9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Sfidat kryesore të NATO-s: ISIL dhe Rusia

Më të lexuarat

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se NATO-ja po përgatitet të shtojë kundërpërgjigjen ndaj Shtetit Islamik si dhe ndaj Rusisë, përgjegjëse për veprime agresive në Ukrainë.

Megjithatë në një intervistë me kolegen e shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Jela De Franceschi, zotri Stoltenberg tha se NATO-ja nuk po kërkon konfrontim me Rusinë. Ai komentoi gjithashtu për masat që po merr aleanca me sfidat e reja të sigurisë me të cilat përballet bota dhe ndihmën që po jep për krizën e refugjatëve.

Gjatë një vizite në Uashington, shefi i aleancës foli për sfidat kryesore aktuale të NATO-s, atë në jug të aleancës, në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si edhe ato që shkakton Rusia në Lindje.

“Ne po zbatojmë përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Vendosja e më shumë trupave pjesën lindore të Aleancës, me një përforcim të kapaciteteve dhe gadishmërisë sonë dhe me seli të vogla shtesë në pjesën lindore, që të mund të jenë një hallkë e të gjithë NATO-s dhe që të përforcohen nëse është e nevojshme. Pra ne po marrim shumë hapa për t’iu përgjigjur një mjedisi të ri sigurie”.

Por zotri Stoltenberg theksoi se NATO-ja nuk kërkon konfrontim me Rusinë, as një luftë të ftohtë.

“Dialogu është i nevojshëm sepse na duhet të shmangim një Luftë të re të Ftohtë. Por ne kemi besimin e patundur se nuk ka kontradiktë mes një mbrojtjeje të fuqishme, një qëndrimi të vendosur dhe dialogut”.

Aleanca, tha ai kërkon më tepër një dialog për të shmangur incidente si rrëzimin e avionit rus mbi Turqi.

“Dhe nëse këto lloj incidentesh ndodhin ne duhet të shmangim daljen e situatës jashtë kontrollit për shkak të tyre. Pra, transparenca, mekanizmat për minimizimin e rreziqeve janë të rëndësishme për shmangien e keqësimit të situatave”.

Zotri Stoltenberg po konsultohet me udhëheqësit amerikanë në prag të samitit të NATO-s në Varshavë në muajin korrik, ku kriza e refugjatëve në Lindjen e Mesme dhe Evropë pritet të jetë ndër temat kryesore.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ka dislokuar anije në Detin Egje për të ndihmuar me krizën.

“Synimi i tyre nuk është të kthejnë mbrapsht barkat me imigrantë por që të ndihmojnë me vëzhgim dhe informacion që e ndajnë me rojën kufitare turke dhe greke dhe me agjencinë kufitare të Bashkimit Evropian, FRONTEX dhe pastaj këto autoritete lokale të ndryshme i përdorin këto informacione për të menaxhuar më mirë krizën”.

Duke folur për zgjerimin e NATO-s, zotri Stoltenberg tha se aleanca po plotëson procedurat për finalizimin e bisedimeve të anëtarësimit të Mali të Zi, që do të jetë anëtari i 29-ë i saj. Ai thotë se më tej nuk ka ndonjë plan të afërt për anëtarësime, por se NATO-ja do të ketë gjithmonë një qëndrim të hapur dhe do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet partnere që janë shumë të afërta dhe të rëndësishme për aleancën ushtarake.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit