SHËNIM: Çfarë e dallon Mustafa Nanon nga Fatos Lubonja?

0

Të dy janë zëra të fuqishëm publikë dhe po të dy kanë provokuar me cekjen e temave të ndjeshme. Që do të thotë se kanë po ashtu që të dy një lloj kontraversaliteti në qëndrime për ndonjë aksh çështje.

Lubonja dallon tek ajo nacionale dhe historike. Prej vitesh, veç qëndrimeve politike, ai është angazhuar fort intelektualisht në çmitizimin e historisë shqiptare (rasti Skënderbeu) por dhe të akualitetit (Nënë Tereza e Kadareja), ku që të trija kanë indikacione sociale në të tashmen tonë të përditshme.

Por cili ka qenë shtrati moral i këtyre qëndrimeve tek Lubonja?

Ai gjithnjë e potencon: interesi publik. Me kritikat e tij, qëndrimet e tij anti-berihaj, me kurajon e tij për të ecur kundër rrymës, Lubonja beson se kështu po e ndih ndërgjegjen shqiptare që ta çlirojë veten nga një prangosje mitizuese e cila nuk e lë të mbrothësohet, sidomos kulturalisht. Më qartazi, shqiptarit të sotëm, për t’u zhvilluar dhe europianizuar nuk i nevojitet kapja pas Skënderbeut dhe Nënë Terezës, porse i nevojiten modele më të prekshme morale dhe praktikisht më frymëzuese e motivuese, që të dalë prej një qerthulli marrëzie ku endet e endet duke u llokoçitur në një pellg mjerimi.

Ngjashëm me të ishte dhe Rama dikur në rolin e një pene të ithët publicistike. Kontraversalizmin e tij, ai e përligjte me dëshirën për të parë Shqipërinë e shqiptarin të ndryshuar për mirë. Që të dy, në thelb mbronin qëndrimin se një popull që mësohet të ushqehet e jetojë me gënjeshtra, vetëm mjerimin do ketë si destin.

Tek qëndrimet e tyre, ka shumë gjëra për t’u kundërshtuar e kritikuar, por parimisht ata kanë qenë të qartë në qëllimin se përse e bëjnë këtë: interesi publik.

Ndërsa në rastin e Mustafa Nanos kjo duket sikur nuk ekziston. Kontarversaliteti i tij, shfaqur së fundi dhe me të ëmën e Skënderbeut, e sidomos me ngacmimin e sentimenteve të bashkësisë muslimane, ngjan më tepër si një prirje për eksperimente sociale të natyrës psikologjike.

Pra, një lloj sporti, një englendisje, veprime e akte që më shumë duken se janë armë kundër zbrazëtirës së brendshme që mund të ketë, sesa vërtet një shqetësim i qashtër qytetar e intelektual, mbi atë që nuk shkon në këtë shoqërinë tonë e që do donte të shkonte më mirë.

“Duhet të mësoni edhe t’ju fyejnë…”, ishte një prej frazave të tij në Opinion-in e së enjtes, adresuar një bashkëfolësi me profil edhe besimtari, duke shpërfaqur kështu një të vërtetë të kamufluar tek ai, se qëllimi nuk është interesi publik në kritikat që adreson ndaj një komuniteti a besimi, por një tendencë për provokim, e gjitha brenda një kotësie e boshësie, një spicllëk, ku nëse ka ndonjë interes të caktuar, ai është i gjithi personal: prirja për të qenë në qendër të vëmendjes, që tek një kategori njerëzish përkthehet si kusht ekzistencial në raport me një vdekje përsëgjalli nga pesha e rëndë e supertokësores si model jete.

Në të kundërt, Nano do kishte mundur të artikulojë qartë arsyet tejpersonale të kritikave të tij, duke i mveshur qëllimit të spicave që hedh, hem në sferën nacionale e hem në atë fetare, interesin shoqëror. Këtë nuk e ka bërë kurrë dhe as që mundet t’i lexohet në qëndrimet e tij kontraverse. Dhe kjo e bën të jetë i çalë në qëndrimet e tij, më shumë se nga ofezat, ose për ta thënë butë-butë, nga kritikat që hedh karshi një besimi apo komuniteti të caktuar, nga paqëllimsia morale! I çalë? I sakatosur më mirë të themi. /tesheshi.com/