8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

SHËNIM/ Çmenduria më e fundit islamike?! Po e para or mendjelig?

Më të lexuarat

Nga Bujar M. Hoxha

“Çmenduria më e fundit islamike: Ndalohet loja e shahut!”, “Çmenduria Islame, Arabia ndalon lojën e shahut”, “Feja islame ndalon shahun”. Janë këto tre tituj bombastikë që kanë qarkulluar dje e vijojnë të qarkullojnë sot po ashtu në një sërë portalesh, këtu e në Kosovë, të pasuar nga një përmbajtje e materialit po aq bombastike, jo për shtjellimin e për atë çka thotë, por ngaqë nuk të thotë asgjë e shpërfaq hapur tendenciozitet.

Zanafilla është te një artikull i The Guardian-it, që citon kryemyftiun e Arabisë Saudite teksa i përgjigjet një pyetjeje të bërë në një emision televiziv.

Të interesuarit nuk i kanë shkuar deri në fund artikullit të britanikes, por shpejt e shpejt kanë përkthyer veç ato paragrafe që u shkonin për shtat e kanë formuluar një lajm allashqiptarçe.

Nuk janë munduar as të lexojnë një tjetër artikull te Independent, që është më qartësues, sepse nuk e kanë pasur hallin me vetë lajmin. E as të shohin se vetë ngjarja nuk është e freskët, se çështja nuk është siç duan ta paraqesin ata, nuk është bardhë e zi, siç e sqaron vetë The Guardian në titull.

Për të dalë pastaj me titujt e cituar më lart, që e pakta fare janë provokues e të padenjë. Lajmi vetë, më tepër një përkthim shkel e shko, është i njëjti kudo. Me të vetmin ndryshim, që secila palë është mundur të gjejë titullin më spikatës, më goditës, më provokues.

Të futesh në teknikalitetet e çështjes do të thotë të biesh në kurthin e ngritur nga lajmshkruesit anonimë të njohur nga të gjithë. As më intereson fare në shahu ndalohet në Arabinë Saudite. As duhet të na interesojë fare në shahu është ndaluar apo do të ndalohet në atë vend e kudo tjetër. Atje është mjedis tjetër, janë rrethana të tjera, ka mendësi tjetër, e kështu ndalimi i shahut mund të jetë i arsyeshëm, por edhe absurd, ku i dihet! Për të mos u hyrë çështjeve teorike fetare.

Or mendjefyell, o kokëgdhe, a ty të ka mbetur t’u japësh hall këtyre çështjeve, të përcaktosh se ç’është çmenduria e fundit islamike?! Nuk jemi qendra e botës ne; jemi veç fundi i saj. Mbushur me të këqija që na mjaftojnë për t’u marrë gjithë ditën me to. A i dhamë drejtim të përditshmes tonë, e tani kemi siklet vetëm shahun? A e kuptuam se nga po shkojmë, për nga jemi nisur, e na mbeti ky hall në derë? Kemi shumë rrugë për të bërë, shumë pikëpyetje për të zgjidhur, derisa të vijmë te puna e shahut. Nuk është punë për ne kjo!

Or njeri! Or lumëzi! Mos ki dert fare! Ti mund të luash si të duash e kur të duash shah. Për qejf a për bixhoz, e ke ti në dorë. Mund t’i lëvizësh edhe figurat e shahut ndryshe, jo siç përcaktohet në vetë lojën. Mund të luash ditën e natën, me drita e pa drita, pa fund. Pa merakun se mund të të pengojë “çmenduria e fundit islamike”.

Por para se të kërkosh të bësh “shah mat”, ke ca hapa të tjerë që të presin. Mëso të shkruash shqip, të formulosh një lajm, t’i japësh thelb lajmit, të mos e gënjesh lexuesin, t’ia përcjellësh të tërë atë së cilës i je referuar, e jo t’ia lësh qëllimisht të mangët. E, ç’është më kryesorja, të mos shërbesh si zjarrvënës. Pastaj vijnë çështjet madhore. Ke “kohë” për to!

Ndërkaq, merru më mirë me Kardashianin!

/tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit