8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Shkrim fenomenal për rastin e hoxhës Bedri Lika nga intelektuali i Tiranës

Më të lexuarat

Kali si kafshë fisnike dhe kritikët e komunikimi

“Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” Ali Imran 14.
Ne i falëm Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit! Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: “Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit. M’i ktheni ata (kuajt)” – e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre.” Sad 30-33.
“Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë duke dihatur, që nxjerrin xixa nga thundrat dhe trokojnë për sulm në mëngjes, duke çuar re pluhuri, ndërsa çajnë armikun në dysh, se njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet, dhe ai, pa dyshim, këtë e dëshmon.” Adijatë 1-7.

 

-Jeta moderne na ka bërë që të humbasim lidhjen me fshatin dhe të shkëputemi për të hyrë në një botë virtuale të pafund të rrjeteve sociale. Pajtonet me kuaj tashmë janë një tipar jashtëzakonisht i rrallë në Tiranë dhe në metropolet tona të Prishtinës, Shkupit apo edhe të fqinjëve tonë. Mirëpo pavarësisht kësaj kur përmendet emërtimi kalë, njerëzit reagojnë gjithnjë sipas mënyrës së vet. Psh. po të thuash “punoi si kalë” nënkuptohet se ka punuar shumë ai person dhe është punëtor. Termi kalë rrallë ka marrë konotacione negative në të folur, për shkak edhe se kali është një kafshë e bukur. Në ajetet e mësipërme Allahu i Madhëruar na tregon, se njerëzit e duan shumë këtë kafshë të bukur dhe fisnike, pra në kulturën e gjerë myslimane kali ka gëzuar një pozitë të pëlqyeshme dhe ka qenë një lloj dhurate e vyer, e cila tregonte dashuri dhe respekt për atë që do ta merrte këtë dhuratë. Hasreti Sulejmani u hutua nga bukuria e kuajve, të cilët i dashuronte dhe Allahu i Lartësuar betohet për kuajt. Nuk ka dallim në janë meshkuj apo femra kuajt, ata janë njësoj të bukur apo të vlefshëm. Kali është një kafshë e dashur për njeriun në të gjithë kulturat njerëzore të Lindjes apo të Perëndimit, të veriut apo të jugut. Ndërkaq në trojet shqiptare për atë që nuk kupton dhe është i pagdhendur i thuhet se është gomar, apo magjar, apo edhe përdoret një kalk sllav: “ik o lopë ose lopë”. Përdorimi i këtij ofendimi është i rëndomtë në trojet kosovare apo edhe te një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë, pavarësisht se lopa është një kafshë prej së cilës përfitojmë shumë të mira. Madje kemi edhe ndonjë përdorim të mirë të këtij termi, si fjala vjen: “është lopë race”, “lopë holandeze”…

 

E gjithë kjo hyrje ishte për të thënë se termi kalë kur përdoret nuk ka konotacione negative, në ndryshim nga termi lopë, i cili i merr konotacionet negative në të folurin e përditshëm. Mirëpo jeta qytetare për shumëkënd i ka bërë të largëta këto përdorime, si dhe kultura dominante apo subkulturat e sotme që po krijohen nga rrjetet sociale na bëjnë që të largohemi me vite dritë larg nga realiteti. Fjalimi i zhvarrosur i një hoxhe (zhvarrosja e fjalimeve po kthehet në një tipar të zakonshëm nga portalet për të fituar click-un) na e bën më të qartë këtë realitet, i cili po bëhet edhe më i dhimbshëm në debatet tona, të cilët po karakterizohen nga patetizmi dhe se kush mund ta kapi situatën i pari për të sjellë analizën e vet, apo humorin e sarkazmin e vet. Pavarësisht përdorimit të termit është e dukshme që hoxha është përpjekur të bëjë një paralelizëm për t’ua shpjeguar më thjesht xhematit të vet rolin e gruas. Edhe ata që i bënë kritikën e ashpër këtij fjalimi e morën një përgjigje pozitive nga hoxha, i cili e shikoi “si gabim” atë mënyrë të shprehuri. Pra kërkoi falje dhe kjo tregoi se ai si hoxhë është edhe një njeri, që mund të gabojë dhe që di të kërkojë edhe falje pa u kompleksuar. Hoxha nuk mund t’i dijë të gjitha, pavarësisht se ne presim prej tij të gjitha. Devotshmëria, ndershmëria, shkalla e dijes janë disa elemente të nevojshëm për t’i pasur një hoxhë, si edhe përvoja në punën e tij të përditshme, sepse edhe hoxha nuk është një engjëll i rënë nga qielli. Edhe ai mëson nga gabimet e veta, përvoja e vet, por edhe e hoxhallarëve të tjerë.

 

Ajo që kaluan manash kritikët e rreptë të hoxhës pavarësisht gjuhës së ashpër apo dashamirëse që përdorën ishte se: Përse u la manash ai që e shkrepi armën? Kush e tërhoqi këmbëzën? Pse e tërhoqi këmbëzën e armës për ta kthyer hoxhën në TARGET? Kush ishte dorërasi sipas kanunit në këtë rast? Kjo është edhe pjesa më shqetësuese e kësaj historie që po përsëritet rregullisht për t’i kompleksuar njerëzit dhe përdorimin që i bëjnë ata rrjeteve sociale.
P.S. – me siguri që reagimet do të vazhdojnë dhe nuk mund të mbyllen as nga një shkrim si ky, dhe janë perceptimet ato që mund t’i kemi të sakta apo të pasakta, e për pasojë do ta mbajnë këtë debat të hapur vazhdimisht.

Roald A. HYSA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit