SHBA-JA PARALAJMËRON SIRINË PËR ARMËT KIMIKE

0
35

SHBA-ja paralajmëroi sot Sirinë se do të mbajë përgjegjësi nëse nuk garanton sigurinë e armëve kimike, pas një artikulli që flet për zhvendosjen e disa prej tyre jashtë vendeve të magazinimit.

Në artikullin e saj të djeshëm, e përditshmja ”Wall Street Journal” përmendi mundësinë, duke cituar raporte të shërbimeve sekrete, se armët kimike ishin duke u zhvendosur nga vendet e magazinimit.

“Ne kemi deklaruar qartë disa herë se qeveria siriane do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e rezervave të armëve kimike”, deklaroi zëdhënësja e departamentit të shtetit amerikan, Victoria Nuland.

“Komuniteti ndërkombëtar do t’i kërkojë llogari zyrtarëve sirianë, të cilët kanë dështuar në përmbushjen e këtij detyrimi”, shtoi ajo gjatë një vizite të sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton në Kamboxhia.

Sipas të përditshmes, zyrtarët amerikanë i tremben faktit që armët të jenë përdorur kundër rebelëve apo civilëve. Disa të tjerë mendojnë se këto materiale janë nxjerrë jashtë magazinave nga grupet e armatosura dhe fuqitë perëndimore.

”Administrata Obama është veçanërisht e shqetësuar për çështjen e rezervave siriane të gazit sarin”, thekson e përditshmja.

Siria ka gjithashtu rezerva të gazit mutarde dhe cianur.

Siria është përfshirë që prej muajit mars 2011 nga një revoltë popullore kundër regjimit të Bachar al-Assad.

Në 16 muaj, dhuna ka shkaktuar më shumë se 17 000 të vdekur, prej të cilëve dy e treta janë civilë, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut.trt/kohaislame