Shaqir Fetahu zgjidhet për kryetar të BFI-së

0
122

Me 18 vota “për” nga gjithsej 21 anëtarë të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir efendi Fetahu është zgjedhur kryetar i BFI-së. Kundërkandidati i tij, myftiu nga Tetova, Qani Nesimi, ka marrë 3 vota.

“Sot është një ditë e madhe për të gjithë myslimanët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot fitoi BFI-ja, sot fituam të gjithë, njerëzorja dhe konstruktivja. Prej sot kemi amanet dhe përgjegjësi të madhe të prezantojmë islamin në frymën e tij burimore dhe tradicionalë”, tha Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.

“Rrugëtimi jonë do të jetë dija, transparenca dhe puna e palodhshme në shërbim të besimtarëve dhe qytetarëve. Do të jetë një BFI e cila me mençuri dhe urtësi do tu përgjgijet të gjitha sfidave që i sjell koha dhe vendi”, tha Fetahu.

Kompetencat e reisit:

  • përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
  • jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
  • emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
  • organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
  • konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
  • ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
  • nënshkruan aktet e Rijasetit;
  • nënshkruan aktet për punësim në BFI;
  • viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare;
  • lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikëqyrje të Rijasetit;
  • ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njëjtat janë kundërshtim me parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
  • dekreton vendimet e marra nga Rijaseti i BFI-së.

Më 27 maj të vitit 2020, Rijaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepin. Pavarësisht se Rijaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

Në po të njëjtën ditë, në vend të Rexhepit u emërua efendi Fetahu, i cili sot u rikonfirmua në këtë detyrë.