13.3 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Shkarkimi i ministrit Sefaj, AKR pritet që nesër të merr vendim

Më të lexuarat

Aleanca Kosova e Re ende nuk ka pranuar shkarkimin e ministrit Flamur Sefaj nga Ministri i Punëve të Brendshme. Edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj të premten kishte kërkuar që ministri Sefaj menjëherë të largohet nga detyra, AKR-ja ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këtë.

Sot gjatë ditës ky subjekt ka mbajtur mbledhje me anëtarët e kryesisë dhe deputetët e saj, mirëpo nuk është diskutuar rreth çështjes së ministrit Sefaj.

Kështu të paktën ka thënë për Telegrafin, kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi.

Matoshi është shprehur se një vendim rreth shkarkimit të ministrit Flamur Sefja, AKR do të mund ta merr gjatë ditës së nesërme.

“Po është e vërtetë që kemi mbajtur mbledhje sot, ka qenë një mbledhje e rregullut dhe nuk është diskutuar për shkarkimin e ministrit Sefaj. Besoj që nesër do të merret një vendim lidhur me këtë”, ka thënë Matoshi.

I pyetur se a do të propozojnë një emër të ri në vend të ministrit Flamur Sefaj për të udhëhequr me MPB-në, Matoshi ka theksuar se fillimisht duhet të merret vendimi në lidhje me Sefajn e pastaj do të shikojnë çështjet tjera procedurale.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka kërkuar lirimin nga detyra të ministrit të AKR-së, Flamur Sefajt për shkak të aksionit policor që arrestoi dhe deportoi më pas për në Turqi gjashtë shtetas turq, aksion ky për të cilin Sefaj nuk e kishte informuar kryeministrin fare.

Të njëjtën kërkesë Haradinaj i ka nisur edhe shefit të AKI-së Driton Gashit, por për këtë të fundit duhet miratimi edhe i presidentit të vendit, i cili ende nuk është deklaruar për këtë çështje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit