9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Shembulli i shokut të mirë

Më të lexuarat

Nga Ebi Musa el Esharij transmetohet se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është (përkatësisht) si poseduesi i miskut dhe kovaçit. Mbartësi i miskut ose do te japë erë të mirë, ose do ta blesh, ose do të ndjesh prej tij erën e mirë, ndërsa kovaçi ose do të të djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij erën e keqe.” Buhariu dhe Muslimi.

 

Kuptimi i përgjithshëm

Ky hadith, bën pjesë në ato thënie të Profetit (alejhi selam) të cilat kanë të bëjnë me brumosjen e një edukate prej besimtari, për të përgatitur myslimanin që të jetë i gatshëm për ndërtimin e një shoqërie muslimane.

Profeti (alejhi selam) ka qenë gjithmonë i kujdesshëm për të afruar zemrat e muslimanëve njëra me tjetrën, duke i këshilluar në çdo situatë që ka qenë e nevojshme. Shoqëria në Medine përbëhej nga shumica e muslimanëve, nga një pakicë munafikësh, nga çifutë dhe nga mushrikë. Muslimani shoqërohej me ta për çështje të jetës së përditshme dhe ndikohej prej tyre, saqë kishte disa nga jomuslimanët që fusnin mendime të këqija në mesin e muslimanëve.

Profeti (alejhi selam) deshi të merrte masa që myslimani të ishte i sigurtë nga të gjitha këto gjëra, prandaj dhe ka thënë: “Njeriu është me fenë e shokut me të cilin rri, prandaj të shikojë çdonjëri prej jush se me kë shoqërohet.”

Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) ka këshilluar muslimanët të vizitojnë njeri-tjetrin për të ripërtëritur imanin, saqë një sahab i thoshte shokut tjetër: “Hajde lexojmë një orë, pra ta ripërtërijmë imanin tonë.”

Profeti (alejhi selam) e ka ditur se njeriu nga natyra e tij është i dobët dhe mund të ndikohet nga të qëndruarit e tij me jomuslimanët. Për këtë arsye, Profeti (alejhi selam) ka vendosur masa (pengesa) që njeriu të jetë i sigurtë për imanin e tij, duke na thënë: “Mos duaj askënd, përveç besimtarit dhe mos ta hajë ushqimin tënd, përveçse i devotshmi!” Ebu Daud dhe Tirmidhiu.

Pra, siç shohim, Profeti (alejhi selam) është munduar që të pengojë muslimanët nga shoqërimi me jomuslimanët, që t’i shkëpusë lidhjet e vjetra për t’i zëvendësuar ato me lidhje të reja. Është pyetur Profeti (alejhi selam) se një person i do ata me të cilët shoqërohet. Iu përgjigj i Dërguari (alejhi selam): “Njeriu është me atë që do.” Buhariu dhe Muslimi.

Në hadithin e temës kuptojmë se njerëzit, të cilët na rrethojnë, ndahen në dy grupe:

1. Është ai vëllai i mirë, ai bujar, i cili të ndihmon ty si në fenë, ashtu edhe në dynjanë tënde. Të nxit ty për bindjen ndaj Allahut dhe për një moral të mirë me fjalën dhe veprën e tij. Këtë lloj shoqërie e kemi për detyrë ta shoqërojmë.

2. Është shoku i keq për atë që shoqërohet me të, sepse ky shok (shok i keq) është ndihmues i vetes tënde, e cila në vetvete është shtysë për të keq dhe që e shtyn njeriun në shkatërrim dhe shkakton mërzitjen e Allahut të Lartësuar.

Prandaj, është detyrë për myslimanin që të shkëputet nga një shoqëri e tillë, sikurse e ka përmendur Profeti (alejhi selam) në hadithin e lartpërmendur, duke krahasuar shokun e mirë si poseduesin e miskut, prej të cilit nuk na vjen asgjë e keqe dhe shokun e keq me kovaçin.

 

Rregullat që dalin nga hadithi

1. Ndalohet qëndrimi me ata persona, të cilët na nxisin për tek e kota dhe duhet të shoqërohemi me ata persona që na nxisin për të mirë, siç është përmendja e Allahut dhe veprimi i veprave të mira.

2. Ky hadith është argument se lejohen të bëhen krahasime në fe.

3. Lejohet dhënia e shembujve.

4. Është argument se misku është i pastër.

 

Çfarë përfitohet nga hadithi

1. Njeriu ndikohet nga personi me të cilin shoqërohet.

2. mospasje marrëdhënie me të këqijtë dhe mosshtimi i shoqërisë me ta.

3. Nxit për zgjedhjen e shokut më të mirë.

 

Gazmend Leçini

15.09.2006

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit