12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Shishja e bojës

Më të lexuarat

Një i ditur, i urtë dhe i pasur njëkohësisht, po u jepte mësim nxënësve të vet të cilët ishin ulu rreth tij. Në një moment, një burrë i huaj dhe i panjohur u ul mes tyre. Askush nuk e njihte, por nga pamja, dukej dinjitar, pavarësisht pikëllimit që i dallohej qartë në fytyrë.
Ai dëgjonte shpjegimin e burrit të ditur pa folur aspak, ndërkohë që në dorë mbante një shishe me bojë.
I dituri e ndërpreu shpjegimin, i hodhi një vështrim në fytyrë burrit të huaj dhe pasi e vërejti mirë i tha:”Zotëri! Mos ke ndonjë pyetje apo ndonjë hall dhe si mund të të ndihmojmë?”
Burri ngriti kokën dhe u përgjigj:”As njërën dhe as tjetrën. Unë jam tregtar dhe më njerëzit e mi më folën shumë për dijen, vlerat dhe dinjitetin tuaj. Bazuar në çfarë dëgjova, erdha t’ju shes këtë shishe me bojë e cila nuk çmohet me para. Jam betuar që të mos ia shes veçse një dinjitari që e meriton dhe nga qëndrimi mes jush jam i bindur që e meritoni.”
Pa folur më tepër, tregtari brofi në këmbë dhe ia dorëzoi shishen burrit të ditur, i cili, nga ana e tij, filloi ta kundrojë gjithë kureshtje. Herë rrudhte ballin, herë shprehte habinë e tij për bojën në shishe.
Në fund, e pyeti tregtarin:”Sa e shet?”
Tregtari u përgjigj:”Njëqind dinarë floriri!”
I dituri i tha:”Është shumë pak. Do të paguaj njëqind e pesëdhjetë dinarë.”
Tregtari ndërhyri dhe shtoi:”Dua njëqind dinarë floriri, as më shumë e as më pak.”
I dituri iu drejtua djalit të tij dhe i tha:”Shko tek jot ëmë dhe kërkoji njëqind dinarë floriri!”
Pasi i biri u kthye me qesen me florin, i dituri ia zgjati tregtarit të huaj i cili nga ana e tij i dorëzoi shishen me bojë, sipas marrëveshjes, mandej u largua duke shprehur mirënjohje.
Pasi u larguan të gjithë nxënësit e njeriut të ditur, të çuditur me çfarë kishin parë e dëgjuar atë ditë, pasi një shishe bojë ishte shitur njëqind dinarë floriri, vetë i dituri ishte hyrë në dhomën e vet për të pushuar. Ndërkohë, i biri, po vlonte nga kurioziteti. Çfarë boje ishte ajo në atë shishe që i kishte kushtuar të atit njëqind dinarë floriri?!
Shko dhe e mori në dorë atë shishe të çuditshme të mbushur me bojë, e hapi, derdhi pak bojë në dorë, i mori erë, e preku … por s’kishte asgjë të veçantë, thjesht bojë e zakonshme.
Një ndjenjë zemërimi e pushtoi, prandaj dhe u turr me vrap drejt dhomës ku pushonte i ati.
“Baba! Ta ka hedhur ai tregtari i huaj! Pasha Zotin nuk të ka shitur më shumë se një shishe me bojë të zakonshme. Mori njëqind dinarë floriri për një shishe bojë! Se kuptoj nëse më duhet të çuditem me shejtanllëkun e tij apo me naivitetin tënd.”
I dituri i buzëqeshi lehtë dhe i tha:”O bir! Ti e pe me sytë e ballit dhe ajo që dallove ishte bojë. Unë e pashë me syrin e zemrës dhe me sytë e përvojës time në jetë, prandaj dhe ajo që dallova ishte se ai burrë kishte ardhë me bojën e fytyrës, të cilën refuzoi ta derdhë para gjithë atyre njerëzve. Ai ishte njeri fisnik që e ruante bojën e fytyrës duke mos u përulur në çfarëdo situate dhe nuk pranon të lypë. Atij i duhej ajo shumë prej njëqind dinarësh floriri për një hall që i kishte rënë në kokë, nuk deshte as më shumë e as më pak. Falënderoj Zotin që më frymëzoi dhe arrita ta kuptoj domethënien e fshehtë të fjalëve të tij, duke ia ruajtur dhe bojën e fytyrës.
O bir, nëse mundesh ta kuptosh nevojën e hallin e tjetrit pa ta treguar, bëje dhe ndihmojë sa të mundësh. Vizitoji dhe interesohu për gjendjen e familjarëve, fqinjëve dhe njerëzve të dashur, ndoshta, mund të jenë në hall të madh, por që fisnikëria dhe dinjiteti nuk I lejon ta derdhin bojën e fytyrës duke lypur. Zgjidhua hallin pa folur. Një i mençur ka thënë:”Nëse nuk e dëgjon dot heshtjen e mikut tënd, s’ke për ta dëgjuar dot as fjalën e tij.”

Marrë nga Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit