare e ka përkrahur politikën europiane. Pra, Shqipëria që dëshiron me hy në Bashkimin Evropian është plotësisht solidare me këtë veprim. Lind pyetja po të tjerët? Pjesa më e madhe e Këshillit të Sigurimit dhe të OKB-së kanë kundërshtuar tranferimin e ambasadës amerikane në Jerusalem. Shqipëria që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian cilën politikë do të ndjekë, politikën e BE-së apo ne nuk duhet t’ia prishim Amerikës!? Këta njerëz që mendojnë se ne do të prishemi me ShBA-në, gjë të cilën e kam thënë dhe në media të tjera, atëherë ju pyes ju: Anglia që është miku më i madh i Amerikës, si ka mundësi që është kundër saj për armatim? Shtetet e Bashkuara, të cilat qysh në ditët e para kanë pushtuar Libinë, Irakun dhe Sirinë, këtë pushtim në tokat arabe nuk e kanë realizar pa pyetur Anglinë! Atëherë, si i del Anglia kundra? Pra, kjo nuk është një çështje anti-amerikane, por është një çështje anti-izraelite (kundër politikave të qeverisë së Izraelit) dhe politika shqiptare nuk është shprehur kundër Izraelit si popull, por kundra një akti terrorist që mund të ndodhë më vonë. Kjo është esenca e asaj që them unë.

-Meqënë se kjo intervistë realizohet për Radio-Televizionin e Turqisë, TRT, cili do ishte mesazhi i juaj? Do vazhdoni ju përpjekjet tuaja me tubimet të tjera paqësore apo me deklarata në mbështetje të popullit palestinez?

Unë përshëndes presidentin turk, Rexhep Taiip Erdogan, i cili në këtë momente historike është treguar një aleat e besnik i vërtetë i popullit arab, në veçanti i Sirisë. Unë përsonalisht e kam përshëndetur atë në Twitter, ku 3.5 milion e gjysëm sirian nuk i mbanë tjetër shtet, vetëm populli  dhe shteti turk. Kjo është një provë  e  madhe që tregon se këtu ka vepra humane dhe jo llafe dhe perdredhje politike.

Përsa i përket perspektives, Turqia mundet që do të thërasë mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Konferencës Islamike dhe të dalin me një rezolutë konkrete për Palestinën. Unë që e njoh çështjen palestineze dhe që e kam mbrojtur edhe me shqiptarë të huaj është se duhet zgjidhur sipas rezolutave ndërkombëtare çështja palestineze. Ajo është themra e Akilit për gjithë Lindjen e Mesme dhe kjo 70 vite luftë ka shkaktuar një damkosje të rëndë dhe autori kryesor i saj është Netanjahu, kryeministri i Izraelit. Duhet ta dinë të gjithë se që kur ai ka ardhur në pushtet, ka vrarë deri tani 15 mijë fëmijë palestinezë. Ajo që më çudit më tepër është sepse ky del e jep leksion për paqen, për humanizmin, për një shtet tjetër që prodhon bombën, për një shtet që është gati për të luftuar, kur vetëçdo ditë vret njerëz. Me të drejtë, ne shqiptarët ndihemi të shokuar kur çdo ditë shohim fëmijë, gra, pleq të vrarë në mes të rrugës në Gaza e në gjithë Palestinën.

Si përfundim, aleati kryesor i kauzës palestinesë për mendimin tim, sot, përveç botës arabe, Turqia zë vend të parë.

Këtu, përshendes edhe kryeministrin turk, Yildirim që diti t’i tregojë vendin çdo shteti që nuk është duke treguar solidarizim me Palestinën…

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit